Istituti Italian i Kulturës mbyll aktivitetet për 100 vjetorin e Pavarësisë me ekspozitën e stampave fotografike me titull ‘Peizazhe të Shqipërisë, Vështrimi i gjeografëve dhe udhëtarëve italianë në gjysmën e parë të shekullit XX’, nga Arkivi i Shoqërisë së Gjeografisë italiane dhe dokumentarin e Roland Sejkos “Shqipëria, vendi përballë”.
Tiranë, 8 dhjetor 2012 – Foto të rralla të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit të shkuar, të zbuluara në Arkivat e Shoqërisë së Gjeografëve Italianë, janë pjesë e ekspozitës së çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar. Mes 500 fotografive të rralla, që publikohen për herë të parë, ka peizazhe që dëshmojnë për mënyrën e jetës, si kanë qënë qytetet, rrugët, njërëzit, veshjet e gjithçka tjetër, e prezantuar bardh e zi.
Në ekspozitën “Portrete dhe peizazhe të Shqipërisë”, publiku mund të zbulojë Shqipërinë dhe shqiptarët sipas studiuesve dhe gjeografëve italianë, Antonio Baldaçi (1867-1950), Roberto Almagià (1884 -1962), Aldo Sestini (1904-1988) dhe Bruno Castiglioni (1898-1945).
Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor, organizohet nga Shoqëria e Gjeografëve Italianë dhe nga Instituti i Kulturës, në bashkëpunim me Muzeun Historik në Tiranë, nën kujdesin e Ambasadës italiane dhe Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Pasi ekspozita të mbyllet fotografitë do të qëndrojnë në Shqipëri, pjesë e Arkivit të Shtetit.
Në MHK u projektua dje edhe dokumentari i Roland Sejkos “Shqipëria, vendi përballë”, i realizuar më 2009-tën që sjell nëpërmjet imazheve të panjohura të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, historinë e Shqipërisë së viteve ‘900, histori e lidhur ngushtë me Italinë. Dokumentari do të prezantohet më tej në Shkodër, Vlorë dhe në qytete të tjera të vendit.