Nga autorët bashkëkohorë shqiptarë në gjuhën italiane te udhërrëfyesit turistikë mbi Shqipërinë, nga “Ilirët” e arkeologut Neritan Ceka te “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit. Organizuesi Benko Gjata: “Prania jonë në Sallonin e Librit për të njohur publikun e gjerë të panairit jo vetëm me historinë e letërsinë shqiptare por edhe me bukurinë e një vendi ku të mund të kalosh pushime të paharrueshme”
Edhe këtë vit, Shqipëria do të ketë një stendë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, panair ndër më të rëndësishmit e më të mëdhenjtë në Evropë, që do të mbahet nga 8 deri në 12 maj. Pjesëmarrja e këtij viti është bërë e mundur falë iniciativës së Qendrës së Kulturës Shqiptare, shoqatë kulturore e drejtuar nga gazetari Benko Gjata, që ashtu si vitin e shkuar është përkujdesur për të gjitha detajet, nga sigurimi i librave, organizimi i stendës deri te përpjekjet për të siguruar pjesëmarrje sa më të madhe vizitorësh.
Protagonistët e hapësirës ekspozuese do të jenë shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë si Ismail Kadaré, Anilda Ibrahimi, Ardian Kristian Kyçyku, Elvira Dones, Fatos Kongoli, Gëzim Hajdari, Ornela Vorpsi, Visar Zhiti, Ylljet Alicka, që kanë shkruar apo janë përkthyer në italisht nga shtëpi botuese si Einaudi, Feltrinelli, Longanesi, Tea, Besa, Controluce, Zandonai o Fandango. Në këtë edicion të panairit që ka si të ftuar nderi Vatikanin, në stendën shqiptare një vend të veçantë do të zërë prezantimi i veprës “Rrno për me tregue” i at Zef Pllumit, që pak muaj më parë është sjellë në gjuhën italiane nga Keda Kaceli me titullin “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare”. Gjithashtu, gjatë ditëve të panairit do të prezantohet edhe botimi i fundit në gjuhën angleze e vëllimit Ilirët i arkeologut, sot ambasador i Shqipërisë në Romë, Neritan Ceka.
“Mbështetur në përvojën pozitive të vitit të shkuar e duke mësuar nga ndonjë problem që patëm, këtë vit organizuam pjesëmarrjen shqiptare duke përqendruar punën tonë në disa aspekte” – thotë Gjata për Shqiptariiitalise.com, që shpjegon për shembull se këtë herë nuk do të ketë takime me autorë, pasi nga përvoja e vitit të shkuar pa se numri shumë i lartë i aktiviteteve të tilla gjatë ditëve të panairit bën që pjesëmarrja në to të jetë e ulët.
“Duke e ditur që integrimi e kurioziteti për letërsinë nis në bankat e shkollës, jemi lidhur me disa institute shkollore për të pasur gjatë ditëve të panairit vizita të organizuara të stendës nga grupe nxënësish të cilëve persona të kualifikuar do t’u flasin mbi letërsinë por edhe kulturën e traditat shqiptare”.
Salloni i Librit ka rreth 250 mijë vizitorë, një publik i gjerë, të cilit veç letërsisë mund t’i shpalosen edhe mundësitë turistike që ofron vendi ynë. “Në këtë aspekt kemi bashkëpunuar me Agjencinë Kombëtare të Turizmit – shpjegon Gjata – dhe do kemi në stendë udhërrëfyes e albume të ndryshme turistike, ndërsa në katër panelet e mëdha të hapësirës sonë do të ekspozojmë imazhe nga Shqipëria”.
Nuk do të mungojnë as librat në gjuhën shqipe. “Por vetëm 150 titujt që janë të pranishëm në bibliotekat e qytetit, në mënyrë që vozitorët shqipfolës të stendës sonë të dinë se mund të gjejnë falas në bibliotekën e lagjes një libër në gjuhën shqipe, për vete apo fëmijët”.
Faqet internet të Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino