in ,

Si kërkohet konvertimi i patentave shqiptare në Itali

Pas një pritjeje të gjatë për përtëritjen e marrëveshjes dypalëshe, nga 10 gushti mund të paraqiten kërkesat për konvertimin e patentave shqiptare.

Praktikisht vlejnë thuajse të gjitha kriteret e mëparshme, të vlefshme deri më dhjetor të 2019-tës.
Para së gjithash, duhet mbajtur parasysh që konvertohen patentat shqiptare që janë marrë para vënies së rezidencës në Itali, që këto patenta  mund të përdoren në Itali vetëm vitin e parë të rezidencës, e pas kësaj periudhe, është e mundur të kërkohet konvertimi në italiane, pa dhënë asnjë provim, vetëm gjatë tre vjetëve në vijim.
Duhet theksuar që nuk është e mundur të konvertohen patentat shqiptare të marrra ndërkohë që i interesuari është rezident në Itali.

Marrëveshja do të jetë në fuqi deri më 12 korrik 2026.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin

Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:

– Kërkesa në formularin TT 2112 (që jepet në sportel) i përpiluar dhe i nënshkruar;

– Vetëdeklarimi (në një formular të posaçëm) i rezidencës aktuale dhe i datës (me shënimin e ditës, muajit, vitit) dhe vendit kur është marrë për herë të parë rezidenca në Itali;

– Dëshmia e derdhjes së 32,00 eurove në llogarinë rrjedhëse postare 4028;

– Dëshmia e derdhjes së 10,20 eurove në llogarinë postare 9001. Mandatet postare të llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat motorizimit civil;

– Patenta shqiptare në origjinal dhe fotokopja e saj në të dyja anët (në çastin e paraqitjes së kërkesës vetëm tregohet, për të tërhequr patentën italiane duhet dorëzuar patenta shqiptare);

– Përkthimi i patentës shqiptare, i bërë nga një përkthyes i betuar, ose nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali e në këtë rast duhet të legalizohet më pas në Prefekturë;

– 2 fotografi format tesera, njëra prej të cilave e autentikuar;

– Certifikata mjekësore me pullë-taksë (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;

– Fotokopja e kodit fiskal;

– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e paskaduar, ose kuponi i përtëritjes.

Shkarko Qarkoren e ministrisë italiane të transporteve për Zyrat e Motorizimit Civil mbi konvertimin e patentave shqiptare në italiane

“Shqiptaria – identitet e liri”, Tom Kuka në Sallonin e Librit në Torino

Mbërrin dekreti i flukseve. 70 mijë kuota për punonjës të huaj sezonalë e jo sezonalë