in

Social Card imigrantëve. Patronati INCA: “Po shkohet drejt zgjidhjes”

Patronati lajmëron se Postat Italiane dhe INPS-i kanë lidhur një marrëveshje për të përshtatur procedurat informatike dhe për të lëshuar kartat edhe imigrantëve. Piccinini: “Një rezultat i rëndësishëm, po mohohej një e drejtë për probleme teknike-burokratike”.

Romë, 3 prill 2014 – Më në fund duket se po gjen zgjidhje çështja e kartave sociale për imigrantët.

Ligji i fundit i stabilitetit u ka dhënë edhe të huajve me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, apo e ashtuquajtura kartë qëndrimi, të drejtën e kartës së parapaguar (e njohur si ‘Social Card’ apo karta e blerjeve), kartë e mbushur nga shteti me 80 euro çdo dy muaj që mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit, që u jepet të moshuarve mbi 65 vjeç ose fëmijëve nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta.

Por deri më sot kjo e drejtë ka mbetur vetëm në letër.  Përveç mungesës së informacionit apo keqinformimit nga anë e organeve institucionale, të huajt që vihen në radhë e provojnë të kërkojnë kartën në zyrat e postave kthehen mbrapsht pa mundur as të paraqesin kërkesën, për arsye se sistemi informatik i postave pranon vetëm kërkesat e shtetasve italianë.

Çështja ka përfunduar në gjykatë falë padisë së një shtetase marokene që jeton në provincën e Bergamos të cilës i është mohuar social card.  E Mbështetur nga ASGI, Cgil dhe nga kooperativa Ruah, gruaja ka hapur një çështje civile jo vetëm kundër diskriminimit të pësuar personalisht (nuk ka mundur të paraqesë kërkesë sepse është e huaj), por kundër diskriminimit kolektiv që godet të gjithë imigrantët që përmbushin kriteret për të kërkuar kartën sociale. Por me sa duket, mund të mos jetë e nevojshme të pritet vendimi i gjykatësit.

Më 3 prill patronati INCA bën të ditur se “falë paralajmërimit të dhënë nga INCA e Cgil, i mbështetur edhe nga presioni i parlamentarëve dhe shoqatave, kundër INPS-it, Postave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, që konsiderohen përgjegjëse për mangësitë procedurale, Postat dhe INPS-i kanë lidhur një marrëveshje për të përshtatur procedurat informatike në mënyrë që të mund të pranohen edhe kërkesat e imigrantëve, të cilëve u është shtrirë e drejta me ligjin e fundit të Stabilitetit”.

Claudio Piccinini, koordinator i zyrave për Imigracionin të INCA-s, e konsideron këtë “një rezultat të rëndësishëm”. “Do të mundësojë shbllokimin e një situate që ka krijuar probleme të ndjeshme mes imigrantëve, – shprehet ai – të cilëve u ka penguar për motive ‘teknike-burokratike’ të përcjellin konkretisht kërkesat”.

INCA shpjegon se deri tani kjo e drejtë është mohuar pikërisht për shkak të përtëritjes së kontratës së administrimit të shoqërisë Poste SpA dhe të mosaprovimit parlamentar të normës kalimtare për garantimin e dhënies së kartës sociale të gjithëve (italianë e të huaj). E kujton se shtrirja e të drejtës edhe të huajve, deri tani u njihej vetëm italianëve më të varfër, “nuk lind nga një akt zemërgjerësie nga Shteti, por si pasojë e procedurës së shkeljes së hapur kundër Italisë nga Komisioni Evropian”.

Por duke lënë mënjanë lajmë rimet e bujshme, tani duhet pritur që situata të zgjidhet vërtet. Dhe kushedi, ndoshta Postat Italiane, INPS dhe ministritë e Ekonomisë dhe ajo e Punës korrigjojnë më në fund faqet e tyre internet, ku edhe mëngjesin e sotëm (3 prill) mes kritereve për të kërkuar social card ekziston akoma gabimisht të pasurit e shtetësisë italiane.

EP

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Mbi të njëjtën temë:
Social Card akoma u mohohet imigrantëve. Çohen në gjyq Posta, INPS dhe Ministritë
Social Card. “Zyrat e postave nuk pranojnë kërkesat e imigrantëve”
Social Card. INPS përditëson faqen internet: “U takon edhe të huajve”
Social Card për imigrantët. “INPS dhe Posta të aplikojnë ligjin”
Social Card për imigrantët? INPS dhe Posta akoma nuk e dinë
Social Card edhe për imigrantët. Tani është ligj 

Trafik droge mes Shqipërisë e Sicilisë. Arrestohen 23 persona, 4 janë shqiptarë

Flukset. 15 mijë hyrje për punë sezonale dhe 2 mijë për EXPO 2015