Parlamenti grek miraton reformën për brezat e dytë. “Ky është atdheu i tyre, nuk janë migrantë”
Athinë, 26 qershor 2015 – Greqia i jep një leksion të mirë Italisë mbi të drejtat e brezave të dytë. Më 24 qershor, në Athinë, Parlamenti i ka dhënë miratimin e parë një propozimi ligji për t’u dhënë shtetësinë greke bijve të imigrantëve.
Më saktësisht, për ta do të aplikohet kriteri ius soli (e drejta e shtetësisë për lindje në Greqi) i zbutur, i njëjti për të cilin flitet edhe në Itali, por ku akoma nuk është hedhur asnjë hap konkret. Do të jenë grekë bijtë e lindur në Greqi nga prindër që jetojnë rregullisht në atë vend pas një numër vitesh, me kusht që të jenë të regjistruar në shkollën fillore. Sipas përllogaritjeve, mund të përfitojnë nga ky ligj nga 100 deri në 200 mijë fëmijë e të rinj, kryesisht shqiptarë (komuniteti shqiptar në Greqi përbën më shumë se gjysmën e të gjithë të huajve të pranishëm në vend).
Projektligji mban firmën e Tasia Christodoulopoulou, ministre e imigracionit dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.
“Çfarë duhet t’u themi të gjithë migrantëve që, pavarësisht vështirësive, vazhdojnë të qëndrojnë në Greqi e duan që bijtë e tyre të bëhen grekë? T’u themi që bijtë e tyre janë migrantë? Nuk janë, atdheu i tyre i vetëm është Greqia” u shpreh Christodoulopoulou në Parlament gjatë prezantimit të projektligjit.
Kështu, ndërsa në Romë reforma e shtetësisë vazhdon të mbetet në pritje, duke përfunduar gjithnjë në fund të radhës së çështjeve të konsideruara më urgjente, Greqia shkon përpara në këtë aspekt, edhe pse në këto çaste ka probleme padyshim shumë më të mëdha se Italia.
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com