in

Shtetësia italiane. Gjykatësit: “Vonesat të pajustifikueshme, 2 vjet duhet të mjaftojnë”

109 të huaj në pritje të shtetësisë italiane, bashkë me sindikatat INCA, CGIL, dhe Federconsumatori, fitojnë class action kundër ministrisë së Brendshme mbi kohën e shqyrtimit të kërkesave. Piccinini (INCA): “300 mijë persona në pritje, imigrantë të përjetshëm apo qytetarë të rinj?”

Romë, 4 mars 2014 – Ligji i jep ministrisë së Brendshme plot dy vjet kohë, apo 730 ditë, për të përfunduar procedurën e dhënies së shtetësisë italiane nga çasti kur i huaji paraqet kërkesën. Është një kohë mjaft e gjatë sa “të mos justifikojë asnjë vonesë” në përmbylljen e procedurës.

Deri tani një gjë të tillë mund ta pohonte kushdo me pak gjykim të shëndoshë, ndërsa tani, e urojmë të ketë më shumë vlerë, e thotë edhe Gjykata Administrative (TAR) e Lazios.

Gjykatësit kanë pranuar class action (padi e përbashkët) kundër vonesave të paraqitur dy vjet më parë nga 109 persona që kishin kërkuar shtetësinë italiane së bashku me CGIL, INCA dhe Federconsumatori. Në një sentencë të depozituar në fund të shkurtit

Kanë dënuar ministrinë e Brendshme “t’i japë zgjidhje një situate të tillë” brenda një viti, edhe pse – klauzolë e pashmangshme për aksionet kolektive kundër administratës publike, – “brenda kufijve të burimeve instrumental, financiare dhe humane” që ka në dispozicion.

Është fjala për një class action me të cilin mund të bashkoheshin pjesa më e madhe e të huajve që duan të bëhen italianë. Sepse pakkush (për të mos thënë askush) merr shtetësinë në 730 ditë, në pjesën dërrmuese të rasteve pergjigjja arrin pas tre, katër apo pesë vjetësh. E ndërkaq, padisin 109 personat e class action-it, zyrat kërkojnë “dokumente të panevojshme” ose “versionin e përditësuar të dokumenteve të paraqitura nëherë” që ndërkohë kanë skaduar pikërisht për shkak të vonesave.

Si të mos mjaftonin vonesat, nga viti 2009, falë famëkeqes paketë sigurie, paraqitja e kërkesës së shtetësisë kushton 200 euro. Një taksë që sipas vetë ligjit duhet të shërbejë edhe “për mbulimin e kostove të lidhura me aktivitetin e shqyrtimit të praktikës”. Teorikisht: paguaj shtrenjtë për të pasur një shërbim më të mirë. Praktikisht: paguaj shtrenjtë, por shërbimi është si s’ka ku të shkojë më keq. “Ku shkojnë në të vërtetë këto para?” ngre pyetjen Claudio Piccinini, koordinator i zyrave të imigracionit të INCA-s. Padia e ngritur kishte edhe një pjesë “konstruktive”, në të cilën CGIL, INCA dhe Federconsumatori i kërkonin gjykatësit të urdhërojë ministrinë e Brenshme të monitorojë procedurat, kohën dhe përdorimin e burimeve dhe të ndërmarrë një sërë ndërhyrjesh për të përmirësuar situatën. Por gjykatësit nuk kanë pranuar këtë pjesë  sepse do të kishte qenë një pushtim fushe, kapërcim kompetencash: pavarësisht asaj që thotë ligji, nuk mund “t’i mësojnë zanatin” ministrisë së Brendshme.

Propozimet e paditësve mbeten sidoqoftë të vlefshme. Për shembull: të kalohet në trajtimin në paralel të praktikave, të informatizohen komunikimet mes administratave, të mos kërkohen dokumente të panevojshme apo përditësime dokumentacioni të skaduar pëër shkak të vonesave, të përdoren paratë e paguara nga kërkuesit e shtetësisë për të reduktuar praktikat e prapambetura, të zhvendoset personel nga zyrat me më pak fluks pune në ato që shqyrtojnë praktikat  shtetësisë.

“Edhe pa një reform të ligjit në fuqi, për të cilën jemi sidoqoftë në favor, me një përdorim të drejtë të burimeve në dispozicion dhe një gatishmëri të ministrisë për të rishqyrtuar procedurat, mund dhe duhet të reduktohet koha e pritjes për dhënien e shtetësisë. Është një hap i domosdoshëm, nëse nuk duam t’i konsiderojmë përjetësisht imigrantë ata që në të vërtetë janë qytetarë të rinj italianë. Ka rreth 300 mijë vetë në pritje, nuk mund të vazhdojnë të shkelin me të dyja këmbët të drejtat e tyre” thotë Piccinini për Stranieriinitalia.it.

Këtë radhë këta “imigrantë të përjetshëm”, të gjithë bashkë, ia dolën mbanë të detyrojnë ministrinë e Brendshme të respektojë të drejtat e tyre që janë të parashikuara në ligj. Natyrisht Piccinini është i kënaqur: “U konfirmua, edhe pse nuk e prisnim, vlera që mund të ketë një class action kundër administratës publike”, por beteja vazhdon: “Tani duhet të shkurtojë vërtet kohën e përpunimit të praktikave. Nga ana jonë jemi të gatshëm të ballafaqohemi me ministrinë e Brendshme për të përmirësuar situatën”.

Elvio Pasca

Shkarko sentencën e TAR Lazio

Occhio Blu presenta “Il sur-realismo socialista in Albania”

Në pak ditë, sekuestrohen rreth 4 tonë drogë në dy brigjet e Adriatikut