in

Shtetësia italiane{br}Nga Civis Romanus te Civis Italicus

Megjithatë, ligji i 1912-tës, me të metat e të mirat e tij, edhe pse i integruar me ligjet e lartpërmendura, solli në legjislacionin italian një sistem homogjen e koherent që mbeti në fuqi për plot tetëdhjetë vjet deri në ardhjen në fuqi më 16 gusht 1992 të ligjit aktual mbi shtetësinë nr. 91 i 5 shkurtit 1992, i quajtur nga vetë ligjvënësi “Ligj Organik”.

Sado novator, ligji i vitit 1992 nuk solli asnjë thyerje të parimeve bazë të ligjit pararendës, përkundrazi mund të shihet si vazhdimësi e natyrshme e tij. Vazhdimësia mund të shihet për shembull në mbizotërimin e parimit të ius sanguinis, të të drejtës së gjakut, për marrjen e shtetësisë, ndërsa ius soli, e drejta e truallit, ka karakter anësor, njësoj si në ligjin e 1912-tës. Mundësia e mbajtjes së shtetësisë së dyfishtë, që sidoqoftë është një nga elementët më novatorë të ligjit aktual, ishte e pranishme edhe në ligjin pararendës që u lejonte kategorive të caktuara italianësh të mbanin shtetësinë edhe pse merrnin një tjetër me qëllim që të ruheshin lidhjet me mëmëdheun për fëmijët që lindnin në një tjetër shtet nga prindër italianë që atje ishin emigrantë (neni 7 i ligjit 555). Për më tepër ligji aktual favorizon ish italianët (këta edhe pa u kthyer fare në Itali) apo brezat e dytë e të tretë të tyre të mërguar të rifitojnë apo të marrin shtetësinë italiane, por nga ana tjetër, për një kohë të gjatë, nuk ua ka lejuar shtetësinë e dyfishtë një pjesë të mirë të të huajve që kanë zgjedhur Italinë si vendin e tyre të dytë. Në fakt për një keqinterpretim të ligjit, me një dekret i ministrisë së Brendshme i 22 nëntorit 1994, vendosej që të huajt të cilët kërkonin shtetësinë italiane për natyralizim të paraqitnin përveç dokumenteve të tjera edhe ‘çertifikatën e heqjes dorë nga shtetësia e parë’. Kështu që praktikisht, edhe pse ndryshe nga ç’parashikonte ligji, përveç atyre që martoheshin me shtetas italianë, që birësoheshin nga italianë, apo që u jepej shtetësia për merita të veçanta, të gjithë të tjerët që kishin vendosur të jetonin e të punonin në Itali, për të marrë shtetësinë italiane, veç të tjerash, duhet të hiqnin dorë nga ajo e vendlindjes, edhe kur vinin nga vende që e lejonin shtetësinë e shumëfishtë. Dekreti ministerial ka qenë në fuqi deri rreth shtatë vjet më parë kur, me një tjetër dekret të Ministrisë së Brendshme të datës 7 tetor 2004, u shfuqizua.

Një tjetër dallim ligjvënësi e bën në lidhje me periudhën e nevojshme të rezidencës për marrjen e shtetësisë sipas statusit të kërkuesit. Kështu, nëse kërkohen të paktën dhjetë vjet rezidencë të ligjshme në territorin italian për shtetasit jokomunitarë, mjaftojnë vetëm tre për pasardhësit e shkallës së dytë të shtetasve italianë. Ligji në fuqi, edhe pse i vitit 1992 kur kishte nisur të ndihej disi ardhja e të huajve që nuk kishin asnjë lidhje të mëparshme me Italinë, sot thuajse nuk i përgjigjet aspak dukurisë gjithnjë e më të spikatur të imigracionit. Pra ligji në fuqi, edhe duke e krahasuar me ata të shteteve të tjera të BE-së, për aspekte të caktuara duket se është i paaftë t’i përgjigjet plotësisht kërkesës së re të integrimit që rrjedh nga dukuria e fuqishme dhe e re për Italinë e imigracionit. Në fakt ai mbizotërohet nga transmetimi i pakushtëzuar i shtetësisë sipas parimit të ius sanguinis, duke trajtuar si diçka të dorës së dytë fitimin e statusit të qytetarit italian sipas parimit të ius soli, në një kohë kur Italia prej vitesh nuk është më vend emigracioni por imigracioni.

Botohet dekreti i flukseve: gara nis më 31 janar

Mario Peqini që ëmbëlson Milanon