Specialisti i monumenteve të kulturës, Novruz Bajrami: “miradministrimi i tetë kështjellave të rajonit të Vlorës mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, dhe të ndikojë në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj
Tiranë 8 korrik 2011 – Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit në këtë rajon bregdetar. Specialisti i monumenteve të kulturës, Novruz Bajrami, thotë për ATSh-në se “miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj”.
Sipas tij, ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.
Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.
Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. “Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve”, sqaron Bajrami.
Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme, që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.
Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.
Specialisti Novruz Bajrami sqaron se, “një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s”.
Historianët evidentojnë dhe gjurmët e kalasë së Kropishtit, të cilat janë zbuluar në vendin e quajtur Llutroi. Mendohet se ky objekt është ndërtuar në periudhën romake. Muret e saj me gjerësi deri në 1,2 metra janë të ngritura me gurë me përmasa 24x2x5 cm dhe kalaja ka formën e drejtkëndëshit me përmasa 250 me 180 metra.
http://www.youtube.com/watch?v=YYT3RQaQOoc