in

Shtohen fatkeqësitë në punë mes të huajve, pakësohen vdekjet e bardha

Sipas Inail-it, ndryshe nga tendenca e përgjithshme e dukurisë, gjatë vitit 2010 vërehet rritje e numrit të aksidenteve në punë të punonjësve të huaj. Por bie numri i të ashtuquajturave “vdekje të bardha”. Çdo dy të vdekur të huaj në punë një është rumun, shqiptar ose maroken.

Romë, 5 korrik 2011 – Raporti vjetor i Inail-it (Instituti Kombëtar për Sigurimin Kundër Fatkeqësive në Punë) dëshmon dhe një herë se fenomeni i vdekjeve në punë mbetet një plagë e vërtetë në Itali. Por për herë të parë në vitin 2010, që pas luftës aksidentet vdekjeprurëse në vendin e punës kanë rënë nën kuotën 1.000. Sipas Inail-it aksidentet në punë janë në rënie, megjithëse kjo rënie është shumë e vogël. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 775.374 aksidente në punë, 1,9% më pak se 790.112 të vitit 2009 (rreth 15 mijë aksidente më pak). Vdekjet në punë kanë qenë 980, 6,9% më pak se 1.053 e vitit  2009.

Por nëse shifrat e përgjithshme të aksidenteve në punë janë ulur paksa, për punonjësit e huaj, viti 2010 ka qenë më i rëndë se ai i mëparshmi. Nga 119.240 aksidente që të huajt kanë pasur në vendin e punës në vitin 2009, është kaluar në 120.135 në 2010. Janë shtuar në mënyrë të ndjeshme, në masën 6,8%, aksidentet mes grave të huaja. Për fat të mirë janë pakësuar me 4,2% rastet e aksidenteve vdekjeprurëse të cilat kanë kaluar nga 144 në vitin 2009 në 138 gjatë vitit të kaluar.

Fatkeqësitë në punë të të huajve përfaqësojnë 15,5% të të gjitha fatkeqësive, ndërsa në rastin e vdekjeve të bardha 14,1%. Në përpjesëtim me numrin e të punësuarve, të huajt lëndohen apo mbeten viktima në vendin e punës më shpesh se kolegët e tyre italianë. Sepse punojnë në sektorët më me rrezik si ndërtimi, industria mekanike dhe e metaleve, por edhe për shkak se njohin më pak rregullat e sigurisë në punë apo sepse, për motive të ndryshme, nuk i zbatojnë ato.

Shqiptarët janë ata që bashkë me marokenët dhe rumunët pësojnë më shumë fatkeqësi në punë. Këto tri kombësi së bashku preken nga 39,2% e fatkeqësive në punë të huajve, madje po të shihen rastet e vdekjeve të bardha, kjo arrin në 48,5%, pra rreth gjysma e vdekjeve të bardha në punë të emigrantëve gjatë vitit 2008 ka pasur si viktimë një rumun, një shqiptar ose një maroken.

Gjatë vitit 2010 janë më të shumtit rumunë, personat që kanë denoncuar një aksident në punë (rreth 18.900) ashtu edhe ata që kanë humbur jetën në punë (30 persona). Maroku radhitet i dyti me 16 mijë raste fatkeqësie në punë, që renditet i treti për sa i përket rasteve vdekjeprurëse (12). Shqipëria, më 12.286 raste aksidentesh në punë, ka kaluar nga vendi i tretë në vendin e dytë të listës së dhimbshme të vdekjeve në punë, me 25 raste gjatë vitit 2010. Për fat të keq, viktimat mes punonjësve shqiptarë gjatë vitit 2010 përbëjnë 18,1% të të gjitha viktimave të huaja, ndërsa në vitin 2009 ata përbënin vetëm 11,3%.

Ir.Ca.

Shkarko Raportin vjetor INAIL

Lexo edhe udhëzuesin: I huaj por jo i përjashtuar. Të punosh në siguri të plotë

Instat: Shqiptarët punojnë 4 orë e flenë 9 orë në ditë

Shqiptarët pa viza edhe në Serbi