in

Shtetësia. Livia Turco: “Në parlament ekziston mazhoranca për reformën”

“Partitë të heqin dorë nga etiketat, mbi ius soli të zbutur mund të ketë një mirëkuptim të gjerë. Ta bëjmë menjëherë për të mirën e Vendit, pikërisht në 150 vjetorin e Bashkimit”. Intervista

Romë 25 nëntor 2011 – “Forcat politike të heqin dorë nga etiketat dhe të bien dakord mbi reformën e shtetësisë për brezat e dytë. Është e mundur të gjejmë një mirëkuptim të gjerë mbi ius soli të zbutur, një akt humaniteti dhe gjykimi të shëndoshë që ka të bëjë me të ardhmen e Vendit, e forcon dhe ngre më në fund një unitet të Italisë, mes italianëve të rinj e të vjetër”.

Është e bindur Livia Turco, presidente e Forumit për Imigracionin e PD-së. “Me rënien e qeverisë Berlusconi – shpjegon për Stranieriinitalia.it – ka rënë edhe mbështetja e Legës, forcë politike që gjithnjë ka qenë shumë e armiqësore ndaj imigrantëve dhe ndaj reformës së shtetësisë, siç tregojnë edhe deklaratat e këtyre ditëve. Deri dje kishim një qeveri që mbi temën e shtetësisë ka penguar formimin e një mazhorance parlamentare në favor të ndryshimit”.

E tani?

Tani kemi një qeveri të përbërë nga persona seriozë, me kompetencë e mendje të hapur ndaj imigrantëve, një qeveri që dëshiron dialogun me parlamentin.

Por pse qeveria dhe një Parlament të angazhuar kryesisht në administrimin e emergjencës ekonomike duhet të merret edhe me të drejtën e shtetësisë?

Kjo temë u ngrit pak ditë më parë nga kryetari i grupit të PD-së në Dhomën e deputetëve Dario Franceschini dhe, akoma me më shumë forcë edhe nga sekretari ynë Pierluigi Bersani. Ne të Partisë Demokratike, duam që të merret në shqyrtim në këta muaj të vështirë sepse mendojmë që Vendi ynë, pikërisht sepse po kapërcen një periudhë të krize të rëndë ekonomike dhe shoqërore, ka nevojë për kohezion dhe solidaritet, për qëndrime më njerëzore.

Pra reforma do të kishte edhe një vlerë simbolike?

Të flasësh sot për bijtë e imigrantëve, të ndërrosh një ligj kaq pengues, kaq çnjerëzor është akt humaniteti dhe logjike të shëndoshë e më duket se është shumë e rëndësishme që pikërisht sot politika të tregojë arsye të fortë, të tregojë se është e drejtë me të gjithë, se vepron me kompetenca dhe me humanitet.

Propozimet e reformës janë të shumta, të vjetra e të reja, gjenden në parlament por edhe në shesh ku po mblidhen firmat për një ligj me iniciativë popullore. Si mund të gjendet një marrëveshje?

Besoj se mund të bihet dakord mbi ius soli të zbutur. Ne themi që duhet të jetë italian ai që lind në Itali nga imigrantë që tregojnë se janë tashmë të rrënjosur në Itali, dhe kjo mund të përcaktohet përmes kriterit të pesë vjetëve rezidencë të rregullt, ose të miturit që arrijnë këtu të vegjël dhe përmbushin një cikël shkollor. Të shkojmë të gjithë drejt kësaj ideje, të përqendrohemi mbi thelbin e të lëmë mënjanë etiketat politike, dhe vetëm kështu do të mund të reformojmë ligjin.

Mbi ç’shifra mbështeteni? Lega tashmë e ka dhënë mendimin e saj kundër, çfarë mund të pritet nga Populli i Lirive?

Besoj se reforma mund të ketë në favor të saj një mazhorancë të gjerë. Të pranosh që kush lind dhe rritet në Itali është italian, të ndryshosh një ligj kaq të ashpër që përfaqëson rast unik në Europë, do të thotë të forcosh Italinë dhe parimin e kohezionit kombëtar. Dhe është e rëndësishme ta bësh ndërsa festohet 150 vjetori i Bashkimit të Italisë. Ky nuk ka kuptim vetëm me rrënjët tona, por forcohet dita ditës edhe duke parë drejt të ardhmes, drejt energjive dhe potencialeve të reja. Bashkimi i Italisë sot nuk mund të kuptohet pa unitetin e kohezionin mes italianëve të vjetër e atyre të rinj.

Elvio Pasca

Janë 971 shqiptarët që kanë kërkuar strehim në Belgjikë nga fillimi i vitit

Arrestohen dy vëllezërit Tanushi, pas 50 vjedhjesh në apartamente