in

Të huajt për hotelet shqiptare: Yje pa kriter, shërbim jo cilësor

Sipas vetë turistëve të huaj, hotelet e shërbimi i ofruar në to lë për të dëshiruar. Yje pa kriter, çmime të larta, për shërbim jo cilësor nga staf i papërgatitur

Për të pasur një panoramë edhe më të qartë mbi hotelet dhe shërbimin turistik që u ofrohet turistëve që zgjedhin të shkojnë në Shqipëri, revista Monitor ka  bërë një kërkim mes komenteve të klientëve mbi hotelet, në sitin www.tripadvisor.com. Ky është një web-site, në të cilin çdokush shkruan përvojën e përshtypjet e tij  personale, dhe që përdoret nga shumë klientë para se të zgjedhin hotelin në vendin ku do të shkojnë. Siti është i dobishëm edhe për vetë administruesit e hoteleve që mund të shohin çfarë pëlqehet e çfarë çalon sipas klientëve të tyre.

Ajo që vihet re, së pari është një zhgënjim i turistëve me “yjet” që reklamojnë hotelet, që nuk janë të bazuara mbi asnjë standard.

Ata vërejnë se hotelet me 5 yje mbi krye mund t’i mbajnë ato vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër, pasi janë larg standardeve që mund të ketë një i tillë.

Problemi tjetër është shërbimi. Stafi nuk është i trajnuar, çalon në komunikimin në gjuhë të huaj, në sjelljen me klientët, si dhe në përdorimin e mjeteve moderne të pagesës. Shpesh, stafi duket edhe pak mikpritës dhe jobashkëpunues. Disa të tjerë vërejnë se stafi shpesh është si “i trembur” dhe nuk mungojnë rastet kur pronarët u bërtasin atyre në sy të klientëve.

Problemi tjetër është mëngjesi, shpesh një zhgënjim për klientët e huaj.  Përgjithësisht nuk është bufe, por konsiston veçse vezë të ziera apo të skuqura.

Nga komentet vihet re se klientët e huaj janë shumë të vëmendshëm ndaj shërbimit dhe më pak ndaj luksit të tepruar e të pavend që mund të ofrojë hoteli. Në “tripadvisor” evidentohen disa hotele të mira, sidomos për stafin dhe shërbimin që i kanë ofruar klientëve. Gjithnjë “lavdërohen” hotelet që ofrojnë një mëngjes bufe dhe të larmishëm.

Ndër pikat e forta, turistët të gjithë evidentojnë ushqimin e freskët dhe të shijshëm dhe me çmime të lira. Sipas tyre, edhe në restorante pranë hotelit mund të gjesh gatime shumë të mira, me çmime të ulëta.

Disa nga komentet komente e nxjerrë në pah nga monitor.al:

“Konsiderohet  si hotel me 5 yje. Ndoshta në Shqipëri, por asgjëkundi tjetër.
Ne ishim në një dhomë në fund të korridorit, me një krevat shumë të madh, por jo me çarçafë aq të mëdhenj sa krevati. Dushi ishte i ngushtë, ndërkohë që një pjesë të mirë të dollapit e zinin mbulesat e dimrit, duke lënë shumë pak hapësirë për të varur veshjet”, thotë një lexues.

“Dhoma e hotelit ishte vërtet e mirë, por nuk kishte tharëse flokësh as TV satelitor, as shërbim 24 orë, as telefon në dhomë, stafi ishte jo korrekt, kamerierëve duhet t’u luteshe shumë që të vinte porosia, gatimi, jo shumë cilësor. Si pamje, si vend ishte i bukur, por të linte shumë për të dëshiruar, nuk përkonte çmimi i lartë me cilësinë e shërbimit dhe ushqimit. Më vjen keq, ishte një zhgënjim”.

“Ishte një hotel shumë i vogël, por me dhoma të rehatshme dhe të pastra. Çfarë na impresionoi më shumë ishte se i gjithë stafi dhe pronarët, të prisnin me një ekstra-buzëqeshje duke na bërë të ndiheshim sikur ishim një familje”.

“Çmimi ishte shumë i lartë krahasuar me atë që ofrohet: pa ashensor, wireless është në dispozicion vetëm nëse je afër me recepsionin, nuk ka shampo në dhoma, menyja është shumë e varfër, mëngjesi ishte shumë i varfër, pishina hapet shumë vonë në mëngjes dhe mbyllet shumë herët në mbrëmje”.

monitor.al

Lexo edhe: Turizëm “elitar” (me nder jush) 

Vladimir Doda, “emigranti Bilal” në festivalin e Venecias

Berisha, një tjetër shqiptar me shqiponjën e Lazios