in

Shqipëria sërish në Bienalen e Venecias

 

Tiranë, 1 shkurt 2011 – Galeria Kombëtare e Arteve rikonfirmoi pjesëmarjen e Shqipërisë në edicionin e 54-t të Bienales së Venecias për Artin Pamor, që do të organizohet në periudhën 4 qershor – 27 nëntor 2011. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka emëruar ekipin që do të organizojë pavionin shqiptar në këtë aktivitet, i përbërë nga komisioneri Parid Teferiçi dhe kuratori artistik Riccardo Caldura nga Italia,  të dyja emërimet të propozuara nga ky institucion, në bazë të cilësive individuale dhe përvojës së tyre në këtë fushë.

“Caldura është njohës i mirë i skenës së artit bashkëkohor shqiptar dhe madje ka organizuar disa aktivitete me artistë shqiptarë, ndër të cilat duhen përmendur ekspozita “Nuk ka si shtëpia”, ekspozita fotografike “Atelier Albania”, etj”, thuhet në njoftimin e GKA-së.  Në datat 3-6 shkurt kuratori Caldura do të vizitojë Tiranën për të parë nga afër punën e artistëve shqiptarë dhe zhvillimet më të reja të skenës së artit tonë pamor.

Komisioneri është përfaqësues ligjor i shtetit shqiptar dhe ka për detyrë të organizojë gjithë pjesën administrative të pavionit, ndërsa kuratori do të përzgjedhë artistët që do të përfaqësojnë vendin në këtë aktivitet dhe do të evidentojë cilësitë e tyre artistike brenda kontekstit teorik të ekspozitës përfaqësuese.

Shqipëria do të marrë pjesë këtë vit në Bienalen e Venecias, pas pjesëmarrjes në vitin 2007, pasi në edicionin e vitit 2009 mungoi dhe MTKRS ia ka caktuar rolin e koordinatorit për këtë vit institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Bienalia e Venecias për më shumë se një shekull është një nga institucionet më prestigjoze të kulturës në botë. Që nga themelimi i saj në vitin 1895 ajo ka qënë në avangardë në promovimin e trendeve të reja artistike dhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Edhe në mungesë të një  pavioni shqiptar, në Bienalet e fundit nuk kanë munguar artistë shqiptarë që jetojnë në Itali apo gjetkë.

Presidenti Topi: “Më 21 janar u shkel rëndë ligji”

I dënuar në Venezia, arrestohet në Vlorë