in

Silvio Berlusconi paditet për nxitje të urrejtjes raciale

Denoncimin e bën 64 vjeçari Khawatmi, me origjinë nga Siria, me pasaportë italiane dhe kanadeze, prej dyzet vjetësh në Parma

Romë 5 qershor 2011 – Riad Khawatmi, i lindur në Halab të Sirisë, që jeton prej 40 vjetësh në Parma, ka paraqitur një padi kundër Silvio Berlusconit duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes raciale.

Riadi, tashmë italian prej shumë vitesh, është ndier i ofenduar nga fjalët e kryeministrit Berlusconi gjatë fushatës elektorale në Milano në mbështetje të Letizia Morattit kur mes të tjerash tha: “Nëse fiton Pisapia, Milano do të kthehet në një qytet islamik”. Ndaj ka shkuar tek karabinierët e kazermës në rrugën e Fonderie në Parma dhe ka paraqitur padi për nxitje të urrejtjes raciale.

Madje ka premtuar t’u drejtohet edhe autoriteteve të Kanadasë (është edhe shtetas i  këtij vendi) dhe të Shteteve të Bashkuara ku, duke mos ekzistuar procesi gjyqësor në mungesë, përveç rasteve të jashtëzakonshme e shumë të rralla, kryeministri italian do të rrezikonte arrestimin në rast se do të shkonte. “Për ligjin e atjeshëm, kush fyen një qytetar për racën, ngjyrën e lëkurës dhe fenë e tij, në cilëndo anë të botë, kryen një vepër penale federale”, ka shpjeguar Khawatmi.

“Kreu i qeverisë ka përdorur shprehje fyese dhe ksenofobe kundër 2 milionë e gjysmë italianëve” ka shpjeguar Riad. “Në këtë rast nuk hyn politika as e majta apo e djathta. Çështja është që kreu i qeverisë së një vendi demokratik si Italia duhet të përfaqësojë dhe të mbrojë të gjithë shtetasit pavarësisht nga feja, kombësia apo ngjyra e lëkurës. Ky parim vlen në të gjithë Europën ashtu si edhe në Amerikën e Veriut, ku ka vende të lira e demokratike. Në këtë rast kryeministri i Italisë ka fyer të gjithë qytetarët myslimanë italianë dhe ka diskriminuar një besim fetar të përhapur në mbarë botën”.

Khawatmi, 64 vjeç, mysliman jo praktikues, është ekspert në marrëdhënie ndërkombëtare si edhe sekretar i shoqatës siriano- çifute të Kanadasë dhe të Shteteve të Bashkuara. Një iniciativë si kjo e ndërmarra ndaj Berlusconit, nuk e ka për të parën herë. Tre vjet të shkuara në të njëjtën mënyrë trajtoi edhe legistin Giancarlo Gentilini që përpara popullit legist kishte këshilluar myslimanët klientë të një phone center-i “të shkonin të shurronin në xhamitë e tyre”. Në Itali, i akuzuar nga Khawatmi për nxitje të urrejtjes raciale dhe fyerje të vendeve të shenjta, Gentilini u dënua n tetor të vitit 2009 me 4 mijë euro gjobë dhe me ndalimin e marrjes pjesë në manifestime publike për tre vjet, dënim gjithsesi i pezulluar. Nga ana tjetër,  Gentilini u dënua qoftë në Shtetet e Bashkuara e qoftë në Kanada.

 

 

Aksident rrugor në Massa Carrara. Vdes një e re, plagosen dy të tjerë

Karta e qëndrimit. Ç’dokument duhet të kesh që të mos bësh testin e gjuhës