in

Sondazhi: “60% do të udhëtojnë jashtë në 6-mujorin e parë të liberalizimit të vizave”

Instituti EUNACAL me seli në Tiranë ka kryer një anketim që ndër të tjerat përfshin edhe perceptimin që kanë qytetarët shqiptarë mbi politikat publike në Shqipëri. Një vend të veçantë e kanë zënë temat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Ky Institut,  është i angazhuar në programe, projekte dhe veprimtari të përbashkëta, në bashkëpunim me aktorët e shoqërisë civile që veprojnë në Shqipëri, në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në Turqi dhe në BE. Biseduam me drejtorin ekzekutiv të këtij Instituti, Alban Nelaj.

Bota Shqiptare: Nga sondazhi kuptohet nëse njerëzit janë apo jo të informuar mjaftueshëm? Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u ka bërë thirrje dhe agjencive turistike për të informuar qytetarët. Sipas jush cilat mund të jenë kanalet më të përshtatshme të informacionit?
Alban Nelaj: Sondazhi bën matjen e nivelit të informacionit që zotërojnë shqiptarët ndaj të drejtave dhe detyrimeve të lëvizjes dhe qëndrimit afatshkurtër në Shengen, bazuar në vetëvlerësimin e të intervistuarve. Sondazhi nuk ka testuar realisht nivelin faktit të njohurive që shqiptarët kanë mbi këtë çështje. Nga vetëvlerësimet e të intervistuarve rezulton se 70% e tyre ndihen të informuar, 27% ndihen disi të informuar dhe 3% ndihen të painformuar. Vihet re se personat më të painformuar janë të rinjtë e grupmoshës 18–29 vjeç dhe banorët e zonave rurale.
Deri më tani është përdorur TV si kanal parësor informacioni. Ne rekomandojmë se duhet të ketë një diversifikim të kanaleve të informacionit duke garantuar komunikim me 2 kahe. Kështu informimi me TV ose me broshura (si planifikohet në të ardhmen) nuk u garanton qytetarëve shqiptarë mundësinë të drejtojnë pyetje specifike tek autoritetet. Nga sondazhi rezulton se qytetarët shqiptarë kanë çështje të paqarta mbi të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes dhe qëndrimit afatshkurtër në Shengen dhe nuk kanë ku t’i drejtojnë këto pyetje. Kështu rekomandohet që:
1. Përpos kanaleve tradicionale të informacionit si TV, gazeta, radio etj të vihen në përdorim dhe teknologjitë web 2.0 si blogje, wikipedia, facebook, twitter dhe youtube. Rreth 25% e popullatës së Shqipërisë i përdor këto teknologji 1 – 3 orë çdo ditë. Kështu qytetarët shqiptarë mund të vihen në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët e qeverisë shqiptare, për t’iu drejtuar atyre pyetje specifike.
2. Të vendoset një numër telefoni falas për informimin e qytetarëve që kanë paqartësi mbi rregullat e udhëtimit & qëndrimit pa viza (numër që mund të merret nga çdo operator celular). Qytetarët e zonave rurale kanë nivel të ulët aksesi në internet dhe ne telefoni fikse, por ata kanë një nivel aksesi në telefoni celulare në masën 95%. Kështu ngritja e një Call Center të Ministrisë së Brendshme, duke venë në dispozicion një numër pa pagesë, i mundëson banorëve të zonave rurale trajtimin e pyetjeve specifike që kanë.
3. Informacioni që u jepet të rinjve të ketë fokus mbi procedurat që duhen ndjekur për marrje vize ose leje qëndrimi në rast se synohet lëvizja drejt një vendi të zonës Shengen me synim studimesh ose punësimi. Kështu nxënësve apo studentëve që synojnë të vazhdojnë studimet universitare apo pasuniversitare në një nga shtetet e zonës Shengen duhet t’u bëhet e qartë se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me domosdoshmërinë e pajisjes me një vizë studimesh. Edhe personave që synojnë lëvizjen drejt Shengen për punësim duhet t’u bëhet e qartë domosdoshmëria për pajisjen me vizë pune ose leje qëndrimi.
4. Të tregohet kujdes i veçantë për informimin e të rinjve të zonave rurale, duke vënë në dispozicion infrastrukturën e teknologjisë së informacionit që zotërohet nga shkollat publike dhe zyrat e komunave. Me nismën Shqipëria Digjitale qeveria ka përmirësuar infrastruktura ICT në shkollat publike të zonave rurale dhe në zyrat e komunave. Kjo infrastrukturë është një e mirë publike dhe duhet vendosur në shërbim të informimit të banorëve të këtyre zonave.


Rezultatet që kanë dalë nga sondazhi, ishin ato që prisnit? D.m.th. u konfirmua pritshmëria apo pati të papritura?
Rezultatet e sondazhit konfirmuan një nga tezat e studimit sipas të cilit qytetarët Shqiptarë e shohin anëtarësimin e Shqipërisë në BE si diçka që do nxitë rritjen e nivelit të mirëqenies në Shqipëri. Ajo çka ishte e papritur ishte niveli i ulët i prirjes migratore drejt vendeve të BE, kjo krahasuar me sondazhe të tjera të kryera më herët nga institute të tjera. Një tregues i pahamendësuar rezultoi edhe niveli i lartë i gatishmërisë dhe dëshirës që qytetarët kanë për të komunikuar drejtpërdrejt (përmes blogjeve, facebook dhe twitter) me politikë-bërësit/politikanët e komunave/bashkive dhe politikanët e politikë-bërësit e Tiranës (qeveria qendrore, partitë politike, etj) dhe të Brukselit (Komisioni Europian, Parlamenti Europian).

Mendohet se për festat e fundvitit do të ketë shumë njerëz që do të vijnë t’i kalojnë më të afërmit emigrantë në vendet e zonës Shengen. Sipas jush, sa prej tyre nuk kanë ndër mend të kthehen në Shqipëri?
Në këtë prizëm sondazhi ka pikasur motivet e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve Shengen pas 15 dhjetorit 2010. Ajo çka vihet re është se 60% e qytetarëve planifikojnë të vizitojnë një vend Shengen në 6 muajt në vijim, 32% janë të pavendosur dhe ndoshta do t’a bëjnë ose jo një gjë të tillë dhe 6% nuk do të lëvizin. Këto vlera janë për 6 muajt në vijim dhe nga sondazhi është e pamundur të pikaset pikërisht numri i atyre që do lëvizin për festat e fundvitit. Ndërkohë rezulton se 44% e tyre do udhëtojnë për të takuar të afërmit, 34% për turizëm, 9% për biznes, 8% për studime dhe 4% për të kërkuar punë.

Sa është përqindja e atyre që nuk kanë ndërmend të lëvizin?
6% nuk kanë ndërmend të lëvizin gjatë 6 muajve në vijim. Ndërkohë dhe 32% që janë të pavendosur, në pjesën dërrmuese të tyre gjasat janë që të mos lëvizin pasi arsyeja kryesore e pasigurisë është pamundësia financiare për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit. Kjo konstatohet nga fakti se shumica e tyre janë nxënës madhorë, studentë dhe të papunë.

Ka eufori sipas jush?
Sondazhi tregon një dëshirë të madhe të Shqiptarëve për të vizituar vendet e zonës Shengen. Kjo është e pritshme kur marrim parasysh se rezulton se vetëm 35% e qytetarëve kanë vizituar më parë një vend të zonës Shengen. Megjithatë sondazhi tregon se ka një pakënaqësi të lartë me nivelin e mirëqenies në Shqipëri që lidhet kryesisht me mungesën e vendeve të punës. Kështu shumë shqiptarë e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në një vend Shengen. Kjo bën që për shumë shqiptarë, vendet e zonës Shengen të vazhdojnë të mbeten “El Dorado i pashkelur” edhe për disa kohë. Në këtë rast pakënaqësia e këtyre qytetarëve ka gjasa të mos drejtohet më drejt ambasadave në Tiranë, gardiane të zonës Shengen, por drejt politikanëve dhe politikë-bërësve shqiptarë të cilët orientojnë zhvillimin e mirëqenies në vend.

Bisedoi Irida Cami

Lexo edhe: Rezultatet e Sondazhit

Doganat: Nuk tatohen mallrat deri në 30 mijë lekë në bagazhet e pasagjerëve

Urimet për Krishtlindje? Vetëm italisht apo në nëntë gjuhë