Arrestohet një shqiptar 28 vjeç që u kërkonte automobilistëve të merrnin të bijën dymuajshe e të kujdeseshin për të
Romë, 30 shtator 2013 – Ka provuar “t’i dhurojë” vajzën e tij dymuajshe ndonjë automobilisti zemërgjerë sepse nuk mund ta mbante. Është ky lajmi i trishtë që jep agjencia e lajmeve ANSA. Episodi ka ngjarë në Villasmundo të Siracusës, natën duke gdhirë 30 shtatori, që ka për protagonist një shqiptar.
Në një pikë karburanti, 28 vjeçari shqiptar u është afruar disa automobilistëve dhe u ka kërkuar të kujdeseshin për foshnjën e tij të cilën nuk kishte me çfarë ta ushqente. Të tronditur nga oferta e pazakontë, dëshmitarët kanë lajmëruar menjëherë karabinierët.
Foshnja, e lindur më 5 gusht, është çuar në repartin e Ndihmës së Shpejtë të Umberto I në Siracusa, ndërsa i ati i saj është arrestuar me akuzën e tentativës së braktisjes së të miturit.
Gjatë natës është kontaktuar edhe e ëma e foshnjës, një rumune 27 vjeçe që është paditur për të njëjtën akuzë.
Redaksia Shqiptariiitalise.com