in

Sigurimet e makinës më të shtrenjta për imigrantët. “Zyrich e Quixa diskriminojnë”

Gjykata e Milanos do të vendosë mbi rritjen “etnike” të du kompanive të sigurimeve. Avokati Guariso (Asgi): “Dallimet për shtetësinë të ndaluara me ligj. Nëse lind i huaj e bëhem italian, ngas më mirë makinën?”

Romë 8 nëntor 2011 – Kthehen në Gjykatë tarifat RC Auto të fryra të aplikuara klientëve imigrantë nga disa kompani sigurimesh.

Pak muaj më parë Genialloyd, e çuar në gjyq nga një qytetar tunizian që kishte zbuluar se paguante 170 euro më shumë se italianët, premtoi se do të hiqte shtetësinë nga parametrat e përdorur për llogaritjen e sigurimit. Një shembull që nuk u ndoq nga Quixa dhe Zyrich, kundër të cilave Shoqata e studimeve juridike mbi imigracionin, Asgi, dhe ‘Avvocati per niente Onlus’, Apn, do të hapin në Milano një çështje civile antidiskriminuese.

Në kauzën e ndjekur nga avokatët Alberto Guariso dhe Livio Neri, përmenden preventivat e përgatitur në faqet internet të dy shoqërive të sigurimeve, duke futur gjithnjë të njëjtat parametra, me përjashtim të shtetësisë. Zbulojnë se, me Zyrich, tarifa prej 465 eurosh e ofruar një italiani, shkon në 665 euro nëse në timon është një shqiptar. Ndërsa 414 eurot e kërkuar nga Quixa një italiani bëhen 625 euro nëse ai që nget makinën është nga Kameruni.

E megjithatë, kujtojnë Asgi dhe Apn, neni 43 i Tekstit unik mbi imigracionin thotë që kryen diskriminim “kushdo që cakton kushte më të rënda apo refuzon t’u japë të mira e shërbime një të huaji vetëm për shkak të faktit që nuk është italian”. Dy shoqatat i kërkojnë gjykatësit të verifikojë këtë shkelje e të detyrojë sigurimet të heqin shtesën “etnike” të tarifave, duke u kthyer klientëve imigrantë paratë që u ka marrë padrejtësisht.

Sjellja e shoqërive Zyrich dhe Quixa kishte qenë në qendër të një hulumtimi të botuar disa muaj më parë edhe nga shqiptariiitalisë.com.

Në atë rast, dy shoqëritë kishin mbrojtur zgjedhjen e tyre duke u justifikuar me statistikat, që sipas tyre tregojnë njëfarë varësie mes shtetësisë dhe “një tipi sjelljeje në ngasjen e makinës dhe, për rrjedhojë, një tip rreziku”. “Nuk është diskriminim”, kishin shpjeguar asokohe, të mbështetura nga Ania, shoqata kombëtare e sipërmarrjeve të sigurimeve, sipas të cilës “parametri i kombësisë ndikon njësoj si të gjithë faktorët e tjerë që diferencojnë rrezikun”.

Këto shpjegime, sipas Guarisos, nuk qëndrojnë në këmbë. “Të bësh dallime në bazë të shtetësisë – thotë për stranieriinitalia.it – ndalohet shprehimisht me ligj, dhe kjo gjë vlen pavarësisht nga justifikimet ekonomike. Shoqëritë mund të kishin ofruar tarifa të ndryshme për shoferë të dobët apo të shëndoshë – bën shaka avokati – por nuk mund të diskriminojnë mes italianëve dhe të huajve”.

Pa marrë parasysh që shtetësia nuk është një cilësi “natyrore” e ngasësit të makinës, por mund të ndryshojë me kalimin e viteve. “Nëse lind shqiptar e pastaj bëhem italian, ky ndryshim do të ketë pasoja edhe mbi mënyrën time të dhënies së makinës?” ngre pyetjen Guariso. Natyrisht që jo. Por përgjigjen më të rëndësishme pritet ta thonë gjykatësit.

Elvio Pasca 

Shpresa, Gioia dhe Janissa mbërrijnë në Shqipëri

Dy shqiptarë të goditur me thikë pas një grindjeje në një lokal