Silvana Braçe, prezantuesja e njohur e televizonit shqiptar jeton në Rimini. Rrëfen ndryshimin 360 gradësh që ka pësuar jeta e saj pas shkëputjes nga Shqipëria e nga ekrani i vogël, e “përpirë” nga dashuri e familjes dhe veçanërisht nga Fatjoni i vogël, fëmija i saj i parë…
Në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, Silvana Braçe ka qenë një nga fytyrat më të njohura të televizionit shtetëror. Falë elegancës dhe tonit të saj të ëmbël me të cilin drejtonte praktikisht të gjitha programet variete të TVSh-së, brenda një kohe të shkurtër ishte bërë “zonja” e televizionit. E diplomuar në Ekonomi në universitetin e Tiranës, e pasionuar me vallëzimin, në vitin 2004 vendos të ndjekë të shoqin në Itali. “Nuk e pata të vështirë të vendosja mes Tiranës dhe Riminit, pasi isha shtatzënë dhe kisha vendosur të mos punoja për disa kohë. – tregon Silvana – Dhe Fatjoni lindi në një ditë të bukur shtatori të 2004-ës këtu në Rimini”. Për thuajse njëzet vjet (kur televizioni publik impononte shumë më tepër ngurtësi se stili i harlisur i rrjeteve të sotme) kjo zonjë e ëmbël me flokët e verdha mbushi shtëpitë e shqiptarëve me buzëqeshjen e saj të ngrohtë.
“Vitet e para kam pasur edhe vështirësi me drejtuesit e televizionit, pikërisht sepse e konsideronin pamjen time në skenë tepër perëndimore dhe më kritikonin për buzëqeshjen time, të tepruar sipas tyre” kujton ajo. Silvana tregon që në fillimet e karrierës së saj kishte si model frymëzimi Raffaella Carrà. “Carrà ka qenë për mua vetëm frymëzim pasi unë nuk mund të vishesha apo të krihesha si ajo dhe as të kërceja si ajo: do të më kishin përzënë menjëherë”. Pas rënies së regjimit, gjatë viteve nëntëdhjetë, megjithë kërkesat e majme nga televizionet private, Silvana vazhdoi të punonte në televizionin shtetëror: “Puna në TVSh më ka dhënë gjithnjë një kënaqësi të veçantë. Është vendi ku u rrita. – thotë ajo – Nuk jam materialiste dhe më ka mjaftuar dashuria e publikut, ngrohtësia e tij. Edhe rënia e regjimit nuk më ka ndryshuar shumë, me përjashtim të faktit që tani vesh rroba më elegante që i kisha ëndërruar dhe që më parë nuk mund të vishja në skenë”.
Në vitin 2002 i mbërriti ftesa nga shoqata “Amicizia” e Riminit për të prezantuar një koncert në Itali. “E pikërisht atëherë u njoha me bashkëshortin tim të tanishëm, Agron Çekën, që është presidenti i shoqatës “Amicizia”. Ramë në dashuri me shikim të parë”.
Por thirrja e skenës ishte e papërballueshme për Silvanën dhe shumë shpejt u kthye të publiku i saj tashmë i ri. Vërtet nuk drejton më programe televizive, por prezanton spektakle në të katër anët e botës ku ka shqiptarë. Së fundi ka prezantuar koncerte të organizuara nga shqiptarët në ShBA, në Angli, Vendet Skandinave, Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe natyrisht në Itali. “Edhe pse pa magjinë e telekamerave, këto spektakle më dhurojnë gjithnjë kënaqësi e emocione të thella. “Kujtoj ende me emocion prezantimin e një koncerti të madh kur trupat e NATO-s çliruan Kosovën. Ishte 1 gusht 1999, në stadiumin e Prishtinës kishte mëse 50.000 spektatorë që ndoqën atë që u quajt Koncerti i Fitores”.
Edhe sot e kësaj dite në Shqipëri Silvana Braçen e njohin dhe e duan të gjithë. Shumë rrjete televizive ritransmetojnë edicione të vjetra festivalesh dhe programe të drejtuara prej saj. Është vërtet një star në Shqipëri, praktikisht e panjohur në Itali. “Për mua është diçka e re, ndryshe, por që pëlqen. Jam një shqiptare që jeton në Itali, dua të jem një prej tyre, dhe jo një “prezantuese vip”. Ç’vlerë do të kishte kurrikulumi im këtu?”-
Në të ardhmen e Silvanës është padyshim Italia: “E kam dashur gjithnjë këtë vend ndaj edhe sikur të largohem një ditë prej këtej, do të kem në zemër, sepse tani është pjesë e jetës sime”. Silvana ka akoma një ëndërr të parealizuar, të interpretojë në një film. “Ku i dihet, ndoshta një ditë, këtu në Itali…”.
Irida Cami, qershor 2008