in

Social Card edhe për imigrantët. Tani është ligj

Veç italianëve, do të mund ta kenë edhe qytetarët evropianë e jokomunitarë titullarë të kartës së qëndrimit. Risia në ligjin e stabilitetit të miratuar përfundimisht në Parlament

Romë, 24 dhjetor 2013 – Tani është ligj. Edhe imigrantët komunitarë dhe jokomunitarë titullarë të një lejeje qëndrimi CE për qëndrues afatgjatë, e njohur ndryshe si kartë qëndrimi, kanë të drejtën e Kartës Sociale, apo Social Card. Natyrisht nëse përmbushin kriteret e tjera e parashikuara për italianët.

Social Card (që ndryshe quhet edhe karta për blerje) është kartë e parapaguar në të cilën shteti ngarkon 80 euro çdo dy muaj. Këto para mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit.

Kjo ndihmë u jepet moshuarve mbi 65 vjeç osefëmijëve nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta (ISEE-Tregues të situatës ekonomike ekuivalente nën 6.700 euro në vit).

Deri tani u rezervohej shtetasve italianë rezidentë në Itali. Ligji i stabilitetit, që është ligji financiar 2014, i miratuar përfundimisht pasditen e 23 dhjetorit në Senat, parashikon që t’ua shtrijë këtë ndihmë edhe imigrantëve.

Teksti i miratuar në Parlament thotë që Social Card u jepet “rezidentëve italianë e komunitarë, ose familjarëve të shtetasve italianë apo komunitarë që nuk kanë rezidencën e një vendi anëtar të BE-së që kanë të drejtën e qëndrimit në Itali, ose shtetasve të huaj jokomunitarë që kanë lejen e qëndrimit BE për qëndrues afatgjatë”. Për vitin 2014 fondi shtetëror që ushqen këtë formë mbështetjeje ekonomike rritet “me 250 milionë euro”.

Ndokush mund të ngrejë zërin duke folur për dhuratë Krishtlindjeje që Qeveria u bën imigrantëve në një kohë krize. Nuk është aspak kështu. Edhe këtë radhë imigrantët duhet të falënderojnë Evropën. Në fakt, zgjedhja e qeverisë nuk është një “zemërgjerësi” ndaj imigrantëve, por mënyra për të kapërcyer procedurën e shkeljes të hapur edhe në këtë aspekt nga Brukseli kundër Italisë. Këtë radhë është fjala për direktivën 2003/109/CE, sipas të cilës qëndruesit afatgjatë duhen trajtuar si vendasit për sa u përket shërbimeve e ndihmës sociale.

Elvio Pasca

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lombardia. Kura mjekësore falas edhe për bijtë e të huajve pa lejeqëndrim

Colf, badanti e babysitter. È tempo di tredicesima