Një zjarr i rastësishëm që shpërtheu në muajin gusht rrafshoi skenën e teatrit Skampa në kuintat e së cilës breza të tërë aktorësh, skenografësh e regjisorësh, patën shfaqur cilësitë e tyre më të mira. Përurohet me një ceremoni festive më 22 shkurt, në prani të autoriteteve vendore, ministrit të Kulturës, artistëve dhe artdashësve elbasanas
Më 22 shkurt artistë, intelektualë, qytetarë elbasanas kanë përuruar me një ceremoni festive tempullin e artit të qytetit, teatrin Skampa. Mes të pranishmëve ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, si edhe drejtori i përgjithshëm i Kompanisë “Sigal“ Avni Ponari. Në inaugurimin e teatrit, shiritin e përurimit të rikonstruksionit e preu kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, dhe drejtori i Kompanisë “Sigal”, i cili investoi pjesën më të madhe të parave për rindërtimin e Skampës.
Në fillim të muajit gusht të vitit të kaluar, një zjarr që ra aksidentalisht në godinën ngjitur me teatrin Skampa dogji plotësisht skenën 74-vjeçare të teatrit, duke e kthyer atë në hi dhe pa çati. Gjithashtu u dogjën plotësisht plateja, lozha dhe dhomat e artistëve, një dëm me vlerën e 1 milion eurove.
Vetëm pak ditë pas djegies së teatrit, kompania “Sigal”, me të cilën teatri ishte i siguruar prej më shumë se pesë vjetësh, hartoi preventivin dhe nisi punimet për rikonstruksionin e tij, ku një ndihmë dha edhe Bashkia e Elbasanit me vendim të Këshillit Bashkiak.
Skampa, i ndërtuar në vitin 1938, teatri me akustikën më të mirë në Shqipëri, është një nga nga veprat monumentale më të rëndësishme në Elbasan, Monument Kulture. Në vitin 1962 do të kthehej në një teatër aktiv, me një kapacitet prej 292 vendesh. Në historinë e gjatë të Skampës numërohen rreth 300 premiera të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nga ky teatër kanë dalë aktorë të shquar të vlerësuar me tituj të lartë si “Artist i Popullit”, “Artist i merituar”, “Aleksandër Moisiu” etj. Aktorët e parë profesionistë u morën nga grupet teatrore amatore. Pas shumë pjesëve me një akt trupa vuri në skemë dramën “Shtatë Shaljanët” dhe komedinë “ Njeriu që pa vdekjen me sy” të dramaturgut rumun Viktor Eftimiu. Kur kjo shfaqje u realizua në vitin 1970, autori pasi e pa shfaqjen në skenë vlerësoi lojën e aktorëve sidomos atë të Shpëtim Shmilit, Robert Ndrenikës dhe Haxhi Sejkos.
Sot, disa nga artistët që i dhanë emër teatrit nuk janë më, por kanë mbetur të gjallë në kujtesën e artdashësve elbasanas, të tjerë janë plakur dhe e gjejnë rastin për t’u shfaqur edhe një herë para publikut. Ndër këta të fundit, edhe veterani i kësaj skene dhe aktori i njohur të kinematografisë, Demir Hyskja, sytë e të cilit u mbushën me lot kur flakët u përhapën me “egërsi” në trarët e këtij teatri.
Kohët e fundit, teatri mbushet çdo vit me dhjetëra artistë nga e gjithë bota. Falë akustikës së këtij teatri, nga më të mirat në Shqipëri, në Elbasan zhvillohet i pari miting Ndërkombëtar Teatror dhe tashmë është kthyer në traditë të përvitshme.
Më 22 shkurt, në përurimin e teatrit të rikonstruktuar, kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, tha se “kemi sot këtë teatër për të gjithë qytetarët, për të rinjtë e qytetit, për artistët e këtij qyteti”. Për meritën e investimeve të menjëhershme për Skampën, bashkia i ka njohur Drejtorit të kompanisë “Sigal”, Avni Ponari, i cili në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se “të gjithë përjetuam mjaft emocione që vetëm arti di t’i dhurojë”. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, duke e cilësuar teatrin Skampa si një emblemë e qytetit, deklaroi se “është emblemë për shkak të shpirtit që kanë dhënë këtu plejada regjisorësh, aktorësh të cilët i kanë dhënë këtë emër të madh teatrit. Kjo që ka ndodhur është një mrekulli, pasi ky teatër është ngritur nga hiri, nuk ka gëzim më të madh kur qytetit i kthehet një nga vlerat e mëdha të tij, një teatër që u themelua nga filantropi Xhavit Biçakçiu”.
Në fund të ceremonisë përshëndetëse, në skenën e re të teatrit u zhvillua një koncert festiv me artistët e rinj të shkollës së mesme të muzikës “Onufri“ dhe të Qendrës së Artit. (ATSh)