in

Të jesh klandestin nuk do të jetë më krim{br}Senati i hap rrugë heqjes së veprës penale të klandestinitetit

Miratohet në komision një amendament i Lëvizjes 5 Yjet: “Vepra penale nuk vlen për asgjë, rëndon vetëm kostot”. Ok nga qeveria, Chaouki (PD): “Lajm i shkëlqyer”. Lega paralajmëron luftë: “PdL dhe Alfano të jenë koherentë”

Romë, 10 teetor 2013 – Komisioni i Drejtësisë i Senatit, gjatë shqyrtimit të dekretit legjislativ mbi ndëshkimet me kufizim lirie në alternativë të burgut, ka miratuar mbrëmjen e 9 tetorit një amendament që abrogon veprën penale të hyrjes dhe të qëndrimit të parregullt në territorin italian.

I paraqitur nga senatorët e Lëvizjes 5 Yjet, Maurizio Buccarella dhe Andrea Cioffi, amendamenti ka kaluar edhe falë votave të PD-së dhe SEL-it dhe me pëlqimin e qeverisë. Është vetëm një hap i parë, sepse ky modifikim duhet konfirmuar edhe në sallën e Senatit e më pas edhe në Dhomën e Deputetëve, por mund të nxjerrë jashtë loje një nga aspektet më të debatuara të normativës mbi imigracionin, i sjellë në fuqi nga Lega e Veriut dhe PdL me të ashtuquajturën paketë të sigurisë të vitit 2009.

Nga PdL saktësojnë se “mbeten në fuqi të gjitha procedimet për dëbimin dhe të gjitha kundërvajtjet e lidhura me to, që përfshihen në ligjin Bossi-Fini. Faktet kanë treguar se “vepra penale e klandestinitetit” nuk ka zgjidhur asgjë, përkundrazi ka rënduar vetëm kostot për Drejtësinë, pa luftuar dukurinë klandestinitetit dhe shfrytëzimin e lidhur me të, madje e ka përkeqësuar”.

Nënsekretari për Drejtësinë Cosimo Maria Ferri ka shpjeguar kështu pëlqimin e dhënë nga Qeveria: “Dënimi penal është i pajustifikueshëm e jo proporcional ndërsa gjoba është faktikisht e pazbatueshme po të merret në konsideratë që migrantët janë të privuar nga çdo e mirë materiale. Mbi të gjitha,  numri i personave që mund të paditen për këtë vepër penale do të bllokonte krejtësisht mekanizmin e drejtësisë penale, veçanërisht në qytetet e zbarkimit”.

Shteti duhet të disiplinojë flukset migratore në mënyrë të pajtueshme me mundësitë konkrete të pritjes së migrantëve – pohon Ferri – dhe jo vetëm për arsye rendi publik, por edhe për motive humanitare. Personave që përpiqen të largohen nga situata skamjeje ekstreme dhe shpesh jonjerëzore duhet t’u sigurojmë mikpritje dinjitoze. Por nevojitet të vazhdohet me ndëshkimin me ashpërsi të atyre që shfrytëzojnë dhe favorizojnë këto dukuri migratore të pakontrolluara që mund të shkaktojnë tragjedi si kjo e ditëve të fundit të Lampedusës”.

“Pëlqimi i qeverisë dhe miratimi i amendamentit që abrogon veprën penale të imigracionit klandestin përbëjnë dy lajme të shkëlqyera për Khalid Chaoukin, deputet i PD-së. “Me votën në komisionin e Drejtësisës së Senatit nis një rrugëtim që shumë shpejt duhet të zhdukë krimin e urryer të klandestinitetit që kriminalizon të mbijetuarit e tragjedisë dramatike të Lampedusës e hedh bazat për një ligj të ri mbi imigracionin”.

Flet për “lajm të shkëlqyer” edhe Andrea Mazziotti, përgjegjës për drejtësinë i Scelta Civica (Zgjedhja Qytetare). “Shpresoj që amendamenti të kalojë edhe në sallën e Senatit dhe në Dhomën e Deputetëve. Kemi thënë gjithnjë që është një krim absurd që nuk ndihmon në asnjë mënyrë për reduktimin e dukurisë së zbarkimeve  dhe të klandestinëve. Për këtë arsye kemi mbështetur edhe referendumin e radikalëve, por do të ishte e udhës që parlamenti të shmangte mbajtjen e referendumit”.

Ndërsa Lega e Veriut paralajmëron qëndresë në parlament. “Shfuqizimi i veprës penale të imigracionit klandestin është turp. Është një mesazh që i dhënë në këtë moment mund të destabilizojë sigurinë dhe flukset e migrantëve drejt Italisë. Do të luftojmë në sallën e Senatit për të rifutur krimin e imigracionit klandestin” thotë Massimo Bitonci. “Ministri Alfano dhe i gjithë Populli i Lirive duhet të jenë koherentë me atë çka kanë bërë deri më sot dhe të riparojnë këtë gabim të rëndë edhe për faktin se futja e veprës penale të klandestinitetit ishte miratuar edhe me votat e tyre në paketën e sigurisë së ministrit Marroni, gjatë legjislaturës së shkuar”.

Nuk është i qartë qëndrimi i Popullit të Lirive. Lega akuzon senatorët e PdL-es se kanë votuar amendamentin, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar në këtë aspekt. Sipas një versioni, senatorët e PdL-es kanë qenë të ndarë në këtë pikë, apo të paktën konfuzë, me disa që kanë votuar në favor e të tjerë kundër. Në twitter mbërrin vetëm një cicërimë e ish ministres Mariastella Gelmini: “Shfuqizohet krimi i klandestinitetit? Mos kemi luajtur mendsh?”.

 

 

Essere clandestino non sarà più reato

Ricongiungimento familiare. E se il mio reddito non basta?