Të tjerët duhet të ndjekin më parë shkollën fillore. Mazhoranca arrin një marrëveshje mbi reformën. Ja si ndryshoi teksti në Komision
Romë, 26 shtator 2015 – Fëmijët e lindur në Itali do të jenë menjëherë italianë vetëm nëse të paktën njëri prej prindërve ka lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën kartë qëndrimi. Përndryshe, ashtu si edhe fëmijët që nuk kanë lindur në Itali por kanë mbërritur këtu brenda moshës 12-vjeçare, duhet të ndjekin më parë një apo më shumë cikle shkollore për të paktën 5 vjet dhe, nëse është fjala për filloren, ta përfundojnë me rezultate pozitive.
Është ky kompromisi i arritur në gjirin e mazhorancës mbi reformën e shtetësisë që gjatë javës u diskutua në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese e Dhomës së Deputetëve. Kufizimet e kartës së qëndrimit (e kanë dy të tretat e shqiptarëve në Itali) dhe të shkollës fillore u kërkuan nga forcat politike Area Popolare dhe Scelta Civica me dy amendamente të tekstit të unifikuar të paraqitur nga Marilena Fabbri (PD) në Komision.
Mbeten të pandryshuara kriteret për të rinjtë të mbërritur në Itali brenda moshës 18 vjeç. Do të bëhen italianë pas 6 vitesh rezidencë të rregullt e pasi të kenë ndjekur e përfunduar një cikël shkollor apo një rrugëtim shkollimi e formimi profesional.
Asnjë risi për shtetësinë e të rriturve, pasi u hodhën poshtë të gjitha amendamentet e SEL që kërkonin përgjysmimin e viteve të rezidencës në Itali të nevojshme për natyralizimin. Kështu reforma, vazhdon t’u dedikohet vetëm bijve të imigrantëve, atyre që quhen brezat e dytë.
Brenda javës së ardhshme, më në fund, teksti i reformës duhet të mbërrijë në Dhomën e Deputetëve.
“Mazhoranca shprehet me një zë të vetëm në favor të njohjes së ius soli të zbutur dhe ius culturae, një risi që zgjeron të drejtat në Itali, parakusht i shkëlqyer për shqyrtimin dhe miratimin e reformës edhe në Senat. – shprehet Marilena Fabbri – Si raportuese, do të jem shumë e kënaqur sikur, pas dhjetëra diskutimesh, reforma të miratohet më në fund”.
Kritikat nuk kanë munguar. Deputetja Celeste Costantino (SEL) flet për “një kompromis që do të vështirësojë aplikimin për shtetësi”.
Lega vazhdon të qëndrojë në të vetën: “Do të luftojmë në Sallë që teksti të mos miratohet ose, të paktën, të përmirësohet sa më shumë të jetë e mundur” lajmëron deputeti Cristian Invernizzi.
Premton luftë ndaj tekstit të reformës në Dhomën e Deputetëve edhe Forza Italia. “Ashtu si në Komision do të kundërshtojmë edhe në Sallë reformën e mazhorancës. Propozimet tona janë të qarta e janë për ius culturae: t’u njihet shtetësia të miturve të huaj të lindur në Itali apo që vijnë këtu brenda moshës 12-vjeçare, vetëm pasi të kenë ndjekur e, mbi të gjitha, të kenë përfunduar me sukses një cikël shkollor” deklaron deputetja Annagrazia Calabria, ish bashkëraportuese e reformës që la mandatin e saj si e tillë që në korrik.