in

Shqipëria në Venedik

nga Lucia Nadin

Statutet e Qytetit të Shkodrës, Venezia, Biblioteca Museo Correr
“Fryt paqeje”. Kështu e komentonte Giovanni Grevembroch imazhin e tregtarëve shqiptarë në Venedik në repertorin e tij të çmuar të jetës dhe zakoneve: Gli abiti de veneziani di quasi  ogni età, që bëhet edhe më i rëndësishëm meqë është përgatitur në shtatëqindën e vonë, kur jeta në Republikën e Shën Markut shkonte drejt perëndimit. Tregtarët shqiptarë, nënvizonte ai, si “nënshtetas së Shtëpisë së fuqishme otomane” kishin “hyrje dhe vendqëndrim të siguruar në Sinjori”. Gjithnjë të pranishëm në qytete për shkak të tregtive të tyre, nuk ngurronin të ndaleshin me dëshirë në Shën Mark “nën fytyrën e fundit të Tempullit” përballë asaj pjese të mozaikut që bënte fjalë për “ceremoni dhe veshje orientale”. Edhe prania e tyre ishte Fryt i kësaj peme, me rrënjë shekullore, të politikës venedikase që kish bërë të bashkëjetonin në qytetin tregtar, në qytetin udhëkryq të trafiqeve, gjuhëve, racave, zakone nga më të ndryshmet, duke siguruar një bashkëjetesë paqësore të hebrenjve dhe armenëve, gjermanëve dhe grekëve, dalmatëve dhe persianëve: një bashkëjetesë e ilustruar edhe në një nga kapitelet e Lozhës përdhese të Pallatit dukal, ku “lexohen” akoma edhe sot lidhjet me latinët, tartarët, turqit, grekët, egjiptianët, persët.

Në emërtimin e Grevembroch-ut historia tashmë kishte sedimentuar dhe dekantuar armiqësitë dhe urrejtjet për atë “Shtëpi ottomane” që njëherë e njëkohë kishte ridimensionuar në mënyrë përfundimtare rolin e Venedikut në Adriatik dhe Mesdhe. Në figurën në akuarel trajtja e shqiptarëve është tipike turke: prej tre shekujsh Shqipëria e kishte humbur rolin e vjetër të “portës së Perëndimit” duke u kthyer në një vend të Lindjes.

Por marrëdhëniet mes venedikasve dhe shqiptarëve dikur kishin qenë të tjera: mes dyqindës dhe treqindës një rrjet i dendur shkëmbimesh tregtare ishte vendosur me qendrat e bregdedit lindor të Adriatikut, në veçanti me ata të zonës së Durrësit, nga ku eksportonin sidomos dru, drithëra e kripë. Një migrim i konsiderueshëm shqiptarësh i ishte drejtuar Venedikut për të ushtruar zanate nga më të ndryshmet, duke u integruar në atë mozaik njerëzish dhe kulturash, që karakterizoi në shekuj kosmopolitizmin e Republikës, e duke i dhënë jetë një komuniteti që do të bashkohet në një shoqëri zyrtare në 1442, fillimisht në Shën Severo, ku ishte ngritur një manastir kushtuar Shën Galos, i cili bëhet mbrojtësi i tyre i parë, e që do të zhvendoset më pas në kishën emnake të Shën Mauricios, mbrojtësit të dytë të tyre: dy shenjtëve do t’u shtohet Zoja e Këshillit të mirë ose “Zonja jonë e Shkodrës”.

Gjatë katërqindës, depërtimi i vazhdueshëm turk në gadishullin ballkanin forcon me kalimin e kohës, – megjithëqë interesat e dyshimta të të dyja palëve -, një aleancë të përbashkët, që, nga njëra anë lidhet me qëndresën njëzetvjeçare përballë sulmeve turke nga Gjergj Kastriot Skëndërbeut; e nga ana tjetër, pas vdekjes së tij në 1468, me mbrojtjen e vështirë e me fund të pafat të venedikasve të Shkodrës në dy betejat e famshme të 1474 dhe 1479.

Rënia e Shkodrës do të shënonte hejzën emblematike në fatin e dy popujve: mbyllte për Shqipërinë mundësinë e bashkimit të historisë së saj me atë të Lindjes dhe hapte për Venedikun një përballje – përplasje me Lindjen. Ishte e pashmangshme që ky moment i rëndësishëm i luftës kundër turqve, ishte i destinuar të zhvendosej në horizontin mitik të qytetit lagunor: në atë të traditës piktorike sidomos, ku prej dorës së Paolo Veronese-s do të pasqyrohen në Pallatin dukal shoqëritë e përbashkëta të shkodranëve dhe venedikasve; më pas në atë traditë të sigurt historiografike, që, nga Marin Barleti tek Francesco Sansovino e Andrea Morosini- sa për të cituar ndonjë emër-, do t’i kushtojë hapësira të gjera luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe venedikasve; dhe në fund në fushën e zakoneve. Në fund të gjashtëqindës, Giovanni Palazzi, teksa shkruan një histori origjinale të Venedikut përmes një tufe me pesëdhjetë e dy letra bixhozi, mes shumë letrave që portretizojnë dozhë dhe zonja të sërës së lartë venedikase, nëntën e bastunëve do t’ua kushtojë Grave të Shkodrës, burrat e të cilave kishin rënë në qëndresën e qytetit. Duke i shoqëruar me emblemën e hermelinit dhe të turtulleshës, simbole respektivisht të pastërtisë së zakoneve dhe besnikërisë morale.

Rënia e Shkodrës shënon edhe një fazë të emigrimit në masë të shqiptarëve në Venedik, të cilëve iu bënë lëshime pa hesap sepse “era iusta e conveniente cossa dar tal expedition a questi Scutarini venuti qui, che al conspecto del nostro Signor Dio et a presso tutto el mondo el Stato nostro non possi iustamente esser caluniato, e che loro povareti intendano per nui esserli facte quelle provision che sono rexonevole”.

Në 1489, në Shën Mauricio, në kufijtë e asaj fushe që në rastet solemne zbukurohej me aq madhështi sa shndërrohej në kopësht kënaqësish dhe në teatër solemniteti, shqiptarët kishin nisur të ngrinin qendrën e Scuola-s së tyre, fasada e së cilës ruan ende dhe sot relieve sugjestionuese: përveç tre shenjtëve mbrojtës, përveç stemave të Antonio Loredan-it dhe Antonio da Lezze-s, dy mbrojtësit e Shkodrës, dhe Luanit të Shën Markut, spikat në pozicion qendror profili i shkëmbit të Shkodrës, për sulmin e së cilës përgatiten Veziri i madh dhe Sulltani Muhamed II me kordhën në pah.

Historia e Scuola-s rrëfehej më vonë në një regjistër apo statut zyrtar, të quajtur Mariegola, që për fat ruhet deri më sot në Bibliotekës “Marciana” të Venecias, me në paraportë një figurë të “Zonjës së Shkodrës”. Për të zbukuruar ndërtesën nga brenda, komuniteti shqiptar, pothuaj në garë me grupe të kombësive të tjera, paguan në vitet e para të pesëqindës një piktor me famë aso kohe, Vittore Carpaccio-n, për një cikël me piktura me skena nga jeta e Maries: lindja, hyrja në Tempull, martesa, lajmi, vizita Elisabetës, vdekja.

Aktive deri në 1780, shoqëria shpërndahet në këtë datë dhe ndërtesa kalon në duart e korporatës së pistori-ve (furrëxhinj); orenditë dhe pajisjet e brendshme do të humbasin dhe pikturat e Carpaccio-s do të përfshihen pjesërisht më pas në diasporën e veprave të artit që do të ndjekë rënien e Republikës.

Scuola, dihet, ishte një shoqëri bamirëse, por jo vetëm kaq: ajo luante rolin e një banke ku hynte dilte pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar në Venedik: nga dokumentet e Mariegola-s mund të arrihet të rindërtohen zanatet e anëtarëve të saj: qethës (zimatori) të lidhur me industrinë e lulëzuar të leshit në Venedik; fabrikues sëndukësh (cofaneri); çikërrimëtarë (marceri), kordelierë (cordelleri), gurëgdhendës (taiapiera), ndërtues (sagomatori), muratorë (mureri), berberë, furrëxhinj (pistori), farkëtarë (të shumta në numër këto dy kategori), tregtarë vajrash, lëkurësh e peliçesh, kapelexhinj.

Përsa u përket këtyre të fundit kujtojmë që ishte mjaft e gjallë tregtia e kapeleve që tregtarët shqiptarë shpinin në vende të ndryshme të Gadishullit ballkanik. Pompeo Molmenti vë re me këtë rast që deri në tetëqindën, nëpër rrugicat venedikase, mund të hasje në shumë shqiptarë që përpiqeshin të shisnin kapelet e tyre me nam. Ky citon emrin e dyqanxhiut të fundit shqiptar në këtë sektor, një farë Marko Pena dhe e vendos trafikun e trashëgimtarëve të tij në një shtëpi në rrethinat e Shën Xhakomos së Orios, ku ende edhe sot ekziston një “rrugicë e shqiptarëve”.

Zanate të tjera që regjistrojnë një prani të konsiderueshme shqiptare ishte ai i Zotërinjve të Natës (zanat nokturn megjithëmend i vështirë), ai i korrierrëve (po aq i zbuluar përballë rrezikut) dhe ai i marinarëve, i lidhur në veçanti me krizën e katërqindës së marinës venedikase.

Siç del nga Arkivat e Selisë së patriarkëve, të shumtë ishin edhe shqiptarët që i dorëzoheshin jetës klerikale: të bëje pjesë në klerin e thjeshtë mund të ishte shpesh, edhe për ta, një zgjidhje e rehatshme për t’i shpëtuar një jete të vështirë.

Nuk munguan, por në numër të kufizuar, edhe mjekët dhe mësuesit.

Duhet kujtuar edhe një sektor i veçantë ku ata dalluan: arti i qelqpunimit. Në fund të katërqindës, në Murano, Nicolò di Biagio, qelqpunues shqiptar, shpinte më tej suksesin e furrës “Alla Pigna”, drejtuar nga një familje shqiptare që nga dhjetëvjeçarët e parë të shekullit.

Këto ishin zanatet më të përhapura, që dëshmojnë një interes të hershëm e të përbashkët në kuadrin e ekonomisë së Venedikut, e që edhe sot e kësaj dite Venecia i dokumenton konkretisht: janë plot shtatë rrugicat e shqiptarëve, ashtu si edhe një degëzim dhe një shesh, po i shqiptarëve, në zona të ndryshme të qytetit. Mes toponimeve venedikasë që lidhen me komunitetet e huaja, ato që kanë të bëjnë me shqiptarët janë më të përhapurat.

Në fund mbetet të kujtojmë një shtresë të gjerë shoqërore (që natyrisht përfshinte të gjitha komunitetet e huaja të pranishme në Venedik) të të emargjinuarve: keqbërës, protektorë etj., mes të cilëve duhet përmenduar edhe figura e “trimave”, ish-ushtarë mercenarë (të famshme ishin kompanitë e “stradioti”-ëve të rekrutuara nga Venediku). Gjithnjë e më të pangopur për fitime, u ofronin shërbimet e tyre më të pasurve dhe më të fuqishmëve, ose si truproja, ose në ndreqjen e hesapeve, prandaj edhe ishin gjithnjë të përshirë në grindje e shamata. Në Venedik i quanin “bravi”, por edhe “buli”, “sbisai”, “sbricchi”. Shumë prej tyre ishin shqiptarë, por jo gjithnjë emri i tyre përfundoi në letrat e Këshillit të të Dhjetëve. Jo pak herë ky identitet u shkri me traditën më të ndritur letrare. Fjala është për atë prodhimtari të gjerë të letrësisë shumëdialektore, dhe të letërsisë “alla bulesca” në veçanti, që u kthye në dëshmi e çmuar e shprehjes gjuhësore të pesqindës, pasqyrë e një bashkëjetese piktoreske në Venedik të shumë gjuhëve: nga greqishtja tek shqipja tek dialekti skuavon, nga dialektet e thella pavane, tek dialekti bergamask, ai belunez dhe friulan. Pikërisht në tekse të tilla të rilindjes të llojit “alla bulesca” mund të lexojmë me kënaqësi bëmat e “quattro compagni strathioti de Albania, zuradi di andar per il mondo alla ventura”; apo në Egloga de Ranco e Tuognio e Beltrame trimëritë e famshme të “Ranco Malapase, desceso de la casa d’Albania”, që pavarësisht nga prejardhja, ishte i detyruar të jetonte ndryshe nga sëra e tij.

Mbetet për t’u kryer, duke ndjekur rrugë të tjera nga ato që dokumentojnë migracionin në përgjithësi, një regjistrim i aktivitetit të shqiptarëve të një tjetër lloji: i humanistëve (përveç të shumëcituarit Barleti), i artistëve (përveç piktorëve të njohur Marco Basaiti, Francesco Albani, Gjon e Geronimo), i botuesve (përveç Demetrio Franco-s), i intelektualëve (përveç Leonida Tomeo-s, profesor filozofie në Padova). Arkivat e universitetit të Padovës, mund të japin, siç besohet, të dhëna të kënaqshme mbi praninë e shqiptarëve në ambjentet e universiteteve venete.

Një regjistrim i tillë do të duhej shoqëruar edhe me hetime në lëmin e gjuhës, të cilat, duke ndjekur një linjë të parashënuar nga Carlo Tagliavini dhe nga Gian Battista Pellegrini, të individualizonin prejardhjen shqiptare të mbiemrave që janë italianizuar (për shembull Dhimitër Frëngu- Demetrio Franco).

Aktivë në Venedik ishin edhe fisnikët shqiptarë, të përzjerë më së shumti në aristokracinë napoletane. Tregon, për shembull, Emanuele Cicogna, sesi shpirti i një feste të mrekullueshme të organizuar në 1548 në fushën Shën Stefano me lojëra, hedhje vezësh të mbushura me ujë trëndafili dhe musk në dritaret ku qëndronin zonjat e sërës, ishte Antonio Castriotto, dukë i Farraninës “valoroso cavaliero nel giostrare, amico e capitano dell’imperatore Carlo V”. Dhe më tej, në tetëqindën, mes protagonistëve që shquhen në një karnavale veneciane, të pikturuar nga Andrea Scotti, është fiksuar edhe një shqiptar me një kostum të shkëlqyer tradicional plot salltanet.

Historia e pesëqindës së Venedikut dhe Levantes, siç dihet, deri në betejën profetike të Lepantos, zhvillohet drejt një ridimensionimi në rritje të pranisë së Republikës në tokat e Lindjes. Mbërrihet kështu në fazat e fundit të emigracionit të shqiptarëve në tokën venedikase.

Në gjashtëqindën ripushtimi venedikas i disa vendeve strategjike, siç ishte kufiri shqiptar në grykat e Kotorrit, do t’i japë jetë të ashtuquajturës “Shqipëri venedikase”, që Administrator Querini do ta përkufizojë si një nga “più forti propugnacoli [del] Serenissimo dominio”. Me këtë sundim “Shqipëria venedikase” do të ndajë fatin deri në fund të saj, aq sa në traktatin e Campoformios do të citohen Butrinti dhe toka të tjera shqiptare për t’iu dhënë Francës.

Nëse nga prania e lashtë dhe e gjatë e shqiptarëve në Venedik ende edhe sot mbijeton ndonjë gjurmë në traditën gojore dhe kujtesën e të moshuarve, janë të shumta materialet që lidhen me historinë e dy popujve në arkivat dhe bibliotekat e qytetit, që presin të studiohen dhe të bëhen të njohura, një etapë e mëtejshme kjo e një studimi që ka njohur kërkimet e çmuara të Giuseppe Valentini-t, të përfshira në Acta Albaniae Veneta.

Rruga ende e hapur drejt njohjes, pa dyshim mund të nxisë një interes të ri në të gjithë komunitetin adriatik, ku historia shumëshekullore e Shqipërisë, tokë kufijsh, është përfshirë gjithkaherë.

Artikulli i mësipërm (Botuar për herë të parë në Bota Shqiptare 91, shtator 2003) është parathënia e dytë e librit “Albania – Immagini e Documenti dalla Bilioteca Nazionale Marciana e Dalle Collezioni del Museo Corrrer di Venezia” botuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe nga Biblioteka Kombëtare Tiranë

Lexo edhe:
 

Venediku në Shqipëri

Aksident rrugor. Humbasin jetën dy të rinj shqiptarë