in

Shtetësia italiane, mbi 200 mijë në pritje. “Tepër kërkesa”

Ministria e Brendshme konfirmon “situatën e rënduar” të zyrave të saj, që nuk ia dalin të shqyrtojnë kërkesat e prapambetura. “Përpjekjeve për rritjen e rendimentit u kundërvihet shtimi i madh i kërkesave”

Romë, 4 prill 2016 – Imagjinoni sikur banorët e një qyteti të madh sa Brescia, Taranto apo Trieste të dalin në rrugë të gjithë bashkë e të qëndrojnë aty duarlidhur. Jo për ca ditë, as për muaj por për vite me radhë. Kjo për të krijuar një ide për turmën e madhe të njerëzve që presin të mësojnë kur do të bëhen italianë.

Janë mbi 200 mijë të huaj që kanë aplikuar për shtetësinë italiane e presin akoma një përgjigje. Kërkesat e tyre udhëtojnë nëpër zyrat frymëzëna që duhet t’i shqyrtojnë një e nga një e të vendosin nëse e meritojnë apo jo parasortën italiane. Një rrugëtim i gjatë e i pasigurt, përgjatë të cilit kriteret e diktuara nga ligji duhet të përkthehen në dokumente e vlerësime, që shpesh i lihen në dorë vetëgjykimit të këtij apo atij funksionari.

Fotografia e fundit e shkrehur nga Ministria e Brendshme është e dhjetë ditëve më parë. Më 25 mars rezultonin “në përpunim” 208.465 kërkesa. Rreth një e katërta, 54.566, të paraqitura nga të huaj të martuar me shtetas italianë dhe që kërkojnë shtetësi për martesë, ndërsa pjesa dërrmuese, 162.899, janë paraqitur nga imigrantë që duan të bëhen italianë pas shumë vitesh rezidencë në Itali (të paktën katër për komunitarët, të paktën dhjetë për jokomunitarët).

Statistikat tregojnë për një maratonë drejt shtetësisë gjithnjë e me më shumë kallaballëk, sepse mes imigrantëve shtohen vit pas viti veteranët që përmbushin kriteret: vetëm 30 mijë kërkesa në vitin 2006, thuajse 120 mijë në vitin 2015. E sado që të thjeshtohen e informatizohen procedurat, në fund do të nevojiten gjithnjë punonjësit për të vlerësuar kërkesat e personeli i Ministrisë nuk është rritur në përpjestim të drejtë me aplikuesit.

Në vitin 2015 janë paraqitur 117.178 kërkesa të reja, për martesë dhe rezidencë, ndërsa janë përmbyllur (hedhur poshtë apo pranuar) 125.501, thuajse të gjitha të viteve pararendëse. Pra dekretet e lëshuara kanë kapërcyer kërkesat, dhe është herë e parë që ndodh, siç mund të shikohet nga të dhënat historike në fund të faqes. Mund të ishte sinjali se po nis ulja e pirgut të madh të praktikave të prapambetura, por është thuajse i papërfillshëm kundrejt rritjes së numrit të kërkesave dhe faktit që situate shumë shpejt mund të marrë sërish tatëpjetën.

Në fakt, po të miratohet reforma e shtetësisë, në ministrinë e Brendshme duhet të kalojnë edhe kërkesat për bijtë e imigrantëve të rritur në Itali e që tashmë kanë mbushur moshën madhore, “të ripeshkuar” nga ligji i ri. Ka shumë mundësi të mbërrijnë të gjitha njëherësh e do të rrezikohet bllokimi i punës.

Në ministrinë e Brendshme e njohin mirë problemin. Javën e shkuar në Senat Angelo Di Caprio, drejtor i përgjithshëm për të drejtat qytetare, shtetësinë dhe minorancat, përfundoi ndërhyrjen e tij në seancën dëgjimore mbi reformën duke kujtuar pikërisht “situatën e rënduar të zyrave, të shkaktuar nga një procedurë administrative që mbetet e ndërlikuar, me gjithë përpjekjet për futjen e risive teknologjike dhe informatizimin e punës”.

“Përpjekjeve për rritjen e vazhdueshme të rendimentit të zyrave – nënvizoi prefekti – u kundërvihet një rritje tejet e lartë e kërkesave”.

Pasojat? Mund t’i thonë ata 200 mijë që presin.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Burimi: Ministria e Brendshme

 

Të burgosurit i jepen 36 orë leje, nuk kthehet më në burg

8 gjëra që duhen ditur mbi “Panama Papers”