in

Shqipëria do të përdorë një pjesë të borxhit që i ka Italisë për projekte zhvillimi

Nënshkruhet sot një marrëveshje që mundëson përdorimin nga anë e Shqipërisë së një pjese të borxhit (deri në 20 milionë euro) që i ka Italisë për realizimin e projekteve për zhvillim në fushat e arsimit, shëndetit dhe të gjenerimit të punësimit

Tiranë, 24 gusht 2011 – Në ambientet e Ministrisë së Financave të Shqipërisë në Tiranë, ministri Ridvan Bode dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, në emër të qeverive përkatëse, nënshkruan të mërkurën marrëveshjen që i hap rrugë Programit të konvertimit të një pjese të borxhit që vendi ynë ka ndaj Italisë dhe që është parashikuar në Protokollin e bashkëpunimit dypalësh. Të pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishin edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe Kryetari i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim i Ambasadës Italiane, Aldo Sicignano.

Ministri i Financave Bode, duke bërë të ditura detaje të marrëveshjes, tha se një pjesë e borxhit që Shqipëria ka ndaj Italisë deri në shumën 20 milionë euro, për disa kredi të akorduara nga qeveria italiane, nuk do t’i paguhen kësaj të fundit por do të depozitohen në një Fond të veçantë. Fondi do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga te dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit punësimit.

Referuar marrëveshjes, pagesat në këtë fond do të bëhen në njëmbëdhjetë këste. Secili këst konvertohet në lek, sipas kursit të këmbimit të dhënë nga Banka e Shqipërisë në datën e depozitimit të këstit. Kësti i parë që do të ketë vlerën 500.000 euro, do të depozitohet në këtë fond brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e Marrëveshjes. Dhjetë këstet pasuese gjashtëmujore, secili me vlerën prej 1,95 milionë euro, do të depozitohen më 31 tetor dhe 30 prill për pesë vjet rresht.

Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët Menaxherial, i cili do të përbëhet nga ministri i Financave ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga përfaqësuesit e Departamentit të Strategjisë dhe Bashkërendimit të Donatorëve pranë Këshillit të Ministrave dhe Ministri të tjera përkatëse; ambasadori italian në Shqipëri ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga anëtarët e Zyrës Italiane të Bashkëpunimit dhe/ose MFA-DGDC.

Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet që nga çasti i depozitimit të këstit të fundit në llogarinë e fondit. Fondet e krijuara nga depozitimi i kësteve të borxhit për kreditë ekzistuese, dhe të përdorura për projektet përkatëse, do të konsiderohen si shuma borxhi të shlyera kundrejt Qeverisë së Republikës së Italisë. Fondet e papërdorura deri në afatin e vendosur prej dy vjetësh, do t’i kthehen Qeverisë Italiane.

 

Ekstradohet nga Italia i dënuari me 16 vjet burg për vrasje

Universitetet italiane{br}Sot afati i fundit për marrjen e vizave të hyrjes