Stadiumi Ullevaal, Oslo
Kualifikuese për “Botërorin 2014″, grupi E
Norvegji-Shqipëri 0-1
Golat: Salihi 67′
NORVEGJIA: R.Jarstein, Høgli, Forren, Hangeland, J.Riise, Søderlund (V.Berisha 74′), M.Henriksen, Nordtveit, R.Jenssen, Elyounoussi (King 62′), Moa. Trajner: E.Olsen
SHQIPËRIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80′), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi,Salihi, Cani (Bogdani 75′). Trajner: De Biasi
Gjyqtarë: Kevin Blom, Rob Van De Ven, Dave Goossens (Hollandë)
Kartonë të verdhë: Forren 53′/ Roshi 43′, Cana 77′, Lila 85′, Agolli 90+3′
Karton i kuq: Lila 88
Ndeshje e jashtëzakonshme e Shqipërisë në Ullevaal. Me një gol të mrekullueshëm të shkodranit të sulmit ekipi përfaqësues merr tri pikë në transfertë duke qenë potencialisht pretendentë për në Botëror
Shqipëria ngrin Oslon. Një kryevepër e Salihit na bën të ëndërrojmë. Fitojmë kundër Norvegjisë falë një goli në minutën e 67-të të shkodranit, duke çuar skuadrën në vendin e dytë.
Një fitore e jashtëzakonshme, meritë e gjithë skuadrës dhe në veçanti e dyshes Salihi-Berisha. I pari për golin dhe i dyti për murin që ka ngritur pas minutës së 67-të, duke shpëtuar në tre raste portën tonë. Një kryevepër që na bën të ëndërrojmë falë një 90 minutëshi të jashtëzakonshëm falë të gjithëve dhe trajnerit Xhani De Biazi i cili e kishte fituar këtë ndeshje që në letër.
Një ndeshje që tregon se Shqipëria nuk dorëzohet. Është aty dhe do të luftojë me Islandën dhe Norvegjinë deri në fund të 10 ndeshjeve eliminatore. Ndoshta kemi fat dhe e realizojmë dëshirën tonë. Biletën për Botëror. Gjithsesi janë edhe pesë takime e rinisim nga këtu ku e lamë kundër Norvegjisë në Tiranë.
Ndeshja
Ashtu siç pritej Xhani De Biazi ka hedhur në fushë formacionin që kishte deklaruar edhe më parë me Bashën në fushë nga minuta e parë dhe Salihin e Çanin në sulm të mbështetur nga Andi Lila dhe Roshi që luan në të majtë dhe jo të djathtë si zakonisht. Që në fillim duket se kuqezinjtë janë në ditën e tyre. Nga ana tjetër Olsen ka hedhur një skuadër që nuk ka shumë fantazi në sulm, por mundohet që të ndëshkojë kundërshtarin në shtëpi me anë të kundërsulmit.
Rasti i parë i ndeshjes për Salihin që me roveshatë për pak sa nuk shënon. Pesë minuta më vonë janë vendësit që mundohen të shfrytëzojnë një gabim tonin, por topi kalon gjithë pasqyrën e portës e ndalet në anësore. Ndeshja në minutat e para është një miks sulmesh e kundërsulmesh nga të dy ekipet, por që nuk kanë ndonjë rezultat. Skuadra jonë i afrohet portës por nuk arrin të rrezikojë seriozisht.
Jemi në një moment ku skuadra jonë kontrollon dhe drejton ritmin e lojës. Vendësit nga ana e tyre mundohen që të shfrytëzojnë. Por minuta e 27-të është e pafat për ne. Pas një aksioni vertikal të Lilës që kroson në qendër e Basha i vetëm me portierin bën të pamundurën, nxjerr topin jashtë, ndonëse kishte rastin më të artë për të kaluar skuadrën në avantazh. Mëkat ndërsa stafi kuqezi nuk u beson syve.
Në minutën e 37-të vendësit kanë një rast për të shënuar, por është Dallku që shpëton portën, teksa nuk lejon që topi i goditur nga Elyounousi të ndalet në portën e Berishës. Është një ndeshje e barabartë. Më kot disa sulme në fund të vendësve. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0.
Edhe pjesa e dytë nis vrullshëm për tanët. Të dy trajnerët nuk kanë optuar për zëvendësime. Gjithsesi edhe miqtë nuk janë më të përgjumur. Minuta e 54-rt dhe Shqipëria pretendon për një penallti. Çani filtron një top për Bulkun në zonë e mesfushori futet menjëherë, por në momentin final shtyhet nga një mbrojtës. Penallti kërkojnë tanët por që nuk akordohet nga gjyqtari i ndeshjes.
Është minuta e 67-të dhe Shqipëria kalon në avantazh me anë të Salihit. Një supergol që shokon norvegjezët dhe çmend nga gëzimi tifozët e shumtë kuqezinj. Është një gol i jashtëzakonshëm. Faktikisht ka qenë një skemë sepse Bulku nga këndi çon topin tek shkodrani që tek zona e 16-es i vetëm pa e parë dërgon një top të kalibruar në portën mike dhe 1-0. Gol shumë i bukur dhe Shqipëria është në avantazh në Oslo. Minuta e 73-të e tjetër aksion i bukur i kombëtares tonë. Lila kroson nga e djathta, Çani ul topin me kokë në zonë për Salihin, por topi i goditur prej shkodranit përfundon jashtë. Vendësit kanë një rast të artë në minutën e 77-të për të barazuar por është Berisha ai që nuk e lejon të preket porta e tij. Më pas është një lojë e jashtëzakonshme e gjithë skuadrës tonë që në mbrojtje nuk mposhtet. Fat i keq për Andi Lilën që del me karton të kuq në minutën e 85-të sërish nga gjyqtari Bloom. Por edhe pse me 10 vetë arrijmë të administrojmë lojën dhe veç golit të Salihit heroi është Etrit Berisha. Në minutën e 92-të ai shpëton portën pasi Henriksen del i vetëm përballë tij. Nuk ka më kohë. Shqipëria fiton në transfertë, një ndeshje të madhe, kundër një nga skuadrave më të forta të grupit. Tre pikë mbrëmë dhe 9-të gjithsej në pesë ndeshje, tani Shqipëria është e dyta në renditje. Ëndrrat e Botërorit, tani le të dalë nga sirtari. Keni mundësi ta bëjmë realitet Botërorin e Brazilit.
Marrë nga Sporti Shqiptar
Lexo më shumë në: Salihi ngrin Oslon, gdhihemi të dytët