Një shtetase marokene, ASGI, Cgil dhe kooperativa Ruah hapin gjyq kundër diskriminimit në gjykatën e Bergamos. Përveç njohjes së ndihmës ekonomike të parashikuar nga ligji, kërkojnë edhe një fushatë “për informimin e të huajve” dhe “për kufizimin e dëmeve të shkaktuara deri tani”
Romë, 11 mars 2014 – Çdo ditë që kalon padrejtësia bëhet edhe më e rëndë. Një ligj italian thotë që edhe imigrantët kanë të drejtën e kartës sociale (e njohur si ‘Social Card’ apo karta e blerjeve), kartë e mbushur nga shteti me 80 euro çdo dy muaj që mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit, që u jepet të moshuarve mbi 65 vjeç ose fëmijëve nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta. Por entet publike që duhet ta lëshojnë bëjnë sikur ky ligj nuk ekziston, keqinformojnë dhe nuk u lejojnë imigrantëve as të paraqesin kërkesë.
Është një histori që Shqiptariiitalisë.com ndjek prej kohësh, të cilës tani i shtohet një tjetër kapitull i rëndësishëm. Disa ditë më parë, një marokene bashkë me Asgi-n, Cgli-en dhe kooperativën Ruah, kanë ngritur në gjykatën e Bergamos një çështje civile kundër diskriminimit, për njohjen e të drejtës së kastës asaj dhe të gjithë imigrantëve të tjerë.
Rachida T. ka leje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë, katër bij të mitur dhe të ardhura nën kufijtë e parashikuar për të mund të kërkuar kartën sociale. Por, kur ka shkuar të paraqesë kërkesën në zyrën postare të Albano Sant’Alessandro, fshati në provincën e Bergamos ku jeton, as nuk ia kanë pranuar. Në fakt, programi informatik i Postës për shtetësinë pranon vetëm kodet I, IT, ITA, dhe nëpunësi në sportel i ka shpjeguar: “Mund të paraqesin kërkesë vetëm shtetasit italianë”.
Përralla e “vetëm për italianë” tregohet edhe në faqet internet shoqërisë Poste Italiane, të Minisitrisë së Ekonomisë dhe Financave, të Ministrisë së Punës dhe politikave sociale dhe në ato të INPS-it. Në të vërtetë, në sitin e INPS-it ekziston edhe një faqe e përditësuar, ku flitet për shtrirjen me ligj të të drejtës së kartës sociale edhe qytetarëve të huaj, por në të thuhet edhe se gjithçka është pezull në pritje të një dekreti (fantazëm) zbatues.
Rachida nuk është dorëzuar dhe me ndihmën e tri shoqatave i është drejtuar gjykatës. Në padinë e saj, të ngritur me ndihmën e avokatëve Alberto Guariso dhe Marta Lavan të ASGI-t, ngre zërin jo vetëm kundër diskriminimit të pësuar personalisht (nuk ka mundur të paraqesë kërkesë sepse është e huaj), por kundër diskriminimit kolektiv që godet të gjithë imigrantët që përmbushin kriteret për të kërkuar kartën sociale.
Atyre që tashmë u është mohuar e drejta e kësaj ndihme ekonomike, u shtohen edhe ata që nuk e kërkojnë fare, sepse u japin të drejtë informacioneve të gabuara të dhëna nga INPS, Posta dhe Ministritë. E meqë e drejta e shumës nis nga çasti i paraqitjes së kërkesës, të gjithë po humbasin padrejtësisht paratë që shteti, në bazë të një ligji të tij, duhet t’u ngarkonte në kartat e tyre sociale që nga janari 2014.
Prandaj në padi kërkohet t’i lëshohet social card Rachidës. Por edhe të verifikohet karakteri diskriminues i qëndrimit të deritanishëm të Inps-it, ministrive të punës dhe të Ekonomisë e Financës dhe i shoqërisë Poste Italiane, duke e detyruar këtë të fundit të përditësojë programin e saj informatik në mënyrë që të pranojë edhe kërkesat e të huajve, duke detyruar të gjitha entet e sipërpërmendura të përditësojnë faqet e tyre internet dhe të ndërmarrin një fushatë për “informimin e të huajve” dhe të kufizojnë dëmet e shkaktuara për informacionet e gabuara të dhëna deri më sot”.
Fatkeqësisht duhet pritur për të parë si do të vejë. Seanca e parë e gjyqit është caktuar për në 28 maj. Posta, Inps dhe ministritë do të arrijnë të respektojnë ligjin para se t’ua urdhërojë një gjykatës?
Elvio Pasca