Sipërmarrësi kosovar: 1 milion euro për kuqezinjtë nëse fitojnë kundër serbëve
Plot 1 milion euro për kombëtaren shqiptare nëse ajo fiton ndaj Serbisë të martën. Kështu ka premtuar para gazetarëve Besnik Benz, sipërmarrësi kosovar pronar i kompanisë “Garage Benz Universel” që jeton dhe punon në Zvicër.
Lajmi u bë publik nga portali rugovapress.com. Sipas tij, Besnik Benz ka marrë këtë vendim pas njoftimit nga pala serbe se në ndeshjen Serbi – Shqipëri policia do të arrestojë çdo tifoz që mban në duar simbole të kombëtares së Shqipërisë.
Benz, tifoz i flaktë kuqezi, është shprehur se e ka prekur thellë qëndrimi i mbajtur nga Serbia që edhe në sport përpiqet “të na kufizojnë që ta përkrahim kombëtaren tonë”, ndaj edhe ofron shpërblimin me vlerën e 1 milion eurove për fitoren e kombëtares tonë. Madje ai fton edhe biznesmenët e tjerë që ta përkrahin kombëtaren në ndeshjen kundër serbëve.