in

Sulmet terroriste në Bruksel. Reagimi i Evropës

Kryeministri belg Michel: Belgjika u godit nga dy atentate të verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara

Kryeministri belg, Charles Michel dënoi sot atentatet e verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara që prekën Brukselin në dy zona, në hollin e aeroportit ndërkombëtar të Brukselit, Zaventem dhe në stacionin Maalbeek të metrosë në lagjen Evropiane.

“Ne i trembeshim një atentati dhe ndodhi”, tha Michel gjatë një konference për shtyp duke i kërkuar popullsisë të jetë e qetë dhe solidare.

Dy sulmet kanë bërë shumë të vdekur dhe shumë të tjerë janë të plagosur rëndë”, theksoi Charles Michel.

Tusk dënon sulmet terroriste në Bruksel

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk shpreu sot “tmerrin” pas sulmeve terroriste që kanë bërë të paktën 21 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur sot në mëngjes në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit dhe në metronë e kryeqytetit belg.

“Këto sulme shënojnë një nivel të ri të ulët nga terroristët në shërbim të urrejtjes dhe dhunës”, theksoi Tusk në një komunikatë.

Mogherini: Një ditë e trishtë për Evropën

Shefja evropiane e diplomacisë, Federica Moherini, e cilësoi të martën si një ditë shumë të trishtë për Evropën pas sulmeve në Bruksel që kanë bërë të paktën 21 të vdekur [numri i të vdekurve, në të vërtetë, ka shkuar në 34], gjatë një konference për shtyp në Aman të Jordanisë.

“Është një ditë shumë e trishtë për Evropën, në një moment ku Evropa dhe kryeqyteti i saj vuajnë të njëjtën dhimbje që ky rajon [Lindja e Mesme] ka njohur dhe njeh çdo ditë”, deklaroi Mogherini, me lotë në sy, pranë ministrit jordanez të Punëve të Jashtme, Nasser Judeh.

Putin: Sulmet terroriste në Bruksel një krim barbar

Sulmet e sotme terroriste në Bruksel janë një krim barbar, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin.

“Lufta kundër këtij djalli kërkon nivelin më të lartë të bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar’’, deklaroi Putin me anë të një komunikate.

Presidenti Putin u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbretit belg, Philippe.

‘’Të paktën 21 të vdekur dhe shumë të plagosur në atentatet që ndodhën sot në Bruksel’’, sipas të dhënave provizore që vijnë nga zjarrfikësit.

Ka 11 të vdekur në aeroportin Zaventem dhe 10 të tjerë në stacionin Maalbeek, në lagjen evropiane ku ka pasur gjithashtu një shpërthim të fuqishëm në metro.

Cazeneuve: Të përforcohet lufta antiterrorizëm në nivel evropian. Hollande: “Goditet e gjithe Evropa”

Franca kërkon një përforcim të luftës kundër terrorizmit në nivel evropian, deklaroi sot ministri francez i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, duke deklaruar një rritje të forcave të policisë në vend pas atentateve në Bruksel.

Presidenti francez, François Hollande deklaroi sot në një komunikatë se nëpërmjet atentateve në Bruksel, është goditur e gjithë Evropa.

Evropa duhet të marrë masat e domosdoshme përballë nivelit të lartë të kërcënimit”, shtoi presidenti francez.

“Franca, që është sulmuar gjithashtu në janar dhe nëntor do të bëjë pjesën e saj”, vazhdoi ai.

Merkel: Sulmeve terroriste t’u përgjigjemi me solidaritet dhe vendosmëri

Sulmeve terroriste duhet t’u përgjigjemi me solidaritet dhe vendosmëri, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Sulmet e urryera në Bruksel duhet të na bashkojnë. Solidaritet me viktimat dhe vendosmëri përballë terroristëve’’, deklaroi në emër të kancelares gjermane zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në Twitter.

Lofven (Suedi): Sulm kundër Evropës demokratike

Shpërthimet në Bruksel sot në mëngjes përbëjnë një sulm kundër Evropës demokratike, deklaroi kryeministri suedez Stefan Lofven.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike. Ne nuk do të pranojmë kurrë që terroristët të sulmojnë shoqëritë tona të hapura”, shkruan shefi i qeverisë suedeze për agjencinë e lajmeve TT.

Nga ana tjetër homologu i tij danez, Lars Lokke Rasmussen dënoi me një mesazh në profilin e tij Twitter “një sulm të shëmtuar”.

“Mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Ne jemi të gjithë në krahë të Belgjikës”, shtoi ai.

Davutoglu (Turqi) dënon ashpër atentatet vdekjeprurëse në Bruksel

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu ka reagur ashpër në lidhje me sulmet e sotme në Bruksel, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

“Dënoj sulmet të cilat kanë treguar edhe njëherë fytyrën globale të terrorizmit në ngjarjen e ndodhur sot në orët e mëngjesit në Bruksel”, deklaroi Davutoglu.

”Gjithashtu dëshiroj të shpreh ngushëllimet për qeverinë dhe popullin belg si dhe shpreh ndjenjat e solidarizimit në emër të popullit tonë”, shtoi ai.

Muajt e fundit edhe Turqia ka qenë skenë e atentateve të shumta vdekjeprurëse, sidomos në Ankara dhe Stamboll.

Al Azhar (Egjipt): Atentatet në Bruksel shkelin mësimet e islamit

Al Azhar, instituti prestigjoz islamik sunit që ndodhet në Egjipt, dënoi sot sulmet e përgjakshme në Bruksel, duke vlerësuar se shkelin mësimet tolerante të islamit.

“Këto krime të urrejtjes shkelin mësimet tolerante të islamit”, thotë në një komunikatë ky institucion.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk bashkohet për t’u përballur me këtë epidemi, të korruptuarit nuk do të pushojnë kurrë të zhvillojnë krimet e tyre të ndyra kundër të pafajshmëve”, thuhet në këtë komunikatë.

 

 

 

 

 

Sulme terroriste në Bruksel. Kamikazë në aeroport, bomba në metro

Shqipëria shpreh solidaritet me Belgjikën dhe me qytetarët e Brukselit