E ka pohuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Alessandro Pansa, që ka qenë sot në Tiranë ku ka takuar ministrin e Brendshëm Tahiri, kreun e policisë Artan Didi dhe presidentin Nishani.
Tiranë, 11 dhjetor 2013 – Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit policor në luftën kundër krimit, ka qenë tema kryesore e takimit që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, Alessandro Pansa dhe delegacionin e kryesuar prej tij, në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën e mbajtur në kuadër të nisjes së misionit PAMECA IV, financim prej 4 milionë eurosh i Bashkimit Evropian.
Në qender të takimit të dy krerëve të forcave të rendit ishte fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve, si dhe mbështetja e mëtejshme përmes projektesh konkrete nga policia Italiane për policinë Shqiptare.
Pansa, garantoi mbështetjen e Policisë Italiane për Policinë Shqiptare, duke realizuar dhe projekte konkrete në fushat prioritare për palën Shqiptare, si forcimi i kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave, krimit ekonomiko-financiar, kontrollin e kufirit, si dhe sigurinë rrugore. Ai ka lajmëruar gjithashtu edhe ngritjen e një task-force italo-shqiptare për kapjen e të kërkuarve nga organet e drejtësisë të dy vendeve, duke lavdëruar sidoqoftë policinë shqiptare për punën e deritanishme. Pansa ka pohuar se nga viti 2011 janë arrestuar 99 shqiptarë të fshehur në Shqipëri, të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane.
Edhe në takimin me presidentin Nishani, Alessandro Pansa pasi vlerësoi institucionet shqiptare të sigurisë për bashkëpunimin serioz dhe profesional, nënvizoi se vendi i tij dhe institucionet italiane mbeten të interesuar për forcimin dhe rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, për të pasur një fqinj të fortë e të sigurt, me standarde evropiane. Ai shtoi se një ambient i sigurt është faktori thelbësor për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Gjatë konferencës së mbajtur paradite, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi ka theksuar se Bashkimi Europian është i angazhuar të mbështesë policinë e Shtetit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por ka nënvizuar se BE pret të shohë rezultate konkrete në këtë rrugë. Ai ka theksuar se Shqipëria ka treguar vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin duke miratuar ligje në përputhje me kërkesat e BE-së, që tashmë duhet të konsolidohen dhe të zbatohen. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka theksuar se qeveria e re ka treguar vullnet të plotë për të luftuar çdo formë të shkeljes së ligjit dhe ka garantuar se do të bëhet gjithçka në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.