Nga Piergiorgio Grizzo
Në Shqipëri mjaft të hedhësh një top në oborrin e një shkolle dhe ia nis festa. Le pastaj, nëse topi ka formë të çuditshme, ovale, të zgjatur, kurioziteti është, natyrisht edhe më i madh dhe gëzimi është proporcional me kuriozitetin. Manifesti i rinisë shqiptare është kjo mori sysh të errët e të shkathët dhe krahësh në erë që mblidhet në çast rreth atij topi të çuditshëm. Rini e shëndetshme, plot gjallëri me një energji të pandalshme dhe ngjitëse si një shkarkesë elektrike. Të ndenjurit ulur dhe mbishëndoshja janë fjalë të panjohura në Shqipëri, ashtu siç ishin edhe në Itali deri para tridhjetë vjetëve, para se të arrinte vala e dytë e fatale e mirëqenies që ka përgjumur rininë tonë, duke e budallallosur fillimisht me televizionin e më pas me internetin e play station-in.
Entuziazëm i papërmbajtshëm, harlisje që shpërthen, ndërsa topi i stërzgjatur kalon dorë më dorë si të ishte një pagur uji në mesin e shkretëtirës. Dëshirë e pandalshme për të mësuar, për të luajtur, për të prekur, për të hedhur e për të pritur atë top të çuditshëm në formë ovale. Pyetje të njëpasnjëshme, kuriozitet që kthehet në hipnozë kolektive, kur pas pak mbi murin e bardhë të një klase shfaqen imazhet e All Blacks. Mjafton një mëngjes dhe atletët e famshëm të Zelandës së re kthehen në legjendën e shkollës “Shaqe Mazreku” të Durrësit. Me pak fjalë, materiali njerëzor është i cilësisë së parë. Vendi i shqipeve mund të bëhet vërtet parajsa e Rugby-t.
Si është Shqipëria? Është tamam siç e imagjinon. Një vend lindor, një vend i jugut të botës, me trafik kaotik dhe marramendës. Qytete të zhurmshme me pallate të reja, gjithë xham e çelik, të ndërfutur mes gërmadhash të regjimit, me pallate të zhveshur, të mbushur me saçet satelitore për të thithur ëndrrat që arrijnë nga përtej Adriatikut. Qendra tregtare të stilit të fundit mbijnë si kërpudhat pas shiut përgjatë rrugës kombëtare Tiranë-Durrës. Mercedes ose biçikleta: në rrugë nuk gjen diçka të ndërmjetme. Makinat e vogla, utilitaret, nuk ekzistojnë.
E akoma: det i mrekullueshëm, njerëz mikpritës, gra të bukura. Këtu ka shumë, shumë për të bërë, për të krijuar, për të shpikur. Gjithçka duket më e thjeshtë, më e natyrshme, burokracia nuk të mbyt, ndërmarrjet duket se i kanë frerët lëshuar.
Këtu të gjithë kuptojnë italisht dhe 90% e njerëzve e flasin rrjedhshëm. Ky “Vendi përballë” është si të ishte një tjetër krahinë italiane. Si një tjetër Molise, një tjetër Lucania. Ata dinë gjithçka për ne, na shohin na dëgjojnë prej 40 vjetësh, më parë fshehurazi dhe sot pa censurë. Ndërsa ne dimë shumë pak, për të mos thënë asgjë për ta. Vetëm dy stereotipa e tri fjalë bajate.
Në aeroportin e Tiranës mua dhe Gasper Daupin, të atin e Sevianit, lojtar i Casinò Venezia Mestre dhe testimonial i përfaqësueses shqiptare të ragbi-t, na pret Fatmir Mëneri, firmë historike e gazetarisë, botues e drejtor i të përditshmes kryesore sportive Sport Ekspres. Pas një jete radiokronikash, me Amerin, Ciottin dhe “Tutto il calcio minuto per minuto” si burim frymëzimi, Fatmiri i ka kaluar medias së shtypur, duke themeluar atë që, është jo vetëm gazeta e parë sportive në rendin kohor, por që mbetet edhe më e lexuara.
Në editorialin e tij na ka quajtur me dashamirësi Don Kishoti e Sanço Panca, apo mbartës të një ideje të çuditshme, për të mos thënë të çmendur: ideja që të shtysh një popull të tërë të dashurohet pas një sporti të panjohur me katër topa e me ndonjë gjë tjetër të vogël.
Por Fatmiri – kuptohet menjëherë – është nga ata që pasionohen me idetë e çmendura dhe sfidat e pamundshme. Dhe në fakt kuptohet edhe që, nga rreshtat e para të shkrimit të tij, bën tifozllëk për ne.
Dhe është pikërisht Fatmiri – që për kampionët e vendit të tij di gjithçka – ai që na shoqëron në institucionet më të larta të sportit shqiptar. Na ka përgatitur një agjendë që do të ishte e denjë edhe për një kryeministër. Niset me drejtoreshën e një shkolle në Tiranë, për të vazhduar menjëherë më pas me një personalitet të lartë: ministrin e sportit, kulturës, turizmit dhe Rinisë, Ferdinand Xhaferraj, që na pret më të gjithë stafin e vet. Një mikpritje që më mirë se kaq, prishej. Ministri garanton mbështetje maksimale për promovimin e rugby-t në Shqipëri, dhe premton se do të bëjë të pamundurën për të qenë i pranishëm në debutin e kombëtares shqioptare më 12 qershor në Pordenone, kundër skuadrës trivenete Dogi. Mëkat, që nuk e mbajti premtimin.
Përse në Pordenone? Sepse këtu komuniteti shqiptar është i shumtë në numër, ka hedhur rrënjë, dhe evenimenti ka një domethënie të dyfishtë, sportive e shoqërore, falë edhe mbështetjes së disa administratorëve largpamës të Komunës, Provincës së Pordenones dhe të Krahinës Friuli Venezia Giulia.
Pas ministrit të sportit është radha e Stavri Bellos, sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik Shqiptar. Dhe më pas e Armand Dukës, presidentit të federatës shqiptare të futbollit, që s’ka nevojë të them që është më e rëndësishmja në vend. E pastaj Vejsel Rizvanolli, rektori i të sapolindurit Universiteti i Sportit të Tiranës, që tregohet i gatshëm të hapë një kurs për diplomim në rugby.
Në fund i takon Lefter Kokës, deputet dhe biznesmen i Durrësit, kandidat numër një për presidencën e Federatës së ardhshme shqiptare të Rugby-t.
Ka kohë, falë Fatmirit, të njoh Sidni Hoxhën, e ardhmja e notit shqiptar. Djalë 18 vjeç, që ka qenë në Olimpiadën ePekinit 2008 dhe që ka arritur kualifikimin edhe për Londrën 2012, në 50 dhe 100 m stil të lirë, edhe pse gjatë dimrit e sheh ujin vetëm dy herë në javë. Në mbarë shqipërinë nuk ekziston asnjë pishinë olimpike e mbyllur dhe djali është i detyruar të ushtrohet, duke paguar nga xhepi i vet, në pishinën e vogël të një hoteli, të gjatë vetëm 15 metra, pak më shumë se një vaskë banjoje. Kushedi, bashkëpunimi mes Friulit dhe Shqipërisë, përtej rugby-t mund të shtrihet edhe te noti, ndoshta me ndërhyrjen e ndonjë klubi që tregohet veçanërisht i kujdesshëm dhe i ndjeshëm ndaj problemeve të caktuara.
Për t’iu kthyer topit oval, takimi i ardhshëm është për në fund të korrikut, kur do të shkohet në anën tjetër të Adriatikut për të rekrutuar regbistët e ardhshëm. Problemi kryesor në Shqipëri është ai i impianteve; fushat me bar janë të pakta edhe për futbollin. Por nga ana tjetër ka 450 km plazhesh të mrekullueshme. Rugby shqiptar do të nisë nga plazhi i Durrësit, qendra kryesore turistike e vendit, ku në verë do të japin takim lojtarët e përfaqësueses kombëtare shqiptare për të nisur mësimdhënien e këtij sporti dhe për të organizuar turneun e parë demonstrativ të plazh-rugby-t.
E pastaj? Tani për tani gjithòka tjetër është ëndërr: debutimi i kombëtares shqiptare të rugby-t në një ndeshje të vërtetë kundër Finlandës, e fundit e Ranking botëror Irb. E pastaj? E pastaj ëndrra më e madhe: kualifikimi në rugby seven në Olimpiadën e Rio de Zhaneiro 2016.
Lexo edhe: Rugby, Kombëtarja (italiane) e Shqipërisë