Ndryshime të ndjeshme në marrjen e shtetësisë ka sjellë në veçanti paketa e sigurisë e miratuar në vitin 2009. Pikat kyçe të saj (që në të vërtetë quhet ligji nr. 94 i 15 korrikut 2009 “Dispozita në çështjet e sigurisë publike”) janë padyshim shtrëngimet për emigrantët, veçanërisht për të rregulltit. Dhe nga këto shtrëngime, ato që kanë të bëjnë me shtetësinë janë ndër më të rëndat dhe që sjellin ndryshime thelbësore në ligjin për marrjen e shtetësisë.
Para ardhjes në fuqi të këtij ligji (më 8 gusht 2009), bashkëshorti i huaj i shtetasit italian mund të paraqiste kërkesë për marrjen e shtetësisë për martesë pas gjashtë muajve rezidencë në Itali (pra me regjistrim në zyrën e Gjendjes Civile) nga data e lidhjes së martesës. Madje, nëse më pas ndodhte ndarja e bashkëshortëve, praktika për njohjen e shtetësisë shkonte përpara, pasi ishte e mjaftueshme – nga çka parashikonte ligji në fuqi – që kushtet të plotësoheshin vetëm në çastin e paraqitjes së kërkesës gjë që u jepte të interesuarve njëfarë “të drejte të fituar”. Me ndryshimet e fundit të ardhura në fuqi më 8 gusht 2009 është zgjatur koha e martesës pas së cilës shtetasi i huaj mund të paraqesë kërkesë për shtetësi për martesë me shtetas italian. Nga gjashtë muaj kalohet në dy vjet rezidencë, por ky afat përgjysmohet në rast se çifti bëhet me fëmijë, qofshin këta edhe të adoptuar. Nëse pas paraqitjes së kërkesës në Prefekturë për njohjen e shtetësisë italiane ndodh ndarja apo zgjidhja e martesës, praktika e shtetësisë hidhet poshtë, pasi normat e reja përcaktojnë që martesa duhet të jetë e tillë deri në çastin e njohjes së shtetësisë nga Ministria e Brendshme.
Me ligjin për sigurinë është futur gjithashtu edhe kontributi prej 200 eurosh për të gjitha kërkesat për shtetësi (për cilindo motiv qofshin) që paraqiten nga 8 gushti 2009 e këtej, edhe pse vështirë të gjesh një lidhje mes kontributit që duhet të paguajnë të huajt dhe sigurisë së vendit, por kjo është tjetër histori.
Përgatiti Keti Biçoku