in

Taksat, 1001 mënyrat që përdorin evazorët

Herë pas here qeveritë italiane deklarojnë si parësore luftën kundër atyre që nuk paguajnë taksat. Edhe për faktin se do të mjaftonte rikuperimi i pjesshëm i shumave të papaguara për sistemimin e arkave të shtetit. Por lufta mesa duket do të jetë e ashpër. Për shkak të marifeteve që tashmë janë bërë traditë kombëtare. Dhe atyre që shpiken vazhdimisht. Gjithnjë e më të pabesueshme.

Ndarje e rremë me mirëkuptim, shoqëri satelite, ndërmjetësues fantazma për të mos paguar TVSH mbi importin, sponsorizime të fryra dhe të famshmet shoqëri off shore. Këto janë marifetet më të përhapura për të mashtruar financën (duke përfituar nga boshllëqe të ligjit) apo për të mos paguar tatimet (duke shkelur ligjin). Mënyra për të shpëtuar nga disa pak qindra euro deri në miliona. Që aplikohen edhe duke filluar nga poshtë, nga punonjësi i varur, teorikisht me shpatulla pas murit. Fryrja e shpenzimeve mjekësore është një hile e vjetër dhe e shumëpërdorur. Dikush shkon edhe më tutje, deri në ndarje me bashkëshortin. Ndarje të rremë.

Ndarjet e rreme

Haset gjithnjë e më shpesh: ndarja me mirëkuptim nga bashkëshorti në ngarkim, që nuk punon apo sidoqoftë, fiton pak për të mos thënë hiçgjë. Nëse njëri prej tyre fiton, fjala vjen, 80 mijë euro dhe rezulton që i jep 20 bashkëshortit të ndarë, mbi 20 do të paguajë vetëm 9% taksa dhe jo 40%. Marrëveshjet nënshkruhen pranë një avokati (në disa krahina as nuk kërkohet) dhe i paraqiten gjykatësit: bisedë që zgjat një minutë e gjithçka rregullohet për bukuri.

Imobiliarë fai-da-te

Për t’i bërë bisht taksës mbi trashëgiminë e pronave të patundshme, sidomos kur nuk flitet për një monolokal por të disa apartamente apo terrene, mund të krijohet një shoqëri imobiliare në emër të së cilës regjistrohen shtëpitë dhe të ndahen kuotat e shoqërisë mes trashëgimtarëve, të cilëve në këtë mënyrë nuk do t’u duhet të paguajnë asgjë kur pronat do t’u kalojnë vërtet në trashëgimi. Disi e ndërlikuar e me shpenzime, por sidoqoftë më pak e kushtueshme se taksat.

Dorëzim në vendbanim, pa faturë

Po të flasim për tregtarët, mosdhënia e faturës (scontrino) është mënyra më e njohur për të mos paguar taksat. Por ka një zgjidhje më të sofistikuar, për shembull për veshmbathjen: të dorëzosh mallin në shtëpi me një faturë vetëm për koston e riparimit. Një kostum njëmijë euro dhe një faturë për 50 eurot e rrobaqepsisë. “Kostumi? Nuk është i ri, i kemi kthyer vetëm palën…”.

Malli që zhduket

Loja me mbetjet e magazinës, për ata që shesin me pakicë, është e thjeshtë e funksionon mirë. Shitësi blen më shumicë 100 mijë euro mall dhe shet gjysmën për, fjala bie, 90 mijë euro. Fitimi, mbi të cilin duhen llogaritur tatimet, në këtë rast është 90 mijë pa 50 mijë që i ka kushtuar gjysma e mallit që ka shitur, pra 40 mijë euro. Por nëse shitësi deklaron se ka shitur më shumë mall për të njëjtën shumë të arkëtuar (p.sh. jo 50% të mallit por 60%) fitimi mbi të cilin llogariten taksat ulet menjëherë (90 mijë – 60 mijë = 30 mijë), po kështu edhe taksat janë më të ulëta. Por në magazinë i mbet më shumë mall nga ç’ka deklarurar. Ç’të bëjë? Ia shet me shumicë një tjetri, duke futur në xhep të tjera para.

Nuk paguhet TVSH, përdoret “karuzeli”

Të importosh pa paguar TVSH (italisht, IVA). Përdorin këtë dredhi kryesisht tregtarë automjetesh, mishi, kompjuterash, materiali fotografik apo metalesh. Quhen “mashtrime me karuzel”. Kandidatët evazorë (më mirë po të jenë nja dy a tre bashkë) krijojnë një shoqëri të rremë, me të cilën nuk kanë asnjë lidhje të dukshme, që blen mall pa TVSH nga vende të tjera të BE-së. Më pas, vetë ortakët blejnë të njëjtin mall nga shoqëria fantazëm duke i dhënë (teorikisht) edhe TVSH-në. Por shoqëria nuk do t’ia kalojë asnjëherë arkave të financës sepse do të nisë procedurën e mbylljes, të likuidimit, së aktivitetit dhe do të zhduket brenda një viti, një viti e gjysmë, me një fjalë përpara se financa të marrë vesh ekzistencën e saj. Kur financa e shtetit arrin të bëjë verifikimin, gjen vetëm kuti boshe, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në vdekje e sipër, drejt mbylljes pa asnjë qindarkë në arkë. “Huazues emri – tregon një ekonomist nalopetan – gjen sa të duash, nga jokomunitari që financa e shtetit nuk mund të kapë kurrë e deri te likuiduesit profesionistë”.

Falimentimi i gjyshes

Një transportator siçilian (tregon ekonomisti i tij) kishte emëruar gjyshen ortake me përgjegjësi të plota ndaj të tretëve (accomandataria) të shoqërisë së vet, që ka grumbulluar270 mijë euro borxhe kundrejt financës së shtetit. Ndërkohë, dalëngadalë, transportatori po i transferon aktivitetin dhe mjetet (me ndihmën e një ndërmjetësuesi, merret vesh) një shoqërie të re të vënë në emër personash të tjerë që duket sikur nuk kanë lidhje me të. Ndërmarrja e gjyshes vazhdon të punojë nga pak, sa për të fituar kohë e për t’i treguar financës që “po përpiqet me sa mundet” të ngrejë kokë.

Dhe kur vërtet nuk ia del dot më të shkojë përpara, epo… gjyshes le t’i sekuestrojnë edhe televizorin me ngjyra. Pastaj… nëse gjyshja që falimenton nuk do të ketë mundësi të hapë një aktivitet të ri, nuk besoj se do të vuajë shumë.

T’ia hedhësh “matësit të të ardhurave”

Të paguash hidraulikun 90 euro pa faturë apo 120 me faturë? Natyrisht, të gjithë zgjedhin të parën. Është më vështirë të mos lëshosh faturë kur shërbimi u ofrohet ndërmarrjeve e jo personave. Por profesionistët dhe ndërmarrjet janë të kontrolluar me të ashtuquajturat “studime të sektorit”: formularë të detajuar që, në bazë të mjeteve të deklaruara të përdorura për përmbushjen e profesionit, i lejojnë financës së shtetit t’i thojë profesionistit që duhet të faturojë mbi një sasi të caktuar parash. Nëse për dy vjet profesionisti i lirë apo një ndërrmarje private nuk arrin të faturojë minimumin e parashikuar nga “studimet e sektorit”, megjithëse paguan rregullisht tatimet mbi të ardhurat e deklaruara, bëhet objekt kontrolli e verifikimesh. Detyrë e ekonomistit, në veçanti, është të gjejë zërat e bilancit që ngrenë të ardhurat e hipotizuara nga “studimet ee sektorit” dhe të mundohet t’i ulë ato. “Kështu për shembull, nëse ke tre vetë në punë, të leverdis të mbash një për kohë të plotë e dy të tjerë part time. Ose nëse blen një makineri 200 mijë euro, më mirë të ta faturojnë vetëm 50 mijë. Sepse sa më shumë vetë të kesh në punë e sa më shumë mjete të përdorësh, për shtetin kjo do të thotë që edhe do të fitosh më shumë”.

Sponsorizimet e fryra

Kjo hile është e njohur qoftë nga ata që sponsorizojnë një skuadër të vogël të fshatit apo festën e lagjes, ashtu dhe nga ata që vënë logon e tyre në fanellat e futbollistëve të Serisë A apo të Formula Uno-s. Në kontratë shkruajnë, fjala bie, që japin 120 mijë euro në vit në katër këste nga 30, gjithçka në dritë t diellit, me urdhër-pagesë bankare. Dhe të gjitha këto 120 mijë sponsori i heq nga taksat. Por ajo që bëhet fshehurazi është kërkesa që sponsorizuesi i bën të sponsorizuarit: pas çdo kësti që merr t’i kthejë 10 mijë euro, jo me rrugë bankare… më mirë në një çantë. Sa më shumë të ndash në copa të vogla sponsorizimin aq më e lehtë do të jetë të marrësh mbrapsht në të zezë një pjesë të tij. I leverdis të sponsorizuarit? Aspak, por nëse nuk vepron kështu, lamtumirë sponsor. Një dredhi e tillë është përdorur edhe nga disa shoqëri të rëndësishme futbolli të Serisë A (Lazio e Parma me administrimin e mëparshëm), që zyrtarisht u paguanin miliarda lireta për konsulenca tregu dhe ndërmjetësime për transferimin e lojtarëve agjentëve, që u pëlqente kjo “lojë”, zakonisht të huaj, që natyrisht kënaqeshin me shumë më pak dhe diferencën e kthenin mbrapsht.

“Mjeshtrat” e evazionit fiskal

Për të zhdukur jashtë shtetit shifra të rëndësishme, të paktën me pesë zero, marifeti i shoqërive të kontrolluara në mënyrë indirekte në shtete të tjerë të ashtuquajtur “parajsa fiskale” është i rrezikshëm por mbetet gjithnjë më i efektshmi. “Hallka e dobët e zinxhirit është i besuari, domethënë ai që krijon për ty shoqërinë off shore. Duhet zgjedhur vërtet një njeri i besuar, përndryshe të bën gropën” tregon një ekonomist i rëndësishëm milanez, që “rastësisht” është duke u nisur për Dubai, një nga vendet ku aktialisht (bashkë me Luksemburgun) është më me leverdi të ngresh një shoqëri fantazëm. “Ia vlen barra qiranë t’i futesh këtyre operacioneve kur fitimi ështa të paktën 4-500 mijë euro, në mënyrë që të mos paguash taksat mbi 100-150 mijë në vit. Dubai nuk është në listën e zezë por mbi shoqëritë private aplikon një tatim “të butë” dhe kontrollon pak. Sa për të besuarin, që shpesh është funsionar banke zvicerane apo angleze, është mirë të mbahen marrëdhënie personale, sy për sy: as me telefon e as me letra. Unë njeriun tim në Zvicër e marr në telefon vetëm nga kabinat publike shpejt e shpejt, sa për të caktuar një takim. “Ç’kemi, si ia çon , marrim një kafe në filan bar e në filan ditë”. Shpesh problemet i krijon vetë klienti, duke lënë dokumente përqark apo duke folur më shumë nga ç’duhet. E kur ka frikë se po e kontrollojnë hap telashe edhe më të mëdha, sepse fillon të flasë në mënyrë të kodifikuar në telefon, si nëpër filma”.

Marrëveshjet me të besuarin lidhen me anë të një shkrese private që vihet në një kasafortë çelësat e të cilës nuk mund t’i marrë asnjë gjykatë, sepse falë ligjit mbi letërporositë ndërkombëtare (rogatorie internazionali) miratuar nga qeveria Berlusconi, tani nuk mjaftojnë veprat penale fiskale që gjykatësit të mund t urdhërojnë hapjen e kasafortave në banka të ndryshme. Kështu, një sipërmarrës mund të krijojë, me ndihmën e të besuarit, shoqëri fantazma jashtë shtetit: këto do t’u faturojnë kosto e shërbime shoqërive satelite të ngritura nga vetë sipërmarrësi, pa u implikuar drejtpërsëdrejti me to, të cilat do t’i fryjnë faturat e tyre shoqërisë së sipërmarrësit për shërbime të ndryshme të konsulencës, të hetimit të tregut e të tjera fllucka sapuni si këto. “Në rast verifikimesh, përmes shoqërive satelite, jetëshkurtra dhe në emër personash që nuk kanë asnjë pronësi, sipërmarrësi ynë as që do të ketë për detyrë të provojë ekzistencën reale dhe rregullsinë e shoqërive off shore, duke mos patur me to asnjë marrëdhënie të drejtpërdrejtë”.


 

Orienti te derë e shtëpisë/2

Aksident tragjik në Dom të Gjegjanit: 14 të vdekur dhe 12 të plagosur