Të paktën 31 të vdekur, rreth 250 të plagosur
Nga ora në orë bëhet gjithnjë e më i zi bilanci i sulmeve të sotme në Bruksel ku autoritetet e forcat e rendit kanë shpallur shkallën më të lartë të alarmit. Deri tani raportohet për të paktën 31 të vdekur e dhjetëra e dhjetëra të plagosur, shumë në rrezik për jetën.
Fillimisht dy shpërthimet në aeroportin e Brukselit Zaventem në 8 të mëngjesit kanë vrarë të paktën 11 persona e kanë lënë të dhjetëra të tjerë. Një orë më pas, në orën 9:15, dy bomba kanë shpërthyer në qendër të qytetit, në një stacion metroje, shumë pranë institucioneve evropiane. Në metro kanë humbur jetën të paktën 20 persona. Të plagosurit kanë shkuar në 250, e të paktën dhjetë prej tyre rrezikojnë jetën.
Shpërthimet në aeroport kanë ndodhur në zonën e Nijseve në Terminalin A, shumë pranë sportelit të American Airlines e Brussels Airlines. Në atë orë të mëngjesit zona ishte plot me pasagjerë. Në atë zonë duket se policia ka gjetur edhe një bombë të tretë që nuk ka plasur.
Menjëherë u morën masat për boshatisjen e aeroportit dhe u ndaluan të gjitha fluturimet e u ndërprenë të gjitha lidhjet hekurudhore të aeroportit me qytetin. Sipas një agjencie shtypi belge, pak para shpërthimeve janë dëgjuar britma në arabisht dhe të shtëna me armë.
Nën sulm edhe qendra e qytetit, ku gjenden zyrat të BE-së, ku çdo ditë punojnë me qindra ekspertë e funksionarë të lartë. Rreth një orë më pas, në 9:15, u ndie një shpërthim në stacionin e metrosë Maelbeek, dy hapa larg institucioneve evropiane. Një nga daljet e stacionit çon në selinë e Komisionit Evropian, tjetra në atë të Këshillit Evropian.