in

Studentët e huaj në Itali. Çdo pesë, një është shqiptar

Çdo pesë studentë të huaj në Universitetet italiane, një është shqiptar (20,2%). Stela Zyberaj, studente në degën e Ekonomisë fiton një prej tre bursave të ofruara nga Moneygram

Vajzat fituese të bursave dhe Massimo Canovi, Moneygram
Sipas të dhënave më të fundit, të vitit shkollor 2010/2011, studentët e huaj në Itali janë 61.777 dhe përbëjnë vetëm 3,6% të numrit të përgjithshëm të të rinjve në regjistruar në universitetet italiane. Janë këto disa nga informacionet e studimit të bërë nga Moneygram, i paraqitur të premten e shkuar, më 25 nëntor, gjatë ceremonisë së dhënies së tre bursave të studimit në kuadrin e Moneygram Award.

Bursat e studimit, të vlefshme për mbulimin e kostos së kursit trevjeçar të diplomimit në Universitetin Roma Tre, u fituan nga tre vajza, 20-vjeçarja shqiptare Stela Zyberaj, Shaoting Chen (nga Kina) dhe Nicoleta Hacina (nga Moldavia).

Edhe pse numri  i studentëve të huaj që arsimohen në Itali rritet vit pas viti, kjo shifër mbetet shumë e ulët krahasuar me shtetet e tjera evropiane në vitin shkollor 2009/2010, studentët e huaj në Gjermani  përbëjnë 10,9% të të gjithëve, 11,2% në Francë  dhe thuajse 20% në Mbretërinë e Bashkuar.

Rritje e ngadaltë me 0,2%

Statistika tregojnë se në vitin akademik 2007/2008 studentët e huaj përbënin 3% të studentëve në auditoret e fakulteteve italiane, 3,2% në 2008/2009 dhe 3,4% në 2009/2010. Kjo rritje ka një kuptim më domethënës kur shifrat krahasohen me vitin akademik 1998/1999, kur të huajt e regjistruar në universitetet italiane ishin vetëm 1,3%. Kjo shpjegon më së miri dhe integrimin në tregun e punës të studentëve joitalianë të punësuar pas mbarimit të studimeve dhe zotërimit të diplomës, me një rritje nga 3,8% në 2008 në 4,6% në 2010.

Nga vijnë studentët e huaj

Në auditorët italianë, ndër të huajt, kryesojnë shqiptarët me 20,2% e të studentëve të huaj të ndjekur nga kinezët me 7,4%, rumunët me 6,8%  dhe grekët me 5,8%. 

Ku studiojnë?

Ndër studentët e huaj, 33% preferojnë Italinë qendrore, ndërkohë që rezidentët e huaj në të njëjtën zonë të Italisë përbëjnë vetëm 25,2% të të gjithë imigrantëve rezidentë. Për numër studentësh të huaj renditen qytete si Roma (9.449 studentë), Firence (2.942) dhe Pisa (1.427), por edhe universitetet për të huaj si ai i Perugias dhe Sienas. Gjithsesi ka një numër të konsiderueshëm studentësh të huaj edhe në Milano, Torino, Bolonjë dhe Padova.

Ekonomia, fakulteti i preferuar

Në degët e preferuara të studentëve të huaj mbetet fakulteti i ekonomisë me 10.842 studentë (18.2% e totalit të studentëve të huaj). Pas saj renditet mjekësia dhe kirurgjia me 8.191 studentë të huaj dhe degët e inxhinierisë me 8.155.

A. Rusta

Lexo edhe: Stela Zyberaj: “Falë bursës, u lehtësoj pak barrën prindërve”

Kosovë-Itali. Seminar për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik

“Heart Quake”, historia e nënës kosovare, fiton ViaEmiliaDocFest