in

Shtetësia, bashkimet familjare e testi i italishtes. Probleme me kërkesat online

Sajti i ministrisë së Brendshme keqfunksionon prej javësh, duke shkaktuar probleme për imigrantët e patronatet që i ndiihmojnë. “Situata është e paparë. Çfarë po ndodh?”

Romë, 24 dhjetor 2016 – Probleme me hyrjen, faqe që nuk ngarkohen, lidhje qe ndërpriten papritur, të dhëna të futura që zhduken e duhet nisur gjithçka nga e para. Javët e fundit, sistemi informatik i ministrisë së Brendshme që administron burokracinë e imigracionit ngec vazhdimisht.

Situatën e vuajnë qytetarët e huaj që, për shembull, kërkojnë online shtetësinë italiane, bashkimin me një familjar apo duan të marrin një takim për testin e italishtes, i domosdoshëm për marrjen e kartës së qëndrimit. E, bahkë me ta, vuajnë situatën e krijuar operatorët e  patronateve që i ndihmojnë falas për përpilimin e kërkesave.

“Kishte ndodhur edhe më parë, por kurrë për një kohë kaq të gjatë. Në përgjithësi në sajtin e ministrisë së brendshme kishte një lajmërim që shpjegonte se ishte në mirëmbajtje, kështu që mund të organizonim të paktën takimet. Këtë radhë nuk ka lajmërime, kur niset përpilimi i një kërkese duhet shpresuar vetëm që sistemi të mos bllokohet” thotë për Stranieriinitalia Enrico Dini, përgjegjës për imigracionin për Romën e Lazion i patronatit INCA CGIL.

“Jemi të detyruar të ndalojmë vazhdimisht – shpjegon Dini – dhe t’u kërkojmë qytetarëve të presin disa orë ose të vijnë një ditë tjetër. Por veç problemeve për të huajt e sportelet tona, ka edhe situata veçanërisht serioze, si për shembull dokumentet që i duhen bashkëngjitur kërkesës për shtetësinë që ndërkohë rrezikojnë të skadojnë: në këto raste nuk parashikohet që kërkesa të mund të niset me vonesë për shkak të një problemi teknik”.

Edhe Carla Pucilli, përgjegjëse e sportelit të Imigracionit të Patronatit ACLI të Milanos, nuk kujton të ketë pasur ndonjëherë periudha kaq të gjata keqfunksionimi të sajtit në të shkuarën. “Këtë radhë ka nisur që në fillim të dhjetorit, në ditët që paraprinë referendumin e, që atëherë, aplikimet online janë shumë të vështira ose të pamundura, veçanërisht nga mesdita e më pas”.

“Ndonjëherë – vazhdon Pucilli – kemi probleme me ngarkimin e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës së shtetësisë. Edhe kur kërkesa duket e shpëtuar dhe e nisur, duhet kontrolluar, sepse ndonjëherë disa fusha që ishin përpiluar rezultojnë boshe. Është problem për qytetarët, që nuk kanë gjithnjë kohë të presin apo të rikthehen, por është problem edhe për operatorët tanë”.

Sinjalizimet e operatorëve shumëfishohen, por nga help desk e ministrisë së Brendshme nuk arijnë përgjigje të kënaqshme, por vetëm shprehje të tipit “”E dimë problemin, jemi duke punuar …”. Dje Ce.Pa, që mbledh Inca Cgil, Inas Cisl, Ital Uil dhe Acli u ka shkruar prefektëve Rosetta Scotto Lavinia e Angelo Di Caprio, përkatësisht drejtoreshë e përgjithshme për politikat e imigracionit dhe të azilit dhe drejtor i përgjithshëm për të drejtat civile, shtetësinë dhe minorancat.

Patronatet duan të dinë çfarë po ndodh dhe, mbi të gjitha, pas sa kohësh sistemi do të nisë të funksionojë mirë. një informacion i saktë mbi keqfunksionimin dhe mbi operacione të mundshme mirëmbajtjeje të sistemit, shkruajnë në letër, do të bënin të mundur të paktën organizimin e punës së sporteleve, për të shmangur humbje të kota kohe (si për shembull për përpilimin e një kërkese që më pas nuk arrihet të niset) dhe për të pakësuar telashet për qytetarët e huaj.

Elvio Pasca

 

Lavoratori stagionali stranieri, il ministero del Lavoro spiega le novità

Lindita Halimi me “Botën” e saj do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2017