Jam rezident në Itali prej 13 vjetësh e gjatë 5 vjetëve të fundit punoj me kontratë të rregullt. Dua të paraqes kërkesën për shtetësinë italiane. Çfarë dokumentesh duhet të paraqes e si t’i paraqes, sepse më kanë thënë që aplikimi bëhet online?
Romë, 21 prill 2016 – Sipas nenit 9 të ligjit mbi dhënien e shtetësisë, qytetarët e huaj mund të paraqesin kërkesë për marrjen e shtetësisë pas një periudhe të caktuar rezidence në territorin italian që shkon nga 4 vjet nëse i interesuari është shtetas i komunitetit europian, 5 vjet nëse është i paatdhe dhe 10 (dhjetë) vjet nëse është jokomunitar (pra, një shqiptar mund të kërkojë shtetësinë italiane për rezidencë, pasi ta ketë këtë të fundit prej dhjetë vjetësh) dhe nëse kanë të ardhura jo më të ulëta se një shumë e përcaktuar (8.500 €) për secilin vit të trevjeçarit të fundit.
I huaji duhet të ketë jo vetëm kodin fiskal, lejeqëndrim, pasaportë dhe kartë identiteti, të gjitha të vlefshme, por duhet të sigurojë më parë edhe këto dokumente nga vendlindja:
– Certifikata e lindjes: nëse nuk ka lindur në Itali, kërkuesi duhet të ketë aktin e lindjes i legalizuar (me vulë apostile, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar. Në rastin e grave që kanë marrë mbiemrin e të shoqit, nëse në certifikatën e lindjes nuk është shënuar edhe mbiemri i vajzërisë, duhet paraqitur edhe certifikatë e martesës, edhe kjo e legalizuar dhe me përkthim të legalizuar, dhe/ose një deklaratë konsullore ku të jenë shënuar qoftë mbiemri i vajzërisë qoftë ai aktual (i të shoqit);
Nëse i huaji është refugjat apo i paatdhe, në mungesë të certifikatës së lindjes, mund të paraqesë një vetëcertifikim me të cilin të tregojë të dhënat e veta personale dhe të prindërve (emër, mbiemër, vendlindjelindje dhe datëlindje) që bën pranë Kancelerisë së një zyre gjyqësore.
– Certifikata penale: kërsuesi duhet të paraqesë certifikatën penale të marrë në vendlindje (dhe e vendeve të tjera të mundshme ku mund të ketë jetuar më parë i interesuari, Greqia për shembull, nëse ka qenë emigrant edhe atje) të legalizuar (vulë apostile, për dokumentet shqiptare) dhe me përkthim të legalizuar. Ky dokument vlen 6 muaj nga data e lëshimit. Pasi kalon kjo periudhë duhet të kërkohet një e re (e të bëhet nga e para legalizimi me vulë apostille, përkthimi dhe legalizimi i përkthimit). Nëse kërkuesi është i paatdhe apo refugjar e nuk mund të sigurojë këtë dokument, mund të paraqesë një vetëcertifikim, në të cilin, nën përgjegjësinë e tij, të deklarojë që nuk ka dënime penale apo procese gjyqësore penale në ngarkim.
Vetëm nëse i huaji jeton në Itali pa shkëputje prej moshës 14 vjeç, ky dokument nuk nevojitet.
Nga maji 2015 kërkesa paraqitet online përmes portalit të ministrisë së Brendshme Italiane, duke përpiluar me korrektësi formularin elektronik B (këtu gjeni udhëzimet e ministrisë për përpilimin e tij), përfshirë të dhënat mbi të ardhurat dhe ato mbi një pullë-taksë me vlerë 16,00 euro. Kërkesës i duhen bashkangjitur në format elektronik, pra të skanarizuara (pranohen formatet .pdf, .jpg, .tiff), të dokumenteve të mëposhtme:
- Karta e identitetit, pasaporta, kodi fiskal dhe leja e qëndrimit apo dëshmia e qëndrimit për komunitarët, të gjitha të vlefshme dhe në një file të vetëm.
- Certifikata e lindjes, bashkë me legalizimin e përkthimin në një file të vetëm.
- Certifikata penale, bashkë me legalizimin e përkthimin në një file të vetëm.
- Kuponi i pagesës së kontributit prej 200 eurosh (këtu gjeni një facsimile).
Në bazë të dekretligjit nr. 5/2012 për thjeshtëzimin e zhvillimin, të gjitha dokumentet e tjera që më parë kërkoheshin (certifikata e çështjeve penale të hapura dhe të kartotekës së gjykatës, certificata e rezidencës, gjendja civile, deklarata e të ardhurave) mund të vetëcertifikohet përmes një modeli të paracaktuar në bazë të DPR 445/2000 pasi Prefektura mund të verifikojë vërtetësinë e informacioneve të deklaruara përmes një procedure të brendshme duke komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, Komunën e rezidencës dhe Agjencinë e Tatim-taksave. Kujdes, lëshimi i deklaratave të rreme sanksionohet me ligj.
Në pas Prefektura do të thërrasë aplikuesin pranë zyrave të veta për të dorëzuar të gjitha dokumentet në origjinal hde pullë-taksën e regjistruar në kërkesë.
Maria Elena Arguello
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)