Disa nga shqiptarët e riatdhesuar në Tiranë javën e shkuar folën me BIRN rreth shkaqeve që i detyruan të merrnin rrugën për në Britani fshehur në kamionë frigoriferikë
Nga Vincent Triest, BIRN
Në “fluturimin e riatdhesimit”, që të premten e shkuar ktheu në Rinas 30 shqiptarë, disa prej atyre që u arrestuan në Holandë folën me BIRN rreth përpjekjeve të dështuara për të mbërritur në Britani.
Ata thanë se një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh po përpiqen të arrijnë në Britani nga Holanda në mënyrë ilegale duke u fshehur në kamionë dhe disa prej shokëve të tyre ia kishin dalë me sukses.
Pashku, 22 vjeç, tha se ishte larguar nga porti i Roterdamit, në kufi me Mbretërinë e Bashkuar, duke u fshehur për 20 orë në një kamion frigoriferik.
Ndërsa ia doli në Britani, policia e kapi në një port pranë Mançesterit, në Anglinë veriore.
Pashku refuzoi të tregonte se sa para kishte paguar për udhëtimin, e sajuar nga një rrjet trafikimi. “Por mund të them se njerëzit kanë paguar deri në 7.500 paund për t’u transportuar në Britani. I kanë rritur çmimet së fundmi,” sqaroi ai.
Fluturimi i riatdhesimit të premten nga Holanda pason një rritje në numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në atë vend.
Shqiptarët u renditën të parët në muajt e fundit për numër aplikimesh për azil në Holandë, duke tejkaluar edhe numrin e atyre që vinin nga Siria dhe Iraku në luftë. Gjatë katër muajve të parë të vitit 2016, rreth 900 shqiptarë kërkuan azil në Holandë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2015 azilkërkuesit shqiptarë ishin vetëm 750.
Edhe pse numri i përgjithshëm i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë të arrestuar në portet e Holandës është i vështirë të vlerësohet, duket qartë se gjithnjë e më shumë prej tyre po përpiqen të shkojnë në Britani në mënyrë të paligjshme nëpërmjet porteve.
Policia ushtarake holandeze, që është përgjegjëse për kontrollin e kufijve në portet dhe aeroportet e vendit, më 3 maj ndaloi disa grupe shqiptarësh që ishin duke u përpjekur të kalonin në mënyrë të paligjshme në Britani të Madhe.
Shpresa për të punuar në sektorin joformal të ekonomisë britanike ishte ngulitur në mendjen e Pashkut, një student i ri. “Lashë studimet e psikologjisë për shkak se është e vështirë për të gjetur një punë në Shqipëri. Unë duhet të fitoj para, familja ime ka nevojë – tha ai – Kjo është arsyeja pse qëndrova aq gjatë në kamionin frigoriferik, edhe pse ishte shumë ftohtë dhe pata vështirësi në frymëmarrje”.
“Pata rastin për të kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, por refuzova pasi nuk dua të qëndroj në një kamp azili. Unë dua vetëm që të punoj,” vazhdoi ai.
Një tjetër migrant që nuk ia doli në Britani të Bashkuar, Kevini, 23 vjeç, i tha BIRN se ai u kap në portin holandez Hoek van Holland.
“Më burgosën për gjashtë ditë. Nuk kishim as televizor, nuk mund të bëja as një telefonatë, le më të përdornim internetin – kujtoi ai. – Nuk jam kriminel, vetëm një punëkërkues, që u përpoq të arrinte në Britani. Kam kërkuar për punë në sektorin e ndërtimit në Britani të Madhe”.
Edisan, 21 vjeç, i tha BIRN se ai mori disa kohë pushime nga puna e tij e rregullt si barist në Tiranë në përpjekje për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Më kapën së bashku me dy kushërinjtë e mi në portin holandez të Europoort,” tha ai.
“Udhëtimi im filloi duke marrë një aeroplan nga Tirana në Romë dhe pastaj në Amsterdam. Shkova në port dhe u përpoqa t’i ngjitem gardhit dhe të vrapoj në një rimorkio të parkuar. Shpresonim për më të mirën, sepse kemi miq në Londër të cilët ishin në gjendje të na ndihmonin atje,” shtoi ai.
Departamenti i holandez për Kthimin dhe Dëbimet, DT&V, i tha BIRN se shqiptarët vijnë zakonisht në Europën veriore për arsye ekonomike. “Ata vijnë me shpresën e një jete më të mirë dhe për shkak se perspektivat në Shqipëri nuk janë shumë të mira, ata shpresojnë që të punojnë këtu. Por kjo është shpesh e pamundur”, tha një zyrtar DT&V.
Dritan Shano, një analist ekonomik në Tiranë, fajëson për rritjen e numrit të shqiptarëve që kërkojnë të emigrojnë në mënyrë të paligjshme, politikat e dobëta fiskale të qeverisë shqiptare. Një arsye tjetër për largimin e shqiptarëve, sipas Shanos, është mungesa e besimit në shtresën politike të vendit.
“Kjo ka të bëjë me mosbesimin e qytetarëve shqiptarë në të ardhmen, në klasën politike dhe në ekonomi – tha ai. – Politika shqiptare është shpesh kontradiktore, është larg nga njerëzit. Ideja se politikanët mund të bëjnë çfarë të duan dhe ia hedhin pa u ndëshkuar, është e vështirë të përtypet për shtetasit shqiptarë. Në Shqipëri ka kriminelë në parlament, në kabinet dhe si kryetarë të komunave”.
“Shumica e këtyre njerëzve… investojnë në agjencitë e udhëtimit për të arritur Holandë. Nga atje, ata përpiqen të arrijnë në Britani në kërkim të një pune”, shpjegoi ai.
Shano sheh ringjalljen e ekonomisë shqiptare si një nga faktorët kryesorë që do të zgjidhë problemin e shqiptarëve që përpiqen të shkojnë në mënyrë të paligjshme për të punuar në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, autoritetet holandeze kanë paralajmëruar se fluturimi i të premtes në Tiranë nuk do të jetë një rast i vetëm. Edhe pse ky ishte i pari “fluturim riatdhesimesh”, ministria holandeze e drejtësisë dhe sigurisë ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e fluturimeve të tjera të tilla në të ardhmen. “Ne do t’i përdorim ato sa herë që të mendojmë se është e nevojshme,” tha një zëdhënës i ministrisë.
Botuar në Reporter.al