Një shqiptar 50 vjeç kishte mbyllur gruan në shtëpi që kur kjo kish ardhur të jetonte me të tre vjet më parë. Digos e ka arrestuar me akuzat e keqtrajtimeve në familje, të dhunës seksuale dhe të skllavërimit
Romë, 24 korrik 2012 – Duhet të përgjigjet për dhunë seksuale, keqtrajtim dhe skllavërim të të shoqes shqiptari 50-vjeçar, me qëndrim të rregullt në Terni i arrestuar nga reparti DIGOS (Divisioni Investigazioni Generali e Operazioni Speciali) i policisë. E shoqja, 38 vjeçe, shqiptare edhe ajo, më në fund ka marrë guximin e i ka telefonuar policisë të dielën pasdite pas rrahjes së radhës nga i shoqi.
Kur agjentët e policisë kanë mbërritur në vendngjarje kanë bllokuar nëpër shkallë burrin dhe e kanë detyruar t’u hapë derën e shtëpisë ku kish mbyllur me çelës gruan bashkë me tre fëmijët me moshë nga 14 deri në 10 vjeç, që i kanë gjetur të tmerruar, të strukur pas së ëmës në një dhomë të vogël.
Gruaja mes lotëve u ka rrëfyer agjentëve plagët në trup, dhe ferrin e vërtetë që kishte përjetuar këto tre vite të bashkëjetesës në Terni me të shoqin.
E ardhur pranë tij tre vjet më parë me bashkim familjar, gruaja nuk kishte dalë thuajse asnjëherë vetëm jashtë mureve të shtëpisë (për këtë arsye burri i kishte zhdukur edhe rrobat e trupit) dhe nuk kishte asnjë kontakt, as telefonik, me askënd përveç të shoqit e fëmijëve. Gruaja ka treguar mes të tjerash se i shoqi e detyronte të bënin marrëdhënie seksuale përditë, edhe në sy të fëmijëve, duke e turpëruar e lënduar edhe si nënë.
Ajo që në Shqipëri i ishte dukur xhelozi e tepruar e të shoqit, në Itali ishte kthyer në obsesion të mirëfilltë dhe dhunë, situatë e përkeqësuar veçanërisht nga abuzimi që burri bënte me alkoolin.
Policia ka shoqëruar 50-vjeçarin në burgun Vocabolo Sabbione të Ternit, ndërsa gruan në repartin e Ndihmës së Shpejtë të spitalit të qytetit ku mjekët që e vizituan i kanë gjetur trauma në kokë e plagë të ndryshme në trup të shërueshme për tetë ditë.