Më 28 mars 1939, në Romë mbërrin lajmi i rënies së Madridit. Ciano është në pallatin Venezia me Mussolinin: “Duce është i lumtur. Duke treguar atlasin gjeografik të hapur në faqen e Spanjës, thotë: “Ka qenë i hapur këtu për thuajse tre vjet, mjaft më. Por e di që duhet ta hap në një faqe tjetër”. Ka në zemër Shqipërinë.
Në të vërtetë Mussolini “kishte në zemër” Shqipërinë prej të paktën njëzet vjetësh, por fqinji i vogël përtej adriatikutzinte një vend akoma më të madh në zemrën e ministrit të tij të Jashtëm: asnjë evenment tjetër i fashizmit nuk i përket Cianos sa ky. Edhe në ditar duket se i është futur punës për t’u përcjellë brezave oleografikisht sipërmarrjen: disa episode duken se janë shkruar posaçërisht për t’u futur në librat e historisë së shkollave, si ai i gishtit mbi atlas apo ky tjetri: “Ndërsa i jap një kampion të shkëlqyer minerali bakrri të minierave të Lezhës i them: ’Ja fiqtë e Kartagjenës.’”
Në paktin e Londrës së vitit 1914 u vendos që shteti i sapolindur shqiptar në fund të luftës do të ndahej mes Italisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Por në vitin 1917, Italia – të cilës edhe para fashizmit i interesonte Shqipëria – me një sulm të befasishëm e kthen në protektorat të vetin. Ndërsa në vitin 1920, për shkak të presionit ndërkombëtar iu desh t’i kthejë pavarësinë e plotë Shqipërisë dhe të mbështesë hyrjen e saj në Shoqërinë e Kombeve.
Në të njëjtin vit hyri në historinë shqiptari Ahmet Zogolli, asokohe 25-vjeçar. Prej një familjeje të lashtë myslimane e dhe mbizotëruese e Matit, Zogolli (i cili nga viti 1928 do t’i heqë prapashtesën otomane mbiemrit të tij duke e lënë në Zog) kish qenë kolonel në ushtrinë austriake. Përfaqësues i interesave mysllimane dhe i fisit të tij të fuqishëm, në vitin 1921bëhet ministër i Brendshëm dhe më pas Kryeministër. I mundur në zgjedhje refuzoi të hiqte dorë nga pushteti por u detyrua të arratisej në Jugosllavi nga revolta e udhëhequr nga liberali Fan Noli. Por që në dhjetor 1924, falë ndihmës së qeverisë jugosllave mundi të rihyjë në Shqipërime disa mijëra të armatosur, të përmbysë Fan Nolin dhe të emërohet President i republikës.
Dyzet vjet më pas Roberto Ducci, ambasador në Beograd, dëgjoi këtë anektodë mbi çështjen e financimit jugosllav të Zogut: “Plaku i urtë Nicola Pasic, që ishte kryeministër i Serbisë dhe që kish mbetur në mbretërinë e serbo-kroato-sllovenëve numëroi përpara Zogut stërlinat e arit (monedha e vetme me vlerë në Shqipëri) që përbënin çmimin e marrëveshjes dhe pasi i shtyu nga krahu tjetër i tavolinës, tha: ‘Dhe tani, Zog, më thoni: sa kohë do t’ju duhet për të rënë dakord me italianët?’” iu desh pak më shumë se një vit.
Shqipëria e vitit 1924 ishte vendi më i varfër e më i prapambetur i Europës. Pa rrugë, shkolla, spitale, industri, rreth një milion shqiptarët e asokohe jetonin në kushte të mjerueshme të rënduara nga mosmarrëveshje fetare e nga ato, edhe më të rënda, mes fiseve të fuqishme që përbënin shtete të mirëfillta brenda shtetit. Por që atëherë flitej për pasuri të shumta nëntokësore, në një terren kryesisht kënetor dhe malor.
Që me ardhjen e tij në fuqi, siç ishte e natyrshme, Mussolinivëzhgoi me shumë vëmendje atë territor sa një e dhjeta e Italisë, pak kilomentra larg Puglias, që mund të kthehej në në kreun e urës italiane në Ballkan, duke i siguruar në këtë mënyrë kontrollin përfundimtar në Adriatik dhe një mundësi ekspansioni të punës dhe ekonomisë italiane. Me të përmbyllur shpejt e shpejt dy traktate tregtare, Mussolini pa me sy të mirë marrjen e pushtetit nga Zogu, edhe pse ai u ndihmua nga Jugosllavia, rivale e Italisë në çështjen e Shqipërisë. Mussolini ka besim në lidhjen më të ngushtë mes regjimit diktatorial të Zogut dhe në nevojën e vendit të vogël për mbështetjen në fuqinë italiane që ta garantojë nga qëllimet jugosllave. Por mbi të gjitha, ka besim në paratë për të cilat Shqipëria – dhe Zogu personalisht – ka shumë nevojë. E Mussolini nuk tregohet aspak dorështrënguar. Në Fondin Lancellotti, në një zarf që ka të bëjë me Shqipërinë, gjendet një letër e çuditshme e Duces, në kartë me kokë të ministrisë së Jashtme; i drejtohet Costanzo Cianos, ministër i Komunikacioneve, mban datën 21 gusht 1925 e thotë:
I dashur Ciano,
për ngjarje ndërkombëtare më nevojiten dy milionë menjëherë – hua – që do të t’i kthej kur t’i kem marrë me shtesë në kapitullin tim shpenzime sekrete që varen nga ngjarje ndërkombëtare.
Me përzemërsi.
Costazo ia derdh të nesërmen me katër urdhër-xhirime nga 500.000 lireta. E veçantë procedura me të cilën ministri i Jashtëm dhe Kryeministri i vendit i kërkon ministrit të Komunikacioneve, në rrugë miqësore, huanë e një shume tejet të madhe për intrigat e tij ndërkombëtare: shenjë paralajmëruese e rrëmujës së jashtëzakonshme që do të mbretërojë në zyrat publike gjatë regjimit. Por ato dy milionë përbënë vetëm një pjesë të vogël të shumave të mëdha të parave që Italia shpenzoi apo investoi në Shqipëri. Në vitin 1938 ministria e Cianos përgatiti një relacion sipas të cilit, nga viti 1925 deri atëherë, Shqipëria i kish kushtuar Italisë 1.256.182.487 lireta e 0,5 qindarka.
Një pjesë e mirë e kësaj shume ishte shpërdoruar, pasi në vitin 1938, situata e Shqipërisë nuk ishte shumë më ndryshe nga ajo e vitit 1925, por nga ana tjetër Italia kish blerë – është pikërisht rasti për ta thënë – miqësinë shqiptare. Në vitin 1926 u nënshkrua një “Pakt i miqësisë dhe i sigurisë”i pasuar pas një viti nga një traktat aleance mbrojtëse që në thelb e kthente Shqipërinë në një çiflig italian. Për t’i dhënë edhe dorën e fundit kuadrit, në vitin 1928 Zogu e transformon republikën në mbretëri duke u vetëshpallur mbret dhe duke i dhënë Mussolinit një lloj deklarate vasaliteti.
Një fërkim i rëndë u verifikua vetëm në vitin 1934, kur Zogu duke u përpjekur të fashiste ndikimin italian – ose ndoshta për të ngritur çmimin – nënshkroi një traktat tregtar me Jugosllavinë dhe, në të njëjtën kohë, refuzoi të përtërinte atë të vitit 1926: iu tërhoq veshi menjëherë me dërgimin e një skuadre ushtarake detare në portin e Durrësit. Më pas do të jenë tensionet e provokuara nga ngritja e aksit Romë-Berlin dhe veprimtaria frenetike e Cianos ato që do të shënojnë kthesën përfundimtare në raportet italo-shqiptare. Një kthesë e pashmangshme në logjikën e imperializmit fashist; mjaft të shihet sa karakteristika të përbashkëta kanë Etiopia dhe Shqipëria:
Ashtu si Etiopia që ishte e vetmja hapësirë “e hapur” e kontinentit afrikan, Shqipëria është, në mozaikun ballkanik, copëza më e brishtë. Që të dy vendet janë të lira, por me shtete të dobëta, të ndara në brendësi nga çështje fisnore e ndryshime fetare. Që të dyja këto vende ngacmojnë ëndrrën e fuqisë fashiste, njëri si koloni popullimi e, njëherësh, si bazë për ekspansione të mëtejshme afrikane dhe aziatike; tjetri si kreu i urës në Ballkan, për të marrë pas krahëve Jugosllavinë e urryer, për të kërcënuar Greqinë, me një fjalë, për t’u futur drejtpërdrejt në jug-lindjen europiane, në kërkim të rasteve të reja, të perspektivave të të reja. Të dyja këto vende kanë njohur në të shkuarën një përpjekje italiane për pushtim, dhe kanë qenë skena humbjeje për pushtuesin.
Një nga aktet e para të Cianos si ministër i Jashtëm kish qenë emërimi i Francesco Jacomonit si ministër fuqiplotë në Tiranë, ku kish qenë edhe më parë me detyra diplomatike të një rangu më të ulët. Ishte dhjetë vjet më i vjetër se Ciano, por kishte filluar vonë karrierën, në vitin 1923. Diplomat i mprehtë e pa shumë skrupuj kryeneçësi, kish qenë mes mbështetësve të parë më të zjarrtë të Cianos në ngjitjen e tij në Pallatin Chigi dhe ishte njeriu i duhur për politikën që ministri i ri i Jashtëm dëshironte të ndiqte në Shqipëri. Në fakt u tregua një zbatues i shkëlqyer.
Lëvizja e dytë e Cianos qenë klauzolat e fshehta të traktatit të vitit 1937 me Jugosllavinë, që i linin dorë të lirë Italisë në Shqipëri. Edhe pse klauzolat nuk njiheshin, marrëveshja shkaktoi frikë të madhe në Tiranë: nëse armiku i rrezikshëm jugosllav dhe miku edhe më i rrezikshëm italian lidhnin aleancë, ç’mund të ndodhte vallë? Për të qetësuar shqiptarët pasi u kthye nga Jugosllavia i dha detyrë Jacomonit t’i përgatiste një vizitë zyrtare në Tiranë, në prill. Në të vërtetë mbërriti me petkat e mikut dhe të Babagjyshit të Vitit të Ri: çoi si dhurata premtime për rrugë, ujësjellës, spitale, shkolla, subvencione. Do të mbajë shumë prej premtimeve, por Zogu nuk do të kish qenë i kënaqur po të kish mësuar ç’i tha Ciano Jacomonit para se të largohej nga Shqipëria që “nevojitej eliminimi i mbretit Zog”, dhe vetëm pak ditë më pas, kur Jacomoni ishte në Romë, i përsëriti urdhrin që “të bënte një politikë të tillë që ta detyronte mbretin të linte fronin brenda vitit”. Ciano ende nuk ka një plan, por e di mirë se çfarë do; në gusht shkruan në ditar:
Binda Ducen t’i japë 60 milionë, në katër vjet, Shqipërisë, për vepra të ndryshme. Udhëtimi im në Tiranë më bindi se është mëse e nevojshme të përkujdesemi për atë sektor. Duhen krijuar qendra të qëndrueshme interesash italiane. Nuk i dihet se ç’mund ta sjellë e ardhmja. Duhet të jemi gati të mos lëmë rast të na ikë duarsh. Ne nuk do të tërhiqemi, si në 1920-ën. Në jug kemi thithur qindra mijëra shqiptarë. Pse nuk duhet të ndodhë e njëjta gjë edhe nga bregut jetër i Adriatikut?
Ciano kishte shumë për zemër këtë idenë e “thithjes” për të justifikuar një operacion pushtimi dhe shkombëtarizimi e asokohe ishin të shumtë ata që u ndikuan prej tij: u desh të besohej që Shqipëria ishte një entitet krejtësisht i parëndësishëm. Mario Morandi (i komitetit drejtues të revistës Critica fascista e nga viti 1939 këshilltar italian në ministrinë shqiptare të Arsimit), vëzhgues i kujdesshëm i “kolonializimit” italian të Shqipërisë kujton që me këtë ide
ishin bindur, para të gjithëve, ushtarakët, një pjesë jo e vogël e grupit të ekspertëve që ndodheshin në Shqipëri përpara Bashkimit dhe që duhet të drejtonin politikën italianë në atë vend. Ata nuk mbanin fare parasysh elementet që përbëjnë kulturën e një populli edhe pse kompleks, i patundur, i prapambetur, tejet i varfër, kur mjaftonte të lidheshin kontakte me profesorë, mësues, funksionarë – edhe pse të gjithë ose thuajse të gjithë respektonin Italinë – për të zbuluar që shqiptarët kishin vetëdijen e të qenit një popull me kulturën e vet.
Në fakt, çka do të ndodhë më pas do të dëshmojë më së miri që Shqipëria e vogël kishte aq shpirt kombëtar sa për të mos e kapërdirë lehtë humbjen e pavarësisë. Por Ciano që në mars 1938 ka “programin e tij për Shqipërinë” të cilit i përmbahet pikë për pikë: program depërtimi “gjithnjë e më i theksuar e gjithnjë e më organik”:
Pyes veten nëse situata e përgjithshme, dhe veçanërisht Anschluss (bashkimi i Gjermanisë me Austrinë), nuk na lejojnë të hedhim një hap përpara drejt mbizotërimit të plotë të këtij vendi që do të jetë i yni. Duket se Beogradi pret me padurim aleancën ushtarake: besoj se Shqipëria mund të jetë çmimi.
Pra duket sheshit që Anschluss – që përgjithësisht njihet si motivi që shtyu regjimin fashist të pushtojë Shqipërinë për t’i bërë ballë zbritjes gjermane në Ballkan – përbën vetëm një shkak më shumë në marrjen e vendimit.
Përveç Anschluss-it kish pasur edhe një tjetër ngjarje të pakëndshme që kishte bindur Cianon për përshpejtim. Zogu dëshironte të martohej: edhe dhjetë vjet më parë – duke një sigurim të fronit më shumë se një grua – kishte kërkuar dorën e një prej vajzave të mbretit të Italisë, por Vittorio Emanuele III, në krye të një prej familjeve mbretërore më të lashta të Europës, nuk kish dashur t’ia dinte për atë mbret të sapozgjedhur të dyshimtë.
Në vitin 1938 Zogu mendon sërish të martohet, përveç çështjeve politike, edhe për t’i dhënë një pasardhës dinastisë së tij. Dyzetepesëvjeçarit Zogu, Ciano i propozon vajza fisnike të aristokracisë italiane, mes të cilave edhe pasardhësen e fundit të heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Por Zogu, që më shumë se një emër dëshiron një garanci politike dhe është i ndikuar nga rrymat kundër-italiane të vendit të tij, i bën bisht. Me naivitet, Ciano nuk kuptoi dhe u çudit nga refuzimet e tij. Më në fund Zogu martohet me Geraldina Apponyj, hungareze, e lidhur me oborrin mbretëror të vendit të saj, ku kishte shumë elemente filo-gjermane. Vetëm në këtë çast Ciano e kuptoi se kish humbur një betejë dhe që Reich gjerman kishte hedhur një tjetër hap, edhe pse shumë të vogël, drejt Ballkanit. Megjithatë, pranoi edhe ftesën, që me siguri i është dukur ironike, për të qenë dëshmitar i dhëndrit, por shkoi në dasmë me shpirt të thyer.
Vizita e të ftuarve italianë në dasmë nuk qe aspak e këndshme: përveç faktit që nuk kishin asnjë arsye për të qenë të lumtur, përkundrazi, kreu i paaftë i ceremonialit shqiptar bëri gabime të rënda që fyen italianët (“ceremonia ishte një seri incidentesh, të rastësishme ose të qëllimshme” kujton Jacomoni), pesë motrat e mbretit provokuan e trajtuan si mos më keq Cianon. Gjatë drekës treguan me zhurmë kënaqësinë e tyre për martesën e të vëllait me një hungareze, më pas ndërsa përshkonin me ministrin e Jashtëm rrugën Tiranë-Durrës, të ndërtuar me paratë dhe mjeshtrit italianë (dhe Ciano shprehte kënaqësinë e tij për bukurinë dhe rehatinë e rrugës), thanë: “Kënaqeni me pak, Shkëlqesi. Kjo rrugë na duket mediokre. E keni bërë ndonjëherë rrugën që të çon nga Tirana në Elbasan?” natyrisht ajo ishte një vepër gjermane. Ansaldo, Baroni e Vergani, shoqërues të Cianos, nuk tregojnë në kronikat e tyre nëse ministri u tregua po aq i sjellshëm me to, por në ditarin e vet
Ciano shkroi: “Princeshat mbretërore janë harbute, qesharake dhe të denja për skenën e një operete”.