Dua të paraqes kërkesë për shtetësinë italiane. Kam mbledhur të gjitha dokumentet, edhe certifikatat (të lindjes e penale) nga vendlindja por kam datën e takimit në Prefekturë shumë larg e kam frikë se mos më skadojnë këto dokumentet që kam marre në atdhe. A mund të më thoni për sa kohë janë të vlefshme këto certifikata?
Sipas ligjeve në fuqi në Itali, certifikatat e lëshuara nga administrata publike që dëshmojnë gjendje, cilësi personale dhe fakte të pandryshueshme në kohë janë gjithnjë të vlefshme. Të gjitha certifikatat e tjera kanë vlerë vetëm gjashtë muaj nga data e lëshimit (sipas nenit 41 të D.P.R. 445/2000). Ky kriter është i vlefshëm edhe për dokumentet e lëshuara nga vende të tjera e të përdorura në Itali.
Kjo do të thotë që certifikata e lindjes është gjithnjë e vlefshme sepse të dhënat që ajo dëshmon (datë e vend lindjeje dhe prindërit) nuk ndryshojnë me kalimin e kohës, me përjashtim të rasteve të birësimeve apo të njohjes m vonesë të fëmijës nga njëri prej prindërve.
Ndërsa certifikata që dëshmojnë një situatë që mund të ndryshojë në kohë, si për shembull certifikata e martesës apo ajo penale, të lëshuara nga vendlindja janë të vlefshme vetëm për gjashtë muaj.
Nuk duhet harruar që përpara se dokumentet e marra në vendlindje të paraqiten për kërkesën e shtetësisë, ato duhet të legalizohen nga qeveria që i ka lëshuar (në rastin e Shqipërisë, legalizohen me Pullë Apostille në Ministrinë e Jashtme), më pas duhen përkthyer në gjuhën italiane dhe përkthimi duhet legalizuar në konsullatën italiane ne vendlindje nëse bëhet atje, ose duhet të bëhet nga një pëkthyes i betuar nëse zgjidhet të përkthehet në Itali.
Së fundi, duhet mbajtur parasysh që disa prefektura, për shkak të kohës së gjatë të pritjes për marrjen e takimit për paraqitjen e kërkesës për shtetësinë, pranojnë certifikatat penale edhe kur kanë kaluar gjashtë muajt me kusht që kërkuesi të mos jetë kthyer më në vendlindje pas lëshimit të certifikatës. Por meqë kjo nuk është praktikë e përdorur kudo, këshillohet të kontaktohet Prefektura kompetente në rast se hasen vështirësi për të marrë takim për paraqitjen e kërkesës para datës së përfundimit të afatit të vlefshmërisë së dokumentacionit të mbledhur.
Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)