in

Si kontrollohen periudhat kontributive e si aplikohet për pension në Shqipëri

Jam emigrante në Bergamo. Më 20 dhjetor 2014, mbush moshën 60 vjeç. Në Shqipëri kam 21 vite pune me kontribute. Libreza e punës më ka humbur. Së pari ç’duhet të bëj që të gjej vjetërsinë e punës dhe ç’dokumente do më duhen për pension. A është e domosdoshme të kthehem personalisht në Shqipëri për të aplikuar?

Përsa i përket shqetësimit që keni për mungesën e librezës së punës, në këtë aspekt një ndihmë të rëndësishme e ofron patronati INAS. Çdokush mund t’i drejtohet patronatit për të pasur konfirmim për periudhat e punës e të kontributeve të derdhura në të gjithë institucionet dhe ndërmarrjet ku ka punuar. Bazuar në marrëveshjen që INAS ka lidhur me Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri, ISSh, patronati është në gjendje të verifikojë të gjitha periudhat kontributive, në arkivën e këtij institucioni.

Duke qenë se arkivi i vjetërsisë së punës është në proces informatizimi, por ende nuk ka përfunduar, për përgjigjen do të duhet një kohë prej më pak se 1 muaj.

Në rast të kundërt – pra kur i interesuari i di me saktësi periudhat e punës e të kontributeve të derdhura, – në çastin e aplikimit për pension, përpilon formularin PERIUDHA SIGURIMI, në të cilin shënon në rend kronologjik, të gjitha të dhënat mbi periudhat kontributive:

Ndërmarrja/Institucioni/Ish-Kooperativa/Subjekti ku ka punuar
Detyra që ka kryer
Data e fillimit të punës
Data e largimit nga ai vend pune
Vërejtje

Për aplikimin për pension, sipas mundësisë që keni, mund të paraqiteni vetë, ose të prokuroni një të afërmin tuaj. Të gjitha procedurat mund t’i bëni edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të INAS-it, pa asnjë pagesë.

Kushtet e përfitimit:

Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur:
a) Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë;
b) Të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi;
c) Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;

Në rastin Tuaj, do të përfitoni pension të pjesshëm pleqërie, që është i barabartë në përqindje me raportin 21 vite që keni, me 35 vite që nevojiten për pension të plotë pleqërie, pra ju do të merrni 60% të pensionit të plotë.

Dokumentacioni që duhet të paraqitni:

Fotokopje e kartës së identitetit;
Certifikatë e gjendjes familjare;
Certifikatë martese per gratë (për efekt të mbiemrit të kohës së vajzërisë, me të cilin mund të ketë periudha pune);
Dy fotografi;
Libreza e punës (në mungesë të saj plotësimi i rubrikave të punës);
Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
Diploma e shkollës së lartë për gratë (e cila konsiderohet vjetërsi pune);
Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë;
Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive;
Fotokopje e Librezës së pagimit të energjisë elektrike.

Për sqarime të mëtejshme mund t’i drejtoheni Patronatit INAS –ALBANIA, ku çdo ndihmë ofrohet falas, duke shkruar një email në N.Balluku@inas.it; Albania@inas.it; ose duke telefonuar ne 003554531748 – 00355665708074.

Përgatiti Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

 

Çmimi Anna Cenerini Bova: 2.000 euro për të riun e vitit

Lamtumirë Besa Imami, Donika Kastrioti e kinematografisë shqiptare