“Italisë ia dhashë unë Shqipërinë” Kjo deklaratë e Galeazzo Cianos pas pushtimit të 7 prillit, nuk është mburrje e kotë. Me të marrë vendin e Ministrit të Jashtëm, dhëndri i Mussolinit do t’i kushtohej vërtet me një pasion pushtues Shqipërisë, së pari nëpërmjet poltikës së vet nënshtruese, e më pas për një zgjidhje rrënjësore siç qe pushtimi. Marrëdhënies së Cianos me Shqipërinë i kushtohet një kapitull i tërë i monografisë më të mirë italiane mbi jetën e personazhit që 33 vjeçar u bë ministër i fashizmit, “Galeazzo Ciano, Una Vita”, e historianit Giordano Bruno Guerri. “Bota shqiptare” botoi për herë të parë në shqip faqet kushtuar “Çifligut të Cianos” të mbushura me detaje të panjohura nga publiku i gjerë
Hiq vrasjen e mbretit, Ciano çon përpara me entuziazëm të gjithë planin shqiptar, i shtyrë edhe nga Mussolini i cili ama vetëm më 30 nëntor i komunikon Këshillit të madh ç’ka ndërmend të bëjë me Shqipërinë por pa specifikuar as si e as kur. Në këtë pikë Ciano hidhet me vendosmëri në aksion dhe më 6 dhjetor i vë përpara Mussolinit planin e tij. Plan që Duçe “e shqyrton dhe e aprovon” por duke shfaqur shqetësime serioze për reagime të mundshme nga pala jugosllave. Vetëm tani – duhet theksuar – Ciano shqetësohet për qëndrimin jugosllav; duket se në valën e punës së atyre ditëve e kish harruar: “Ndoshta do të na leverdisë të flasim me Stojadinoviçin, e ndoshta të studiojmë mundësinë e një shpërblimi, pse jo në kurriz të Greqisë: Selaniku.” Dhe ky detaj nuk ishte aspak i lënë pas dore, aq sa para se të nisej për në Jugosllavi, Ciano bën një bisedë me Mussolinin, në fund të të cilës bien dakord “që nuk ia vlen barrë qiranë të të rrezikojnë miqësinë e vyer të Beogradit për Shqipërinë. Ndaj, do të veprojmë vetëm nëse do të mund të arrijmë në një marrëveshje”.
Nga 19 deri më 21 janar 1939 Ciano pati takimin e pestë me Stojadinoviçin, gjatë tri ditëve të gjahut të lepujve. Stojadinoviçi u tregua shumë mirëkuptues ndaj aksionit italian (po ashtu edhe princi Paolo), nuk paraqiti kërkesa të sakta për territoret shqiptare dhe ndihmoi që Ciano dhe Mussolini të të ishin edhe më të vendosur në bindjen e tyre duke u lënë të kuptonin që Zogu ishte treguar i gatshëm të blihej nga Jugosllavia edhe kundër Italisë. Qëndrimi i jugosllavëve është krejtësisht i kuptueshëm po të mbahet parasysh që në Beograd ishte i madh shqetësimi për kufirin që Jugosllavia kishte të përbashkët me Gjermaninë pas Anschluss-it, ndaj edhe kishin maksimumin e interesit të mbeteshin në raporte të mira me Italinë; për më tepër Ciano premtonte shpërblime territoriale që Italia mund edhe të mos u jepte.
Cianos nuk i shkoi nëpër mend as që dhjetë ditë pas vizitës së tij Stojadinoviçi nuk do të ishte më kryeministër i Jugosllavisë, për rrjedhojë të zgjedhjeve jo të favorshme të 11 dhjetorit. Sigurimet e marra gjatë ditëve të gjahut të lepujve humbën shumë prej vlerës së tyre por Ciano edhe pse bazonte marrëdhëniet italo-jugosllave kryesisht mbi miqësinë personale me Stojadinoviçin nuk ka dyshim: “Me Stojadinoviçin, ndarje e Shqipërisë mes nesh dhe Jugosllavisë. Pa Stojadinoviçin, pushtim i Shqipërisë prej nesh pa Jugosllavinë dhe, po të nevojitet, kundër Jugosllavisë”. Kanë kaluar vetëm tri javë nga momenti kur mendonte se do të ishte e pamundur të veprohej pa pëlqimin e Beogradit.
Të nesërmen këmbëngul me Mussolinin për përshpejtimin e manovrës. Mussolini është dakord dhe data e veprimit përcaktohet java e parë pas Pashkëve. Në fakt, në këtë pikë, nëse donin të sulmonin, e mira ishte ta bënin sa më parë: projekti i ish bërë tashmë i njohur qeverisë së re jugosllave, miqësia e së cilës vihej në dyshim, dhe nuk mund të përjashtohej që Beogradi të kërkonte ndihmën e Francës dhe të Britanisë së Madhe.
Vetëm në këtë çast Ciano mendon të informojë për çështjen shqiptare Ribbentrop-in, por pas pak ditësh i mbërrin një tjetër lajm i mirë që shënon në ditarin tij:
Zemërim i thellë për faktin që Gjermania dashka të vërë duart mbi naftën shqiptare. Kjo na rezulton nga një komunikim zyrtar dhënë Attolico-s (ambasadori italian në Gjermani). I telefonoj Mackensen-it dhe i them që konsiderojmë Shqipërinë si çdo krahinë tjetër e Italisë dhe që çdo lloj ndërhyrjeje gjermane do të sillte zemërim të thellë në opinionin publik italian.
Asokohe ishte krijuar bindja, që qëndron edhe sot, që Ciano ishte personalisht e drejtpërdrejt i interesuar për naftën shqiptare, si aksionar i ANIC-it. Nuk mund të përjashtohet, edhe në mungesë provash, që nafta shqiptare zgjon lakminë personale të Cianos (më shumë të të atit Costanzo se të të birit Galeazzo), por kjo çështje nuk ka rëndësi: Ciano e donte Shqipërinë për arsye pushteti e prestigji italian e personal; Shqipërinë, me apo pa naftë do të kishte dashur njësoj.
Furia e të vepruarit sa më shpejt e ha përbrenda por Mussolini e ndal sërish duke i thënë që nuk është e mundur të procedohet me operacionin Shqipëri nëse nuk përfundon më parë lufta në Spanjë, që duket se i ka ardhur fundi, e nëse nuk lidhet aleanca me Gjermaninë: vetëm atëherë operacioni nuk do të paraqesë asnjë rrezik.
Një fakt i ri ngjan më 15 mars, me pushtimin gjerman të Bohemisë. Mendja e Cianos shkon menjëherë te Shqipëria: “Është e kotë të fshihemi sepse e gjithë kjo shqetëson e poshtëron popullin italian. Duhet t’i japim një kënaqësi dhe shpërblim: Shqipërinë”. Flet me Mussolinin i cili, pa shumë gëzim sepse e kuptonte që pushtimi i territorit të varfër shqiptar – për më tepër i kontrolluar virtualisht nga Italia prej kohësh – nuk do të mund të kundërbalanconte pushtimin e Bohemisë së pasur, e autorizon të përshpejtojë përgatitjet. Ciano i telefonon menjëherë e më pas i telegrafon Jacomonit, por vëren me mëdyshje pasigurinë e Mussolinit.
Nga ditari i asaj dite rezulton që bëri të pamundurën për të bindur Mussolinin reagonte me pushtimin e menjëhershëm të Shqipërisë. Por nuk thotë që ka përgatitur një letër për Hitlerin me të cilën e lajmëron për synimin italian të “çlirimit”të popullit shqiptar. Ajo letër nuk u dërgua kurrë dhe ka mbetur e panjohur deri në ditët tona. Gjendet një kopje e daktilografuar mes dokumenteve të Cianos në Fondin Lancillotti, por nuk ka asnjë gjurmë të saj mes letrave të sekretarisë së Cianos; vihet re që stili i letrës është “pseudo-musolinian” dhe, mbi të gjitha, përmbajtja është në kundërshtim me pavendosmërinë e Mussolinit atë ditë por i korrespondon më së miri qëllimeve të Cianos:
E lë helmin për në fund: Gjermania renditet e para mes të barabartësh, në një grup kombesh të pasaktësuara por që, për vagëllimën e përcaktimit, mund të jenë edhe armiqtë tradicionalë të Aksit.
Ka shumë mundësi që Ciano t’i ketë dhënë letrën Mussolinit mbasdite, kur shkoi ta takonte, por Mussolini ngurroi; në fakt, Ciano shkruan në ditar që duce nuk pati “reagimin që priste ai” dhe thotë me vete: “Sa keq!”
Përsa i përket vetëm çështjes shqiptare vështirë të thuhet se kush prej të dyve kishte të drejtë, Mussolini që nuk do t’u shkelë në kallo “zotit dhe armiqve të tij” apo Ciano që mendon të përfitojë nga emocioni i shkaktuar në botë nga pushtimi i Bohemisë për të pushtuar Shqipërinë. Ngjarjet e mëpasshme i dhanë të drejtë Mussolinit: pasi toleruan pushtimin e Bohemisë fuqitë demokratike kapërdinë edhe atë të Shqipërisë, por ndoshta do të kishin reaguar më me forcë nëse dy agresionet do të kishin ndodhur pak orë njëri pas tjetrit. Por është mëse e vërtetë që Ciano mendonte mundësinë e shkëputjes nga aleanca me Gjermaninë menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë.
Më datë 16 në 9, siç kishte dyshuar Ciano, Mussolini e thërret në vilën Torlonia dhe i urdhëron të pezullojë aksionin. Me zemër të thyer, Ciano detyrohet t’i telegrafojë Jacomonit: “Ndalo (them ndalo) gjithçka dhe më siguro”.
Vendimi i Mussolinit, siç u pa, vinte si rrjedhojë e frikës mos pushtimi i Shqipërisë do të ndante Jugosllavinë deri në atë pikë sa të favorizonte krijimin e një shteti të pavarur kroat nën mburojën gjermane. Të nesërmen, Mackensen siguron personalisht Cianon mbi mosinteresimin gjerman në Kroaci dhe tri ditë më pas i sjell edhe konfirmimin zyrtar nga qeveria e tij, të përforcuar nga një letër personale, e gjatë dhe plot lajka, e Ribbentrop-it.
I qetësuar, Mussolini vendos t’ia mbledhë Zogut dhe e bën në mënyrën më të papritur duke përgatitur personalisht një projekt marrëveshjeje të artikuluar në tri pika që sipas Cianos kishte “Më shumë pamjen e një dekreti sesa të një pakti ndërkombëtar”. Ciano i tregon një tjetër të përgatitur bashkë me Vitetti-n, që edhe pse nuk ndryshon thelbin, zbukuron të paktën formën. Ndërkaq, Zogu, duke dyshuar për qëllimet italiane, i kish thënë Jacomonit se i trembej një sulmi jugosllav dhe i kish kërkuar paraprakisht mbështetjen e trupave italiane: mendonte, ndoshta, se mund të devijonte ekspansionizmin italian drejt vendit fqinj, të fitonte besimin e duces dhe, pse jo, të zgjeronte kufijtë e vet, edhe sikur kjo t’i kushtonte dhënien e ndonjë koncesioni Italisë.
I gjendur përballë projektit të marrëveshjes së Cianos – të tipit anglo-egjiptian dhe anglo-iraken – Zogu humbet çdo iluzion, por nuk do as të kundërvihet e as të pranojë: “shket si ngjalë” siç shënon i acaruar Ciano. Në këtë çast, me gjithë mendimin kundër të Vittorio Emanuele III që i kish thënë një ditë më parë Mussolinit se nuk i dukej e arsyeshme të rrezikonin në gjithë këtë aventurë “për të marrë katër gurë”, Ciano vendos të mos e zgjasë më tutje:
Tashmë makina është në lëvizje e nuk mund të ndalet: kjo gjë ose do të bëhet me Zogun ose do të bëhet kundër tij. Për shumë arsye – para së gjithash, ajo që nuk jemi ne italianët ata që zbrazin topat të parët në Europë – do të parapëlqeja zgjidhjen e parë. Por nëse Zogu nuk jepet, duhet t’u drejtohemi armëve e me vendosmëri.
Të nesërmen, më 29 mars, plani përfundimtar është gati, por vetëm më 31 mbahet në Pallatin Chigi një mbledhje që, për nj organizim efikas, duhej të ish mbajtur shumë kohë më parë: të pranishëm Ciano, Jacomoni, Pariani (atashe ushtarak në Shqipëri) dhe gjenerali Guzzoni, i caktuar pikërisht atë ditë për të komanduar operacionet. Kështu, vetëm në këtë çast Ciano mëson për kushtet “shqetësuese” të trupës së ekspeditës: “Duket se është e pamundur të gjendet, në të gjithë ushtrinë, një batalion motoçiklistësh të stërvitur, që të mbërrijnë papritur në Tiranë. Edhe për operacionet e zbarkimit lindin probleme të paparashikuara”. Përvoja do t’i kthehet e dobishme kur do të vijë momenti për të thënë të vetën kundër ndërhyrjes italiane në luftën botërore, por tani për tani nuk shqetësohet edhe aq për aspektin ushtarak organizativ dhe, i përpirë i gjithi nga loja e luftës që e entuziazmon pa masë, si një prestigjator nxjerr nga xhepi asin e tij:
Muti arriti në Romë e po përgatitem për ta dërguar në Tiranë, me një skuadër të vogël burrash që i ngjajnë, për të krijuar incidentet e të enjtes mbrëma, nëse Mbreti ndërkohë nuk do të na ketë mirësinë të kapitullojë. I kam dhënë liri veprimi, por edhe urdhrin e saktë që të respektojë Mbretëreshën dhe foshnjën, nëse do të ketë lindur. Të ngjallin terror gjatë natës: në të gdhirë të futen në pyje në pritje të trupave italiane, duke u përpjekur mundësisht t’i ndalojnë Zogut tërheqjen drejt Matit, ku mund të tentojë të bëjë rezistencë.
Për të lufta reduktohet në një sipërmarrje mjaft të ngjashme me qesëndinë e Bakarit të të atit apo me të vetën “qesëndia e Addis Abeba-s”. Nuk duket se është shqetësuar për vështirësitë ushtarake që sapo i kanë komunikuar por organizon goditjet e Muti-t. Përgatit me dorën e tij deri edhe një plan operacionesh trashanik e të përafërt që në fakt nuk do të ndiqet (por që u ruajt si gjë e shenjtë në kasafortë, për të provuar atësinë e sipërmarrjes):