Nga gara brenda PD-së për zgjedhjen e kryetarit te rritjet e rrogave. Çështjet më të rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri gjatë javës që mbyllet.
Tiranë 7 korrik 2013 – Gjatë javës që po mbyllet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, vijon të miratojë qark pas qarku, nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve të 23 qershorit pa arritur ende të japë rezultatin final.
Në fillim të kësaj jave, kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë festimit të përvjetorit të themelimit të kësaj partie, tha se mandati i 23 qershorit është një mandat për të modernizuar Shqipërinë, që ajo të shihet me respekt në Europë dhe në Ballkan. Shqiptarët, tha ai, nuk votuan për të ndryshuar thjesht qeverinë, po vendin ku jetojmë, jetën e tyre në këtë vend dhe vetë politikën e këtij vendi.
Gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se e majta ka shansin të bëjë historinë, nëse nuk dëshiron të ndëshkohet pas katër vjetësh si kundërshtarët e saj të djathtë. Rama nënvizoi faktin se mbështetja e madhe e marrë në zgjedhjet e 23 qershorit përbën një përgjegjësi shumë të lartë. Duke paraqitur disa nga përparësitë urgjente të qeverisë së re, ai bëri të ditur se do të realizojë auditimin ndërkombëtar të të gjithë sistemit, veçanërisht të atij financiar.
Ndërkohë, Partia Demokratike, pas humbjes në zgjedhje, ka hapur garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, pas dorëheqjes së Sali Berisha. Demokratët vendosën të votojnë për kryetarin e tyre më 22 korrik sipas parimit ‘një anëtar një votë’ mes dy kandidaturave, kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Që të shtunën kandidatët kanë nisur fushatën e tyre mes bazës së PD-së në rrethe. Basha në Elbasan e cilësoi “akt historik” tërheqjen e Berishës por “përgjegjësia e humbjes është e gjithësecilit prej nesh” shtoi ai. Lidhur me mazhorancën fituese të zgjedhjeve tha: “Kemi përballë një mazhorancë të një vote të deformuar. Nuk e vë në dyshim rezultatin, por legjitimitetin. Kjo mazhorancë do të jetë prepotente. Ajo së shpejti do të na shfaqet në opozitë të hapur me interesin publik. Këtu duhet që PD të jetë një opozitë e fortë”. Në Fier, Olldashi u shpreh “ne i humbën zgjedhjet, por është e domosdoshme të analizojmë arsyen e vërtete. Përgjegjës për humbjen nuk është Berisha, por të gjitha strukturat e partisë, duke nisur nga ministrat e deri tek militantët”. Ndërsa për garën me Bashën tha se “do t’i shërbejë Partisë Demokratike dhe strukturave të saj dhe për këtë duhet që të ngremë themelet për fitoret e ardhshme”.
Në aspektin ekonomik, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rritjen e pagës minimale me 11,3% për punonjësit e administratës. Kreu i qeverisë vuri në dukje se në përputhje me Konventat Ndërkombëtare, konventën numër 26 të ILO-s, niveli i pagës minimale është i detyrueshëm për të gjithë punëdhënësit shtetas dhe jo shtetas shqiptarë në Republikën e Shqipërisë. Sipas Kryeministrit, kjo rritje pagash përmirëson raportet e pagave brenda piramidës së administratës. “Është një vendim i mandatit të katërvjeçarit që po mbaron dhe nuk mund të mbetet pa u miratuar. Fjala e dhënë është fjalë e mbajtur”, deklaroi Kryeministri, gjë që i është kontestuar nga mazhoranca e re se po e bën pas “skadimit” të afatit të tij dhe pa pasur legjitimitet, në kushtet e një humbjeje të thellë.
“Në kushtet ekonomike të vendit ky vendim është kulmi i papërgjegjshmërisë. Çfarë janë duke bërë me financat e vendit këta qeveritarë të përkohshëm?! Pse nuk u kujtuan këta qeveritarë për “premtimet e mbajtura” të rritjes së rrogave para datës së zgjedhjeve (23 qershor) por kujtohen tani pasi i kanë humbur ato?!” shkruan Pandeli Majko në profilin tij Facebook. I përgjigjet Berisha në të njëjtit shesh virtual: “Protesta e rrogëlartëve në krye të PS-së për rritjen nga qeveria të rrogave të ulëta me 11.3% është fytyra e “dhimbsur” e mazhorancës së re!!! Fali Zot se nuk dinë ç’thonë!”.
Në mbledhjen e të enjtes, Këshilli Kombëtar i Territorit, mori në shqyrtim dhe miratoi, ndër të tjera, Planin Kombëtar Sektorial për gazsjellësin TransAdriatik (projekti TAP). Ky plan përbën edhe dokumentin final të autoriteteve shqiptare për konsorciumin që ndërton këtë gazsjellës në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në pjesën detare të saj.
Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit miratoi edhe lejen e ndërtimit për një kaskadë HEC-sh në lumin Curraj i Epërm. Në një kaskadë 1.400 metra mbi nivelin e detit, parashikohet të ndërtohen 11 HEC-e të vegjël, që do të kenë një prodhim prej mbi 100 megavat energji elektrike. Gjithashtu KKRTSH miratoi dhe dy leje të rëndësishme për zhvillimin e HEC-eve Langarica 1 dhe 2 në qarkun e Gjirokastrës. (Sipas ATSh)