USAB është një prej shoqatave studentore shqiptare më aktive në Itali. E krijuar për të ndërtuar një rrjet solidariteti reciprok konstruktiv ndërmjet studentëve shqiptarë në Bolonja, prej krijimit të saj shoqata është shndërruar në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Bolonja. Kjo jo vetëm falë krijimit të një strukture ndihmëse për studentët shqiptarë por edhe në sajë të veprimtarisë së dendur në promovimin ndër të tjera edhe të kulturës shqiptare.
Jetmir Nehani, kryetar i shoqatës shpjegon për Botën Shqiptare veprimtarinë e USAB-it dhe problemet e komunitetit të studentëve shqiptarë të Bolonjës.
Quhem Jetmir Nehani, jam nga qyteti i Shkodrës. Studioj në Universitetin e Bolonjës – Alma Mater Studiorum për inxhinieri elektronike.
Si quhet shoqata juaj, kur është krijuar dhe sa anëtarë ka?
USAB – Unione degli Studenti Albanesi di Bologna dhe jemi krijuar në tetor të vitit 2005. Sot janë të regjistruar në shoqatë rreth 300 studentë.
Cili ka qenë qëllimi i krijimit të kësaj shoqate?
Nxitja kryesore për krijimin e shoqatës ishte lidhur me vështirësitë që hasin shumë nga ne, në jetën universitare si edhe në çështjet burokratike në lidhje me bursat e studimit, mosinformimin mbi procedurat, etj. Krijimi i një imazhi më të mirë për Shqipërinë në opinionin italian ishte diçka tjetër që na shtyu të krijonim USAB.
Në çfarë konsiston kryesisht aktiviteti i saj?
Kryesisht ofrojmë asistencë lidhur me probleme të ndryshme që hasin gjatë studimeve universitare e pas-universitare studentët shqiptarë. Asistencë për zgjidhjen e problemeve administrative që kanë lidhje me kërkesat për lejen e qëndrimit, kërkesat për bursat e studimit, regjistrimin universitar. Cdo vit në muajin shtator USAB organizon një takim informues në lidhje me jetën universitare në Bolonjë. Krahas takimit, në muajt shtator-tetor USAB ka ndihmuar studentët shqiptar në plotësimin e dokumenteve të bursave të studimit si dhe të lejeve të qëndrimit.
Në Janar të 2006, USAB organizoi “Decreti Flussi 2006”. Takim me CGIL – Qendra për Punëtorët e huaj, për të informuar studentët mbi Dekretin Flussi 2006 i cili trajtonte procedurat e konvertimit të lejes së qëndrimit në Itali nga motive studimi në motive pune.
Për sa i përket promovimit dhe organizimit të aktiviteteve kulturore, sportive, edukative dhe të lidhura me jetën universitare në korrik 2008 USAB organizoi “Immagini d’oltre mare”. Një ekspozitë fotografike mbi Shqipërinë, e cila zgjati 10 ditë. Vizitorëve iu përcollën imazhe të Shqipërisë së sotme, të realizuara nga studentët shqiptarë të Universitetit të Akademisë së Arteve në Bolonjë. Në mars 2007, USAB ka organizuar “SCART Connection: ekspozita e Artit Figurativ Shqiptar”. Në këtë ekspozitë u paraqitën punët e artistëve të rinj shqiptar të shprehura në pikturë, fotografi dhe skulpturë. Arti shqiptar që një zbulim i ri për të pranishmit dhe një rast afrimi i vetë studentëve shqiptar me ndjenjat dhe vlerat emocionale, kulturorë të traditës shqiptar. Ne shkurt 2007 dhe tetor 2007 u organizuan 2 turne futbolli më studentët e Universitetit të Bolonjës.
Na intereson veçanërisht favorizimi i ndërkulturalizmit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar. Në mars 2006, USAB organizoi seminarin “Kosova mes të tashmes dhe së Ardhmes”. USAB mblodhi së bashku studentët dhe profesorët e Universitetit të Bolonjës në një seminar që kishte si objektiv analizimin e situatës ekonomike e sociale të Kosovës dhe parashikimin e skenarëve të ndryshme që mund të realizoheshin në të ardhmen.
Në maj 2008, USAB organizoi një mbrëmje letrare dedikuar poezisë shqipe – “Voce d’Oltre Mare ” (Zë përtej Detit). U interpretuan poezi të disa prej artistëve më të mëdhenj shqiptar si Kadare, Agolli, Zhiti, Ahmeti, Trebeshina, Podrimja, Camaj e Arapi. Poezitë u interpretuan në italisht e në shqip nga tre studentë shqiptar dhe një italian të shoqëruar nga tingujt e interpretimit të një violincelisti, student maqedonas i Akademisë së Arteve në Bolonjë. Një mbrëmje ku u tregua për Shqipërinë më zërat e multietnicitetit.
Në nëntor 2007 USAB organizoi “Giornata del Cinema Albanese ” (Dita e kinemasë shqiptare ). Në këtë mbrëmje është projektuar filmi i regjizorit dhe aktorit Edmond Budina, “Lettera al vento” (Letra në erë ). Çdo vit USAB ka organizuar një festë me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë si edhe 14 Marsin Ditën e Verës. Në këto mbrëmje studentët italianë kanë pasur mundësinë të njihen më mirë me kolegët e tyre shqiptarë, të njohin traditat dhe kulturën shqiptare.
Jeni të kënaqur me realizimin e objektivave të shoqatës?
Personalisht jam i kënaqur më atë çfarë USAB ka arritur të bëjë deri tani, normalisht duhet një vazhdimësi dhe shpresoj që në të ardhmen të arrijmë të bëjmë akoma aktivitete në ndihmë të studentëve shqiptarë si edhe në ndihmë të krijimit të një imazhi sa më të mirë mbi Shqipërinë.
Si financohet shoqata juaj?
Shumë projekte janë realizuar me financimin e Universitetit të Bolonjës. Mbështetje gjithashtu në realizimin e projekteve kemi pasur nga Komuna e Bolonjës të cilët na kanë vënë në dispozicion hapësirat të cilat ato kanë.
Cilat janë problemet e komunitetit të studentëve shqiptarë në universitetin tuaj?
Një ndër problemet kryesore jo vetëm të studentëve shqiptarë në Bolonjë por edhe për një pjesë të mirë të studentëve të tjerë që studiojnë në Itali janë leja e qëndrimit, ku problemet burokratikë dhe kohët e tejzgjatura sjellin jo pak probleme tek studentët. Sa i takon vështirësive që kanë studentët shqiptarë në Bolonjë janë me konviktet apo bursat e studimit, numri i të cilave është i kufizuar.
A jeni të lidhur me shoqata të tjera të studentëve shqiptarë?
Po. USAB bën pjesë në ALBSTUDENT – Rrjeti Ndërkombëtar i Shoqatave Studentore Shqiptare, pjesë e të cilit janë edhe shoqatat NewAge (Milano), Illyria (Hamburg), ASAUP (Pavia), Studenti (Zyrih), Rinia (Vjenë).
Në bashkëpunim me shoqatat New Age, ASAUP dhe ASUF (Firence) në periudhën nëntor 2008 – janar 2009 organizuam ekspozita fotografike mbi realitetin shqiptar “Immagini d’oltre mare 2”. Ekspozita u hap në Bolonjë më 31 nëntor dhe më pas në Pavia, në Milano dhe Firence.
Jeni të interesuar për procesin e rikthimit të trurit në Shqipëri? Si po ecën ky proces sipas mendimit tuaj?
Procesi i kthimit të trurit është një proces shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, eksperienca dhe teknologjia e marrë në vende të evropianë ku ne jetojmë mund të ndihmojë në zhvillimin e Shqipërisë.
Personalisht jam interesuar shpesh herë mbi procesin e kthimit të trurit si edhe projekteve që janë ndërmarrë si me anë të internetit apo edhe në takimet e ndryshme që më ka rastisur të jem prezent si në Shqipëri apo në Itali.
Për fat të keq USAB nuk ka organizuar ndonjë aktivitet për të informuar mbi procesin e kthimit të trurit, por kjo ka ndodhur jo vetëm për fajin tonë. Jemi interesuar mbi organizimin e ndonjë seminari informativ mbi procesin e kthimit të trurit, por fatkeqësisht nuk kemi gjetur një mbështetje në organizmat apo institucionet që merren me procesin e kthimit të trurit.
Projektet e ndryshme që kanë të bëjnë më procesin e kthimit të trurit janë të përqendruara në Shqipëri dhe takimet informuese mbi këtë proces janë të pakta në vendet ku është përqendruar diaspora shqiptare. Mendoj se do ishte më i frytshëm informimi i diasporës mbi mundësitë e kthimit, mbi nismat që ndërmerren për këtë qëllim, në vendet ku shqiptarët studiojnë dhe punojnë.
Marjola Rukaj, Bota Shqiptare
Lexo edhe: Shoqatat e studentëve