Reportazh nga ATSh
Plazhi i Drimadhes në Dhërmi është mjedisi më i frekuentuar gjatë këtij sezoni vere në të gjithë bregdetin e Himarës. Në një vijë bregdetare prej 5-6 km është e vështirë të gjesh tashmë një vend “të lirë”, ku të mos jenë vendosur çadra e shezlonge.
Asnjëherë tjetër, nuk ka qenë ky fluks në këtë mjedis pushimi ku plazhi është me zhavorr të imët. Ndërtimi i rrugës, është shkaku që kjo pjesë e bregdetit të frekuentohet në një masë të tillë. Deri pak më shumë se një vit më parë, rruga ishte një shteg me gurë dhe gropa, ku qarkullimi i automjeteve ishte mjaft i vështirë. Për këtë arsye, numri i pushuesve ishte modest. “Rruga me gjatësi 4-5 km, që lidh aksin kryesor rrugor të bregdetit me plazhin e Drimadhes, e ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve”, thotë Mihali, pronar i një lokali. Ndonëse nuk ka përfunduar plotësisht, për shkak të disa problemeve me pronësinë, rruga është e projektuar me të gjithë parametrat inxhinierikë dhe lëvizja përgjatë saj është mjaft komode. Ndërtimi i saj, u reflektua menjëherë gjatë këtij sezoni vere, jo vetëm në shumëfishimin e numrit të pushuesve, por edhe në rritjen e numrit të bizneseve, lokaleve të shërbimit.
Ndërkohë, struktura turistike është plotësuar me ritme të shpejta. Komplekse turistike me banesa të bardha prej druri, të plotësuara me lokale dhe të vendosura nën hijen e pemëve, tashmë kanë rritur kapacitetet akomoduese dhe argëtuese.
Plazhi i Drimadhes ka marrë profilin e plotë të një mjedisi pushimi në Bregdetin e Jonit, ndërkohë që vetëm një vit më parë ai shfrytëzohej vetëm pjesërisht, në kushtet e një strukture turistike modeste. Është e diela e katërt e korrikut, por numri i pushuesve është tepër i lartë. Mijëra qytetarë, nga rrethe të ndryshme të vendit, apo turistë të huaj kanë mbushur këtë hapësirë.
Të rinj dhe të reja, shqiptarë e të huaj sensibilizojnë pushuesit për të mbajtur pastër bregdetin. Disa të rinj të tjerë shpërndajnë fletëpalosjet promocionale të një kompanie të shërbimit telefonik celular. Ndërkohë, në ndonjë restorant luksoz, si “Sofra e Pashait”, është e vështirë të gjesh një tavolinë të lirë në mesditë. Duhet të presësh të paktën 30 minuta, që të ulesh për të konsumuar një drekë.
Por, zhvillimi i vrullshëm është shoqëruar edhe me probleme. Një prej tyre është edhe mungesa e vendeve për parkim. Është e vështirë të gjesh një vend për të parkuar automjetin, veçanërisht pas orës 10:00. Por, nga kjo kanë përfituar disa individë, pronarë ose jo të parcelave të tokave. Duke shfrytëzuar parcela të ndryshme toke mes ullinjve, ata kanë improvizuar “vendparkime” ku çmimi është i kripur: 200 lekë për një autoveturë, qoftë edhe për një orë.