in

Shqipëria dhe dëmshpërblimi italian pas luftës

nga Prof. Hamit Kaba

Pas çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman, qeveria shqiptare u paraqiti Fuqive të Mëdha Aleate kërkesën për t’u dëmshpërblyer nga shteti italian. Kërkesa e saj ishte e ligjshme dhe e motivuar sepse pushtimi afër 6-vjeçar i vendit nga Italia fashiste solli dëme të shumta materiale e njerëzore. Kërkesa e qeverisë shqiptare meritonte të trajtohej me seriozitet dhe me përgjegjësi nga organizmat ndërkombëtarë, sepse shqiptarët i bënë qëndresë të fortë pushtuesve italianë e gjermanë, duke u rreshtuar përkrah vendeve antifashiste dhe koalicionit të tyre të drejtuar nga shtetet e mëdha aleate, ShBA, BRSS dhe Britania e Madhe.

Përfshirja e Shqipërisë në grupin e shteteve komuniste të Evropës Lindore pas Luftës së Dytë Botërore pati edhe pasojat e konfrontimit me ShBA dhe me vendet demokratike të Evropës Perëndimore. Me gjithë rrugën e gjatë dhe vështirësitë që shoqëruan zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë, ai pati një fund pozitiv dhe të kënaqshëm për shtetin shqiptar. Ky përfundim bëhet i besueshëm se shtetit shqiptar iu njoh e drejta e pronësisë ndaj pasurive italiane në Shqipëri (shtetërore, parashtetërore, private), të shtetëzuara nga pushteti komunist në vitet e para të pasluftës, nëpërmjet Traktatit të Paqes me Italinë më 10 shkurt të vitit 1947 (neni 79).

Marrëdhëniet jo të mira midis Shqipërisë dhe Italisë, të shprehura përkatësisht në Traktatin e Varshavës dhe në NATO, nuk i lejuan ato që të krijonin mjedis besimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, i cili do ta lehtësonte zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë. Do të duhej të kalonin gati 14 vjet për të përmbushur vendimet e këtij Traktati. Në vitin 1960 kjo çështje u quajt e mbyllur dhe më pas marrëdhëniet midis të dy vendeve njohën njëfarë zhvillimi, por nuk arritën ndonjëherë të quhen të mira.

Procesi i marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia, ndonëse përfshiu një kohë pak a shumë të gjatë mund të quhet pozitiv, veçanërisht po të krahasohet me rrugën e gjatë dhe me vështirësitë që u hasën me dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë.

Përgatitja e Traktatit të Paqes me Italinë

Gjatë viteve 1945-1946 organet e pushtetit qendror dhe vendor u përfshinë në një veprimtari të gjerë për evidentimin e dëmeve të luftës. Kjo veprimtari u shtri në gjithë vendin. Për këtë qëllim u ngritën komisione të posaçme regjistrimi në qarqe, prefektura, nënprefektura, fshatra e lagje. Komisionet përbëheshin nga pushtetarë të të gjitha niveleve dhe specialistë të shumëllojshëm. Në krye të kësaj veprimtarie ishte Komisioni Qendror i Reparacioneve të Luftës, i përbërë nga disa seksione. Ai drejtonte dhe udhëzonte komisionet vendore dhe i furnizonte herëpashere me formularët përkatës të regjistrimit të dëmeve të luftës.

Duhet përmendur se puna e komisioneve nuk ishte gjithnjë e saktë. Statistikat nuk pasqyronin gjithnjë dëmet reale të luftës. Identifikimi i tyre vështirësohej sepse disa objekte kishin pësuar shkatërrime të dyfishta nga italianët dhe gjermanët. Po kështu ishte edhe prirja për t’i vlerësuar shumë dëmet e luftës, në mënyrë që të përfitohej sa më tepër nga dëmshpërblimet që duhej të paguanin Italia dhe Gjermania. Kjo prirje nuk ishte vetëm për Shqipërinë, por edhe për mjaft shtete të tjera.

Identifikimi dhe evidentimi i dëmeve të luftës që iu shkaktuan vendit nga pushtimi italian përfundoi në mesin e vitit 1946.

Pretendimet e qeverisë shqiptare për t’u dëmshpërblyer nga Italia iu bënë të njohura opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar përpara thirrjes së Konferencës së Parisit.

Në qershor të vitit 1945 Enver Hoxha, me cilësinë e Kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, kërkoi prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit me qendër në Moskë, që t’i kthehej Shqipërisë ari i vet i grabitur në Romë prej nazistëve gjermanë. Më 4 shtator të vitit 1945 Enver Hoxha iu drejtua presidentit të ShBA, kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe kryetarit të qeverisë sovjetike me anën e një telegrami, ku argumentonte të drejtën e shtetit shqiptar për të përfituar nga dëmshpërblimet italiane.

Më 19 mars të vitit 1946 kërkesa e qeverisë shqiptare për t’u dëmshpërblyer nga Italia iu paraqit edhe mbledhjes së Londrës të ministrave të Jashtëm të Britanisë së Madhe, ShBA, BRSS dhe të Francës.

Thirrja e Konferencës së Paqes të Parisit, ku do të diskutohej për Traktatin e Paqes me Italinë, e shtyu qeverinë shqiptare që të paraqiste kërkesën e vet për pjesëmarrje. Kjo kërkesë u prit me rezerva nga Britania e Madhe. Roger Pinsent, referent për Shqipërinë pranë Foreign Office shprehet: “Ne, nuk e dëshirojmë veçanërisht prezencën e Shqipërisë”. Britanikët mbronin pikëpamjen “ne do t’i qëndrojmë linjës që, ajo (Shqipëria-H.K.) nuk duhet pranuar në konferencë, por duhet ftuar që të shfaqë pikëpamjet e saj për çështje të tilla relevante, që ajo mund të dëshirojë të arrijë”. Pra delegacioni shqiptar nuk do të kishte statusin e “fuqisë aleate apo shoqe” si delegacionet e tjera pjesëmarrëse, por do të shprehte mendimet e veta pa pasur të drejtën e votës. Një pikëpamje e tillë, si ajo që u shpreh nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, u nda edhe me përfaqësuesit e ShBA dhe të Francës. Por këto nuk iu bënë të njohura qeverisë shqiptare.

Ndërkaq qeveria shqiptare, më 10 maj të vitit 1946, kërkoi prej ministrave të Jashtëm të katër shteteve të sipërpërmendura, që t’i jepnin Shqipërisë “një pjesë të arsyeshme dhe proporcionale të marinës italiane për nevojat e mbrojtjes detare të vendit”. Por edhe kjo kërkesë nuk u mor parasysh.

Duke mos marrë përgjigje për kërkesat e herëpashershme që i kishte drejtuar Këshillit të ministrave të Jashtëm, qeveria shqiptare e riparaqiti kërkesën e saj për t’u dëmshpërblyer nga Italia nëpërmjet një memorandumi tjetër, që ia drejtoi këtij Këshilli. Në sesionin e radhës, të zhvilluar në muajt qershor-korrik të vitit 1946 nga ministrat e Jashtëm të katër Fuqive të Mëdha, u vendos që kërkesa e Shqipërisë dhe e disa vendeve të tjera të shqyrtohej në Konferencën e Paqes që do të mblidhej së shpejti në Paris.

Në prag të thirrjes së Konferencës së Paqes të Parisit, qeveria shqiptare ngarkoi Misionin Ushtarak Shqiptar në Bari (Itali) që ta informonte atë për qëndrimin që mbanin qeveria dhe opinioni publik italian për dëmshpërblimin e Shqipërisë. Ajo shfaqi interes të veçantë për qëndrimin që mbante në atë kohë Komiteti Administrativ i ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë me qendër në Romë. Më 23 prill të vitit 1946 Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i përcolli Kryeministrisë relacionin e mbërritur nga Misioni Ushtarak Shqiptar në Bari. Thelbin e tij e përbënte kryeartikulli i gazetës “Corriere d’Informazioni”, botim i qarqeve financiare-industriale të Lombardisë, me titull: “Vajguri shqiptar dhe paqja jonë”. Artikulli vinte në dukje interesat e këtyre qarqeve në Shqipëri dhe në veçanti për fushat tona vajgurore. Sipas tyre nafta e Shqipërisë duhej të ishte sërish në duart e Italisë, e cila do ta përpunonte atë në rafineritë e Barit e të Gjenovës dhe pastaj do t’ua dorëzonte shteteve ballkanike (Jugosllavisë dhe Greqisë) për të shlyer dëmshpërblimet e luftës ndaj tyre.

Traktati i paqes me Italinë

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Enver Hoxha mbërriti në Paris më 18 gusht të vitit 1946 pas fillimit të punimeve të Konferencës së Paqes. Ai kishte në përbërjen e vet politikanë, këshilltarë dhe teknicienë. Delegacioni shqiptar kishte statusin e vëzhguesit. Ai do të ndiqte punimet dhe do të shfaqte pikëpamjet e tij për Traktatin e Paqes me Italinë pa të drejtën e votës. Shqipëria nuk bënte pjesë në radhët e 21 shteteve pjesëmarrëse që kishin statusin e “fuqisë aleate ose shoqe”.

Delegacioni grek i kësaj konference shfaqi konsiderata të skajshme ndaj Shqipërisë. Ai përsëriti publikisht tezën se Shqipëria ishte në “gjendje lufte me Greqinë”, pasi ajo i kishte shpallur luftë Greqisë në vitin 1940 së bashku me Italinë. Për këtë arsye ajo nuk duhej të merrte pjesë në punimet e kësaj konference. Ky ishte një pretendim absurd, sepse Shqipëria ishte shtet i pushtuar nga Italia dhe territori i saj u përdor kundër Greqisë fqinje në kundërshtim me dëshirën e popullit shqiptar.

Më 21 gusht të vitit 1946 Enver Hoxha foli në emër të qeverisë shqiptare. Ai e quajti të vonuar ftesën për qeverinë e tij, dhe statusin e delegacionit shqiptar në këtë konferencë si të padrejtë. E. Hoxha argumentoi domosdoshmërinë e marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia, duke paraqitur të dhëna të shumta për dëmet që i ishin shkaktuar vendit gjatë kohës së pushtimit italian. Ai propozoi që Shqipërisë t’i jepej statusi “fuqi shoqe”, por kjo nuk u miratua nga shumica e anëtarëve të Konferencës.

Në tetor të vitit 1946 Konferenca e Paqes së Parisit i përfundoi punimet pa e çuar deri në fund Traktatin e Paqes me Italinë. Konferenca nuk miratoi as propozimin e delegacionit jugosllav për t’i dhënë Shqipërisë 25.000.000 dollarë amerikanë, as propozimin francez për t’i dhënë asaj 5.000.000 dollarë amerikanë dhe as propozimin britanik për të mos i dhënë fare dëmshpërblime Shqipërisë. Kërkesa e delegacionit shqiptar për dëmshpërblime u kundërshtua nga delegacionet e ShBA dhe të Britanisë së Madhe, të cilët u shprehën se “humbjet e shqiptarëve mbuloheshin nga pasuritë italiane në Shqipëri, që ishin shtetëzuar pa shpërblim nga pushteti komunist”.

Pikëpamje të përafërt kishte edhe shefi i Misionit Civil Amerikan në Tiranë, Jozef Xhekobs (Joseph Jacobs), i cili i shprehte Departamentit të Shtetit (D.C.) mendimin se Shqipëria ka pak ose aspak të drejtë për ndonjë reparacion madhe se sa ajo ka sakrifikuar gjatë pushtimit dhe shkatërrimeve të luftës, kështu që problemet i zgjidh vetë”.

Delegacioni shqiptar nuk u pajtua as me propozimet e sipërpërmendura dhe as me propozimin francez për t’i dhënë Shqipërisë 5 milionë dollarë dëmshpërblime. Ai e quajti atë si propozim “të inspiruar nga mëshira”. Delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit kërkoi dëmshpërblime që arrinin në 3.544.332 000 fr. ari (1.161.000.000 dollarë amerikanë).

Përfundimi i Traktatit të Paqes me Italinë iu la Konferencës së ministrave të Jashtëm të katër fuqive aleate, që u mblodh në muajt nëntor-dhjetor të vitit 1946 në Nju-Jork. Pas miratimit në këtë konferencë Traktati i Paqes u firmos nga qeveritë e ShBA, BRSS dhe Britanisë së Madhe më 10 shkurt të vitit 1947 në Paris. Por ky dokument do të quhej i ligjshëm pas firmosjes së tij nga qeveritë e vendeve të dëmtuara dhe pas ratifikimit në parlamentet e këtyre shteteve. Qeveria shqiptare i drejtoi një notë të posaçme Këshillit të ministrave të Jashtëm më 25 tetor të vitit 1946, duke ritheksuar kërkesën e saj për ta trajtuar Shqipërinë si “fuqi shoqe” në zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë. Më në fund kërkesa e saj u miratua dhe Shqipëria e fitoi këtë status. Në këtë sesion u vendos gjithashtu që Shqipëria të përfitonte 5 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblime nga Italia. Kërkesa e qeverisë shqiptare për të marrë më shumë dëmshpërblime nga Italia do të përmbushej përmes kalimit të pronave italiane në Shqipëri në duart e saj.

Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë më 9 tetor të vitit 1947. Ai autorizoi qeverinë që të aderonte në të. Aderimi u bë më 20 tetor të vitit 1947.

Traktati i Paqes me Italinë u depozitua në Arkivin e Republikës Franceze. Neni 88 i këtij Traktati i hapi rrugën firmosjes së tij nga anëtarët e Kombeve të Bashkuara, që ishin në luftë me Italinë. Të drejtën e firmosjes sipas këtij neni e fitoi edhe Shqipëria (e cila përmendej veçmas të tjerëve), megjithëse ajo nuk ishte ende anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Pjesa e gjashtë e Traktatit trajtonte çështjen e reparacioneve që duhej të paguante Italia, rrugët dhe afatet e dhënies së tyre. Italia duhej që t’i jepte Shqipërisë 5 milionë dollarë amerikanë. Pagesat do të kryheshin gjatë 7 viteve të ardhshme, duke filluar nga koha e hyrjes në fuqi të këtij Traktati. Shlyerja do të bëhej përmes mallrave të ndryshëm me burim nga prodhimet e industrive italiane të luftës ose ato civile. Sasia dhe lloji i mallrave do të përcaktohej në marrëveshjet që do të nënshkruheshin në të ardhmen.

Ambasadorët e ShBA, Britanisë së Madhe, BRSS dhe Francës në Romë do të garantonin zbatimin e Traktatit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindnin midis vendeve fituese të luftës dhe shtetit italian.

Përveç shumës së 5 milionë dollarëve amerikanë, Shqipëria fitonte të drejtën e zotërimit të të gjitha pasurive që i përkisnin shtetit ose shtetasve italianë në Shqipëri. Këto pasuri ose të ardhurat e siguruara gjatë shlyerjes së tyre do të përdoreshin në interes të shtetit ose të shtetasve shqiptarë. Por shteti shqiptar ishte i detyruar që t’i kthente shtetit italian (neni 79) atë pjesë të pasurive italiane ose të ardhurat e shlyerjes së tyre, kur ato ishin në një masë të tillë, që i kapërcenin reklamimet e palës shqiptare. Pra, pjesë e pandarë e dëmshpërblimeve italiane për Shqipërinë ishin edhe pasuritë italiane në Shqipëri. Qeveria italiane detyrohej që të shlyente shtetasit e vet, pasuritë e të cilëve kalonin në interes të shteteve fituese të luftës.

Qeveria shqiptare as në këto vite dhe as më pas nuk i hyri ndërmarrjes së llogaritjes së vlerës së pasurive italiane në Shqipëri në tërësinë e tyre. Ajo e quajti të mbyllur këtë problem pasi i shtetëzoi ato në vitet e para të pasluftës. Llogaritja e tyre kërkonte kohë dhe njerëz, por mbi të gjitha mund të ndërlikonte çështjen e marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia.

Traktati i Paqes e detyronte Italinë që të rikthente në Shqipëri të gjitha sendet e grabitura para dhe gjatë luftës (restitucione). Qeveria shqiptare duhej që të hartonte listat e sendeve të grabitura në territorin shqiptar dhe t’ia paraqiste ato qeverisë italiane brenda 6 muajve nga koha e nënshkrimit të Traktatit. Listë-kërkesa e përpiluar nga qeveria shqiptare kishte me hollësi sendet e ndryshme të grabitura nga italianët. Ato u përkisnin fushave të arkeologjisë, artit, dokumenteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Punëve Botore, materiale të karakterit ushtarak, anije, motobarka etj. Një vend të rëndësishëm në këto listë-kërkesa zinin arkivat e legatave dhe të konsullatave shqiptare me qendër në Sofje, Beograd, Londër, Athinë, Bukuresht, Romë, Selanik, Bari, Gjenevë, Shkup, Vjenë, Berlin, Manastir etj. Vetëm kategoria e “restitucioneve” sipas qeverisë shqiptare arrinte vlerën 128.962.616 fr. ari ose 42.286.065 dollarë amerikanë. Fillimisht qeveria shqiptare kërkoi që t’i riktheheshin fizikisht objektet e grabitura, por në rastet kur ato nuk gjendeshin, i kërkoi qeverisë italiane kundërvleftën e tyre, sepse kjo zgjidhje parashikohej edhe në Traktatin e Paqes me Italinë.

Traktati i Paqes me Italinë i hapte rrugë njohjes së pronësisë për arin monetar shqiptar të transferuar nga italianët në Romë dhe të grabitur më vonë nga gjermanët në Itali. Qeveria italiane duhej që t’u kthente shteteve të dëmtuara nga lufta të gjithë “arin në monedhë të grabitur ose të transferuar pa të drejtë në Itali”.

Nënshkrimi i Traktatit të Paqes me Italinë ishte hap pozitiv dhe i vlefshëm për shtetin shqiptar. Në aspektin ekonomik dhe juridik ai njohu si prona të tij pasuritë italiane në Shqipëri, të cilat zinin vendin kryesor në kuadrin e kapitalit të huaj, por edhe në lidhje me kapitalin vendas në disa fusha të veçanta të tij. Ai “ligjëroi” një proces shtetëzimesh të ndërmarrë nga shteti komunist në vitet 1945-1946 ndaj kapitalit të huaj. Pra i dha bazë ligjore një procesi shtetëzimesh të bazuara në ligje të brendshme, praktikisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Gjithashtu ai i shtoi burimet e vendit, duke i siguruar Shqipërisë një burim ekonomik kompleks. Në aspektin ndërkombëtar Shqipëria fitoi statusin e një “fuqie shoqe”, duke u radhitur së bashku me vendet e tjera fituese të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë u krijua një bazë më e fortë për të konsoliduar pavarësinë kombëtare dhe për të ruajtur tërësinë tërësore të vendit. Traktati i Paqes me Italinë i nxiti të dy vendet që të fillonin traktativat për të vendosur marrëdhënie diplomatike, të cilat përfunduan në maj të vitit 1949.

Ratifikimi i Traktatit të Paqes

Ratifikimi i Traktatit të paqes nga qeveria shqiptare i hapi rrugën zbatimit të tij. Por për disa vjet rresht ky proces mbeti në gjendje të ngrirë. Kufiri kohor 7-vjeçar i projektuar për zbatimin e tij u kapërcye. Qeveria italiane e zvarriti atë, duke paraqitur herë pas here kërkesa dhe pretendime që zëvendësonin njëra-tjetrën. Qeveria shqiptare u mundua të përfitonte sa më shumë nga klauzolat e këtij Traktati. Shumën e 5 milionë dollarëve ajo e quajti tepër të vogël. Sipas saj kjo shumë nuk i përgjigjej dëmeve që i ishin shkaktuar vendit dhe nuk merrte parasysh, sidomos në sytë e opinionit publik në Shqipëri, vlerën e pasurive italiane në Shqipëri.

Zbatimi i Traktatit të Paqes me Italinë përkoi në aspektin kohor me kulmin e Luftës së Ftohtë në Shqipëri. Operacionet e fshehta të nisura nga shtetet fqinje (Itali, Greqi, Jugosllavi) në vitet 1949-1954 drejt Shqipërisë, me mbështetjen e ShBA dhe të Britanisë së Madhe, të cilat synonin të godisnin dhe të rrëzonin diktaturën komuniste të Tiranës, e vështirësuan shumë zbatimin e Traktatit të Paqes.

Gjatë viteve 1948-1953 nuk u ndërmorën hapa konkrete për zbatimin e Traktatit të Paqes. Organizmat e reparacioneve të luftës, të krijuara nga qeveria shqiptare në këto vite, u morën kryesisht me çështjen e dëmshpërblimeve gjermane. Çështja e dëmshpërblimeve italiane nuk e kaloi kuadrin organizativ. Qeveria shqiptare riorganizoi Komisionin e Reparacioneve të Luftës, të atashuar pranë Komisionit të Planit të Shtetit. Gjatë kësaj kohe ai u mor me dokumentimin e hollësishëm të dëmeve të luftës dhe me hartimin e listë-kërkesave që do t’i paraqiteshin qeverisë italiane. U hartuan statistika të hollësishme për mallrat e tregtarëve shqiptarë të mbetur në Itali. Dokumentacioni arkivor dhe deklaratat e tregtarëve shqiptarë provonin se në Itali ishin prokuruar mallra që vlerësoheshin 39.539.984 lira italiane dhe 165 499 franga shqiptare. Mbi 95 për qind e këtyre shumave ishte paguar nga tregtarët shqiptarë, por mallrat nuk kishin mbërritur në Shqipëri.

Listë-kërkesa të hollësishme u hartuan për objektet dhe sendet e grabitura nga italianët në Shqipëri. Kërkesat e përgatitura nga qeveria shqiptare arritën shumën prej 5 milionë dollarësh, që Traktati i Paqes i njohu si dëmshpërblim Shqipërisë.

Qeveria shqiptare filloi të kontaktonte me qeverinë italiane për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet tyre në përputhje me Traktatin e Paqes. Por qeveria italiane nuk i pranoi bisedimet në rang delegacionesh, duke paraqitur pretendime të ndryshme. Ajo fillimisht kërkoi që të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike dhe pastaj të diskutohej për dëmshpërblimet. Kur kjo kërkesë u përmbush me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në pranverën e vitit 1949 ajo ngriti çështje të tjera. Ajo i kërkoi qeverisë shqiptare që të llogariste vlerën e përgjithshme të pasurive italiane në Shqipëri. Pas kësaj ajo kërkoi shpjegime për trajtimin juridik dhe ekonomik që qeveria shqiptare u kishte bërë specialistëve italianë pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator të vitit 1943.

Qeveria italiane këmbënguli për çështjen e vlerësimit të pasurive italiane në Shqipëri, sepse kishte shpresa që vlera e tyre do t’i kapërcente pretendimet e qeverisë shqiptare dhe si rrjedhojë ajo nuk do t’ia kthente Shqipërisë 5 milionë dollarët e përcaktuar në Traktatin e Paqes.

Qeveria shqiptare fillimisht i kundërshtoi pretendimet e qeverisë italiane. Ajo iu referua neneve 29 dhe 79 të këtij Traktati, që ia kalonin shtetit shqiptar pasuritë italiane që ishin në territorin e tij, me përjashtim të ndërtesave të zëna nga misionet diplomatike, konsullore dhe fetare. Më vonë qeveria shqiptare bëri një tërheqje të pjesshme. Ajo u detyrua të pranonte kërkesën e qeverisë italiane, duke shprehur gatishmërinë për të vlerësuar pasuritë e shtetasve italianë në Shqipëri. Por ajo nuk pranoi që të përfshinte në këtë proces edhe pasuritë shtetërore italiane.

Qeveria italiane e pranoi këtë variant, duke menduar se vlera e këtyre pasurive do t’i kapërcente pretendimet e qeverisë shqiptare për dëmshpërblime nga Italia. Më 30 gusht të vitit 1950 Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi të krijonte një komision të posaçëm, i cili do të merrej me vlerësimin e pasurive të shoqërive private italiane në Shqipëri. Komisioni kishte në përbërjen e tij 5 veta (kryesisht ushtarakë). Pranë dikastereve u ngritën nënkomisione të posaçme për këtë qëllim. Realizimi i studimit të lartpërmendur do të arrihej përmes bashkëpunimit të ngushtë me Institutin e Shkencave dhe me Komitetet Ekzekutive. Studimi duhej të përfundonte brenda një periudhe 4-5-mujore.

Gjatë bisedimeve midis delegacioneve të të dy vendeve secila palë paraqiti dokumentacionin e vet. Delegacioni italian iu referua edhe dokumenteve të siguruara nga agjencitë italiane të transportit detar dhe ajror. Por dokumentacioni që paraqiti pala shqiptare ishte më i plotë dhe më bindës. Ai provonte se vlera e pasurive private italiane në Shqipëri nuk i përmbushte pretendimet e qeverisë shqiptare.

Atëherë qeveria italiane paraqiti në tryezën e bisedimeve propozime të reja. Duke u bazuar në nenet 29 dhe 76/6 të Traktatit të Paqes, ajo i kërkoi qeverisë shqiptare që t’i kthente asaj ndërtesat e selive dhe të komisioneve diplomatike, konsullore, fetare dhe filantropike në Shqipëri ose kundërvlerën e tyre. Qeveria italiane kërkoi gjithashtu që t’i njihej e drejta e pronësisë për kabllot nëndetare që lidhnin dy vendet tona. Qeveria italiane kishte llogaritur paraprakisht se vlera e këtyre pasurive do të arrinte afërsisht 5 milionë dollarë amerikanë, nga e cila 2,8 milionë dollarë amerikanë ishte vlera e ndërtesave të zëna nga misionet konsullore e diplomatike dhe 2 milionë dollarë amerikanë, ishte vlera e ndërtesave të misioneve fetare e filantropike.

Qeveria shqiptare fillimisht nuk e pranoi këtë pretendim të qeverisë italiane. Ajo iu përmbajt idesë se misionet italiane në Shqipëri pavarësisht nga natyra e tyre ishin angazhuar plotësisht dhe haptazi në shërbim të pushtuesve fashistë dhe për këtë arsye ndërtesat e tyre duhet të quheshin si prona të shtetit shqiptar. Delegacioni i qeverisë italiane nuk e pranoi argumentimin e bërë nga qeveria shqiptare. Në këto rrethana kjo e fundit u tërhoq. Të dy palët pranuan idenë e kompensimit të ndërtesave italiane në Shqipëri, vlefta e të cilave arrinte shumën e 2,4 milionë dollarëve amerikanë. Si rrjedhojë qeveria italiane detyrohej t’i kthente Shqipërisë 2,6 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblime dhe jo 5 milionë dollarë amerikanë siç ishte përcaktuar në Traktatin e Paqes.

Gjatë bisedimeve qeveria italiane ngriti edhe çështjen e huave që i ishin dhënë qeverisë shqiptare para pushtimit. Me anën e këtij pretendimi qeveria italiane synonte që të shmangte kërkesën e qeverisë shqiptare për t’i kthyer arin monetar të grabitur nga gjermanët. Qeveria italiane kishte paraqitur pranë organizmave ndërkombëtarë kërkesën e saj zyrtare për pronësinë e arit monetar shqiptar.

Çështja e borxheve italiane që kishin marrë qeveritë zogiste ishte një pikë delikate dhe e diskutueshme. Secila palë u mundua të mbronte tezën e vet, duke iu referuar neneve të veçanta të Traktatit të Paqes. Qeveria shqiptare u mbrojt me argumentet se huat italiane kishin pasur karakter skllavërues dhe se ato kishin përgatitur pushtimin italian të Shqipërisë më 7 prill të vitit 1939. Së fundi pala italiane u tërhoq nga ky pretendim.

Delegacioni italian shtroi për diskutim çështjen e trajtimit juridik dhe ekonomik që qeveria shqiptare u kishte bërë punëtorëve dhe specialistëve italianë në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë. Në Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë, mbetën mijëra specialistë italianë të fushave të ndryshme, civile dhe ushtarake. Pas mbarimit të luftës pjesa më e madhe e tyre u riatdhesua, ndërsa qindra të tjerë vazhduan të punonin në ndërmarrjet italiane në Shqipëri. Kjo kategori qëndroi edhe disa vjet në Shqipëri, duke u zëvendësuar më vonë nga specialistë të vendeve komuniste të Evropës Lindore. Qeveria shqiptare i trajtoi ata ndryshe nga specialistët e vendeve socialiste, duke i quajtur “pjesë e pandarë e ushtrisë pushtuese italiane dhe robër lufte”. Qeveria shqiptare nuk i lejonte ata që t’u dërgonin familjeve të tyre në Itali më tepër se 1/3 e pagës mujore. Në vitin 1950 Banka e Shtetit Shqiptar bllokoi padrejtësisht depozitat e specialistëve italianë (tashmë të riatdhesuar), të cilat arrinin në 150.000 dollarë amerikanë. Me gjithë këto çështje që ekzistonin ndërmjet dy vendeve, procesi i marrjes së dëmshpërblimeve nga Italia ishte i pakthyeshëm.

Në vitin 1953, pas një periudhe të pafrytshme, u zhvilluan bisedime të një niveli të lartë. Fillimi i normalitetit u pasqyrua edhe në marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve. Sasia e shkëmbimeve tregtare me Italinë në vitin 1954 arriti 1.259.200 dollarë amerikanë. Bisedimet shqiptaro-italiane për arritjen e marrëveshjes që rridhte nga Traktati i Paqes me Italinë përsëri u zgjatën. Ministria e Jashtme e Shqipërisë komunikonte në mënyrë të vazhdueshme me Kryeministrinë, me Komitetin Qendror të PPSh dhe me Byronë Politike për ecurinë e bisedimeve shqiptaro-italiane.

Më 8 shtator të vitit 1956 Legatës Shqiptare në Romë iu dorëzua projekti i tretë i marrëveshjes që u përgatit nga qeveria italiane. Ky projekt iu kthye qeverisë italiane pasi u amendua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ministria e Tregtisë dhe Banka e Shtetit Shqiptar.

Më 22 qershor të vitit 1957 u nënshkrua në Romë marrëveshja “për rregullimin e çështjeve që rridhnin nga Traktati i Paqes i nënshkruar në Paris më 10 shkurt të vitit 1947 midis fuqive aleate e shoqe dhe Italisë”. Në emër të qeverisë shqiptare firmosi Nesti Nase, ndërsa për qeverinë italiane Alberto Falchi. Marrëveshja shoqërohej nga dy anekse: i pari kishte listën e mallrave që Italia duhej t’i dorëzonte Shqipërisë dhe i dyti kishte listën e objekteve dhe të sendeve të grabitura nga italianët. Këto të fundit duhej t’i ktheheshin Shqipërisë jo më vonë se 3 muaj pas ratifikimit të marrëveshjes.

Qeveria italiane merrte përgjegjësinë për t’i dhënë Shqipërisë shumën prej 2,6 milionë dollarësh amerikanë si dëmshpërblim lufte. Kjo shumë do të jepej në trajtë mallrash, të ndara në katër këste. Kësti i parë prej 1 milion dollarësh amerikanë do të jepej 45 ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes; kësti i dytë (600 mijë dollarë amerikanë) 1 vit më pas; kësti i tretë (500 mijë dollarë amerikanë) 1 vit e gjysmë më vonë dhe i fundit (500 mijë dollarë amerikanë) 2 vjet pas marrëveshjes së lartpërmendur.

Zbatimi i saj e bënte të detyrueshëm nënshkrimin e kontratave të veçanta midis Ministrisë së Tregtisë dhe firmave italiane. Qeveria shqiptare duhej që të vinte në dispozicion të qeverisë italiane dokumentacionin që ajo kishte për pronat e shtetasve italianë në Shqipëri, sepse qeveria italiane ishte e detyruar që t’i shlyente ata. Shteti italian, sipas artikullit 13 të kësaj marrëveshjeje, detyrimisht duhej të bashkëpunonte me shtetin shqiptar për të identifikuar dhe saktësuar vlerën reale të mallrave të porositur prej tregtarëve shqiptarë në Itali para muajit shtator të vitit 1947. Kjo klauzolë nuk u shërbeu tregtarëve shqiptarë, por shtetit shqiptar, i cili i pronësoi mallrat e tyre.

Marrëveshja me Italinë u ratifikua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë më 19 tetor të vitit 1957 dhe pastaj ajo filloi të zbatohej. Qeveria italiane fillimisht dorëzoi objektet e grabitura dhe më pas filloi të shlyente dëmshpërblimet e luftës.

Lista e mëvonshme e mallrave që u paraqit nga qeveria shqiptare pranë qeverisë italiane kishte disa ndryshime të pjesshme nga lista që shoqëronte marrëveshjen.

Në korrik të vitit 1958 qeveria shqiptare kishte kontraktuar në Itali mallra të ndryshme, të cilat vlerësoheshin 2 380 860 dollarë amerikanë. Shumicën e tyre e zinin mjetet e transporteve tokësore e detare, makineritë bujqësore, tekstile, ndonjë dragë ose vapor etj.

Qeveria italiane zbatoi me rigorozitet klauzolat e marrëveshjes së arritur në qershor të vitit 1957. Më 30 qershor të vitit 1960 qeverisë shqiptare i ishin dhënë prej Italisë 2.584.000 dollarë amerikanë furnizime në kuadrin e dëmshpërblimeve të luftës. Me sjelljen e 16 mijë dollarë amerikanë mallra të tjera në Shqipëri, çështja e dëmshpërblimeve u quajt e mbyllur nga qeveritë e të dy vendeve. Italia hoqi dorë edhe nga pretendimi i saj për pronësinë e arit monetar të Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Në vitet 60-70 u vu re një përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve shqiptaro-italiane. U rrit niveli i shkëmbimeve tregtare, por ato përgjithësisht mbetën të kufizuara. Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në vitin 1961 dhe largimi i tyre nga baza ushtarake e Vlorës krijoi premisa për normalitet në marrëdhëniet me Italinë. Në tetor të vitit 1961 Sekretariati i KQ të PPSh mori vendim që në Itali të dërgohej një delegacion tregtar. Në vitin 1962 delegacioni tregtar shqiptar vizitoi Italinë, por përfundimet ishin të vogla. Qeveria italiane i ofroi qeverisë shqiptare kredi për ta financuar ekonominë e vendit, por qeveria shqiptare nuk i pranoi ato.

Prof. Hamit Kaba

Bota Shqiptare 202-203

Elvira Dones: “Shtëpia ime është gjithë bota”

Dhimitër Anagnosti, kinemaja si ndërgjegje