in

Të zbarkuar shumë vjet më parë

“Anija e shpresës” hyri në portin e Barit me ngarkesën e saj të të dëshpëruarve në gusht të vitit 1991. Njëzet mijë persona. Burra, gra dhe fëmijë, që u arratisën nga Shqipëria në kërkim të tokës së premtuar. Dikush e gjeti vërtet. Bujku, zejtari, e diplomuara. Ja si u ka ecur shqiptarëve

nga Elvira Pollina

Bari, 8 gusht 1991. Përpara stadiumit Della Vittoria shkojnë e vijnë autobusë. Nuk ka ndeshje, impianti është mbyllur prej kohësh. E megjithatë autobusët shkarkojnë mijëra burra, gra dhe fëmijë. Janë shqiptarë të zbritur pak orë më parë nga anija Vlora. Gjithsej njëzet mijë persona, të sjellë aty për t’i riatdhesuar. Por jo të gjithë do të kenë atë fat. Ndonjëri arrin t’ia mbathë që aty e të ndërtojë një jetë të re, ndonjë tjetër – i kthyer në Shqipëri – nuk dorëzohet dhe provon sërish të kthehet. Të tjerë, papritur, gjejnë një familje të re. Pas njëzet vjetëve, kemi gjetur disa prej atyre që me atë anije erdhën në Itali. Këto janë historitë e tyre, të gërshetuara me ato të një vendi që deri atëherë kish kërkuar gjithnjë Amerikën dhe që atë mëngjes gushti, papritur, zbuloi tokën e premtuar.

Elvis dhe Alfò, miq motociklete

Elvisi nuk kishte qenë asnjëherë në stadium. Kur hyri për herë të parë ishte nëntë vjeò dhe mbathur kishte vetëm një palë pantallona të shkurtra. Në anijen Vlora hipi duke u hedhur nga një vinç, për t’u bashkuar me të atin e dy motrat që ishin në kuvertë. Me të mbërritur, bashkë me ta e çojnë në Arenën e vjetër të Barit. Policët përpara fëmijëve mbyllin një sy, dhe i lejojnë Elvisit dhe kalamajve të tjerë të dalin e të luajnë tek sheshi. Dhe aty, përpara kangjellave të stadiumit Della Vittoria, shikimi i  djalit ndesh atë të Alfonso Gallos, një ndër barezët e paktë që vrapuan të shihnin ç’po ndodhte. “Nuk fliste italisht por më la të kuptoja që kërkonte një cigare. E pyeta nëse donte të hipte në motor e të shkonim të hanim diçka”, kujton Gallo që asokohe ishte 28 vjeç dhe baba i një vajze. Elvisi e kupton menjëherë: i hipën motorit dhe shtrëngohet fort pas Alfonsos. Për dy minuta janë në shtëpi. Shtëpi e vërtetë. Dush dhe qethje e flokëve, një grusht me fruta deti, të sjellë drejtpërdrejt nga dyqani i peshkut të gjyshit Vincenzo. Më pas një ndalesë në një dyqan rrobash për një bluzë, pantallona të shkurtra dhe sandale. Dy orë kalojnë shpejt, duhet të kthehet në stadium. Por kur babai i Elvisit sheh të birin të qeshur e të veshur me të reja, i lutet Alfonsos që ta mbajë me vete, i bindur që jeta e tij do të ishte më e mirë.

Duke rrëfyer atë dialog mes baballarësh, të mbushur me gjeste më shumë se me fjalë, Alfonsos i mbushen sytë me lot: “M’u prenë krahët, si mund t’i thoja jo?”.

Sot Elvisi jeton në Udine por flet me të njëjtin theks të Antonio Cassanos, të cilin e ka takuar disa herë rrugicave në Bari Vecchia. “Në fermën bujqësore ku punoj, imigrantët tallen me mua e më thërrasin “terùn” shpjegon duke qeshur Elvisi. “Në fakt, Barin e ndiej si qytetin tim”. Ndërsa Alfò është babai i tij i dytë. “Ndenja me të për vite të tëra: isha i përkëdheluri i shtëpisë, nuk më ka munguar gjë”. Paratë që Alfonso merrte nga shërbimet sociale ia niste familjes së Elvisit në Shqipëri. Që në fund të viteve nëntëdhjetë arrin të transferohet në Itali, në Friuli. Elvisi shkon të rrijë me ta. Por sapo i jepet rasti shkon e takon Alfonson e gjyshin Vincenzo. Edhe tani që është martuar e është bërë baba. “E di që kam gjithnjë dhomën time që më pret”.

Gazmiri, jeta e kapur pas një litari

“O babbo, ti po na tregon përralla!”. Kur Gazmiri u kujton dy fëmijëve të tij që në Itali ka mbërritur me brekë, ata reagojnë kështu. Por Gazmiri nuk e humb toruan. Dhe u shpjegon me durim ai due figlioli – siç i thërret ai në dialekt fiorentin të kulluar – që sot jetojnë në një shtëpi të bukur në Borgo San Lorenco vetëm falë një hedhjeje në ujë nga një gomone. Ajo zhytje i lejoi t’u shpëtonte kontrolleve ndërsa skafi shkonte drejt brigjeve puljeze. “Dhe mbeta vërtet me mbathje, humba të gjitha rrobat në ujë.

E kishte provuar dhjetë herë të vinte në Itali. Pa ia dalë mbanë: gjithnjë e kthenin mbrapsht. Përpjekjen e parë e kish bërë pikërisht me Vlorën. “Ishte larg nga moli, kam hipur në bord duke u kapur fort pas një litari të saj” tregon Gazmiri, që atëherë ishte 18 vjeç, kish mbetur pa punë e nuk mund të humbte asgjë.

Në Firence kishte një vëlla që e priste. Por nga porti përfundoi drejt e në stadium, ku për tri ditë iu desh të fitonte bukën e ujin. “Hidhnin ushqimet nga një vinç. Ne ishim poshtë, të gatshëm të bënim gjithçka vetëm e vetëm të kapnim ndonjë gjë”. Tri ditë makthi, gjatë të cilave mbizotëroi ligji i xhunglës. Pastaj kthimi me forcë në Shqipëri. “Por nuk u dorëzova, dhe në vitin 1997ia dola të vija në Toskanë”. Tani punon në ndërtim dhe pret shtetësinë italiane. “E bëj për ta”, buzëqesh duke treguar fëmijët, “edhe pse thonë që tregoj bischerate (përralla)”.

Vrapi i Evës

Eva tregon se kur në Durrës u hap fjala që një anije po nisej për Itali, ajo e kish nisur tashmë vrapin për ta marrë, duke tërhequr për krahu të shoqin Meki. “Nuk largoheshim nga skamja, në fund të fundit familja ime ishte me fat. Edhe pse isha diplomuar në ekonomi, nuk arrija të gjeja një punë”.

Shqipëria ishte kthyer në një burg për Evën. “Regjimin askush nuk guxonte ta kritikonte hapur, ndaj të largohesha do të thoshte të thyeja një tabu, të tregoja hapur urrejtjen që që ushqeja në heshtje”. Era dhe zhurma e atij udhëtimi i kanë mbetur në mendje. Siç i ka mbetur edhe fryma e solidaritetit që thithej mbi kuvertën e anijes Vlora. Gjithçka ndryshon kur mbërrijnë në port dhe përkeqësohet brenda stadiumit, kur shpërthen lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. “Është si të shikoje evolucionin e racës njerëzore brenda pak orëve: mjaftuan vetëm ca shishe uji dhe ndonjë panine e hedhur mes nesh nga policët për të na transformuar nga miq të bashkuar nga i njëjti fat, në armiq që luftojnë kundër njëri tjetrit për mbijetesën”. Eva e Mekiu një natë e kalojnë duke fjetur mbi shkallët e stadiumit. “Pastaj dikush tha se agjentët linin të kalonin gratë “. Edhe në këtë rast Eva merr përkrahu të shoqin dhe e tërheq jashtë.

Sot jetojnë në Bari, punojnë e kanë një vajzë 9 vjeç. “Ajo është fitorja ime”, përsërit Eva. Kishte mbetur shtatzënë pak muaj pasi mbërriti në Itali. Barrë jashtë mitrës. “Më operuan për të më shpëtuar jetën, por më mbyllën tubat, pa më thënë asgjë”. E zbulon pas disa vjetësh dhe mbetet e shokuar. Bashkë me Mekiun vendos të provojë mënyrën e riprodhimit artificial për të pasur një fëmijë. “Ndoshta mendonin se më bënin nder, duke ma ndaluar të kisha një”, thotë me hidhërim. Mjafton zëri i Cleas për t’i kthyer buzëqeshjen dhe dëshirën për të shkuar përpara. “Në atë anije do të hipja edhe njëmijë herë të tjera. Madje, do ta bëja edhe tani”.

Botuar në të përjavshmen Sette të Corriere della Sera, 8 gusht 2011

8 gusht 1991: Vlora mbërrin në Bari

Eliza Dushku, Ambasadore e Tiranës në botë