in

Shtetësia italiane. “Kryebashkiaku nuk mund t’i ndalojë betimin kujt nuk di italisht”

Ministria e Brendshme u kërkon të respektojnë ligjin kryebashkiakëve (kryesisht atyre legistë) që kthejnë mbrapsht imigrantët. Alfano: “Ligji nuk parashikon verifikime nga anë e tyre, as mbi njohuritë gjuhësore”

Romë, 11 shkurt 2016 – Kryetarët e Komunave të mos hiqen si profesorë gjuhe e të sajojnë provime italishteje. Janë të paligjshme. Imigrantëve që kanë marrë dekretin e shtetësisë duhet t’u jepet mundësia të betohen në Komunë dhe të bëhen qytetarë italianë pa u ngritur pengesa të tjera.

Ministria e Brendshme i vë frerin kryebashkiakëve të zellshëm, shumicën e rasteve legistë, që nuk u lejojnë të betëhen italianëve të rinj, me justifikimin se nuk njohin mirë gjuhën e Dantes.

Muajin e shkuar, për shembull, ndodhi në Brugnera, komunë në provincën e Pordenones, ku kryetari i komunës Ivo Moras ktheu mbrapsht një të huaj të cilit i mungonte vetëm betimi për t’u bërë italian. “Megjithëse jeton në Itali prej 20 vjetësh – shpjegoi Moras – zotëria nuk di as të lexojë e as të kuptojë gjuhën italiane”. Rasti përfundoi në Parlament, me një kërkesë të paraqitur nga deputetët legistë për shpjegime nga ministria e Brendshme.

Dje iu përgjigj ministri i Brendshëm Angelino Alfano, duke vënë – shpresojmë në mënyrë përfundimtare – pikat mbi i. Ligji italian shpjegoi ai “nuk i njeh nëpunësit të Gjendjes Civile e askujt tjetër, asnjë fuqi për të ndërhyrë për të kontrolluar, në çastin e betimit, njohuritë efektive të gjuhës italiane, dhe as për të ushtruar në këtë aspekt cilëndo qoftë formë kundërvënieje”.

Ai betim “përfaqëson fundin e një procesi, të një procesi për shtetësinë, që sanksionon fundin e rruge integrimi. Nuk është një formalitet i thjeshtë, por shpreh në mënyrë solemne vullnetin e të huajit për t’u bërë pjesë e komunitetin kombëtar. Pasi përfundon rrugëtimi i praktikës dhe lëshohet dekreti i dhënies së shtetësisë nga presidenti i Republikës, një verifikim i mëtejshëm që ka për qëllim të shkojë kundër asaj çka është verifikuar gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk është teknikisht i pranueshëm dhe sidoqoftë është diçka e panjohur për profilet dhe parimet procedurale”.

“Qëndrimi i mbajtur nga kryebashkiaku i Brugnera-s, që konteston kompetencën gjuhësore të të huajit, duke nënkuptuar shfuqizimin e të gjithë procedurës, nuk duket se mbështetet në dispozita ligjore që t’i njohin në ndonjë farë mënyre legjitimitet – përfundoi Alfano – e mund të lërë vend, nëse përsëritet, për ushtrim pushtetesh zëvendësuese”. Me pak fjalë, nëse kryebashkiaku nuk i nënshtrohet ligjit, do të jetë prefektura ajo që do të marrë përsipër betimin e italianit të ri të Brugnera-s.

EP

 

Komuniteti shqiptar në Itali në shifra. Raporti i ri

Flukset 2016, ja si përpilohen kërkesat për punonjësit sezonalë