in ,

“Shqiptaria – identitet e liri”, Tom Kuka në Sallonin e Librit në Torino

Nis sot Salloni i Ndërkombëtar i Librit në Torino, ndër panairet më të rëndësishme në botë. Është i pari edicion në prani që prej fillimit të pandemisë dhe në programin e ngjeshur të Sallonit që do të qëndrojë hapur nga 14 deri më 18 tetor, gjejmë një surprizë të bukur, shkrimtarin Tom Kuka, pseudonim i gazetarit e drejtuesit televiziv e radiofonik Enkel Demi.

Publiku do të mund ta ndjekë në takimin “Shqiptaria është identitet e liri” (të shtunën më 16 tetor ora 18:45 në Sala Internazionale) në një bashkëbisedim me kritiken letrare Anna Lattanzi dhe gazetaren e Corriere della sera, La Stampa dhe Il Manifesto Farian Sabahi. Takimi është organizuar nga Besa Muci Editore për prezantimin e librit “L’Ora del male”, përkthim i “Ora e ligë”, që kjo shtëpi botuese ka nxjerrë në mars të këtij viti në Itali.

Enkel Demi i mirënjohur si gazetar e drejtues emisionesh televizive e radiofonike, vitet e fundit po vlerësohet në Shqipëri e jashtë saj si shkrimtari Tom Kuka. Romani i tij i parë është i nëntorit 2016 “Hide mbi kalldrëm”. Pas tij ka botuar “Gurët e vetmisë” (2018) për të cilin është vlerësuar në Shqipëri me Çmimin kombëtar për romanin 2018. Në 2019-tën u ka ofruar lexuesve romanin “Ora e ligë” me të cilin ka fituar Çmimin Kult 2020 për librin artistik më të mirë të vitit. Në pranverë të këtij viti Tom Kuka ka nxjerrë romanin “Flama” për të cilin është vlerësuar në verë me Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë 2021.

Një prodhimtari e pasur dhe e vlerësuar, që po përkthehet tashmë edhe në italisht, falë të cilës nuk po i ndjek panairet kombëtare e ndërkombëtare të librave si gazetar por po merr pjesë në to si autor. “Po, është hera e parë që shkoj në Sallonin e librit në Torino. – pohon Enkel Demi për Diaspora Shqiptare – Është e çuditshme për mua të marr pjesë si autor, sepse janë ngjarje që i kam ndjekur përherë nga larg si njeri i padukshëm. Të jesh në këtë Sallon, ndoshta nga më të rëndësishmit në botë është më shumë se ngazëllim”. 

Si ndiheni nën “petkun” relativisht të ri të një shkrimtari të suksesshëm, ju gazetari e drejtuesi televiziv i mirënjohur në Shqipëri prej dekadash tashmë?

“Nuk ka lidhje qasja ime mediatike në vendin tim. Jam në Torino si shkrimtar dhe këtu nis pasiguria ime, ajo që në Itali quajnë “timidezza”. Jam si ai njeriu i padukshëm që tani po del në dritë. Jam i lumtur, por edhe pak i ndrojtur në të njëjtën kohë. Uroj që të shkojë mbarë”.

Shtëpia botuese Besa që ka botuar italisht romanin “Ora e ligë” (përkthyer nga Fioralba Duma e Valentina Notaro) përfaqësohet këtë vit në Sallonin e Librit të Torinos me stendën e saj (Padiglione 3 – Stand R102-S102) dhe tre takime me tre shkrimtarë të huaj, mes të cilëve Tom Kuka.

“Përzgjodhëm Tom Kukën për t’u përfaqësuar në Torino për vlerën e tij. – shpjegon për Diaspora Shqiptare Anna Lattanzi, kritike letrare e përgjegjëse e zyrës së shtypit të Shtëpisë botuese Besa. – Tom Kuka ka një stil të shkruari të ngjeshur, të thellë, dhe mbi të gjitha mishëron atë çka shtëpia jonë botuese kërkon nga një shkrimtar shqiptar, një mënyrë të shkruari evokative. Tom Kuka flet për Shqipërinë, ai flet përmes miteve, përmes rrëfimeve të të parëve të tij, duke krijuar një panoramë të gjithanshme të Shqipërisë, që edhe pse i referohet të kaluarës, të ofron edhe Shqipërinë e të ardhmes. Por Tom Kuka nuk është ai shkrimtari i lidhur me rrënjët, me origjinën, që propozon diçka të vjetëruar. Përkundrazi, me shkrimet e tij ai e çliron Shqipërinë nga gjithçka që është e vjetëruar, që nuk është më e nevojshme, duke e projektuar atë drejt një vizioni të ardhshëm. Me pak fjalë, zgjodhëm Tom Kukën për të ofruar, për të njohur lexuesin me një shkrimtar dhe një libër që në tërësinë e tij është ajo çka shtëpia botuese përpiqet të përfaqësojë përmes autorëve nga Shqipëria”.

A do të vazhdojë bashkëpunimi i shtëpisë botuese Besa me Tom Kukën?

“Natyrisht. – pohon Lattanzi – Po përkthejmë librin e tij të fundit “Flama”, fitues i çmimit të BE-së për letërsinë 2021. “Flama” do të botohet në fillim të vitit të ardhshëm në Itali.
Një tjetër libër që kemi në përkthim e sipër është “Gurët e vetmisë” për të cilin akoma nuk kemi një datë të saktë botimi. I kemi dhënë përparësi librit “Flama” që do të jetë i pranishëm në panairet e aktivitetet e ndryshme letrare që në pranverën e vitit të ardhshëm”. 

Il candidato Edmond Godo: un patto d’integrazione per una Roma multietnica e multiculturale