in

The Guardian: Historia e Elseid Hysajt, biri i emigrantit i lakmuar nga klubet më të mëdha të Evropës

Kjo është përralla e një babai, një djali dhe një premtimi të bërë. Përralla se si një emigrant shqiptar do të ndihmonte të birin e talentuar të udhëhiqte entuziazmin e një vendi të tërë në Kampionatin Europian.

Duhet shumë për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm në ditët e sotme. Kërkohet talent, dëshirë, sakrificë, punë e vështirë dhe një fije fati sigurisht. Por duhet edhe besimi i palëkundur i një babai që ishte betuar se talenti në futboll i djalit të tij nuk do të kalonte pa u bënë re. Kjo është historia e Elseid Hysajt, mbrojtësi i djathtë i Napolit dhe Shqipërisë.   

Një sezon i shkëlqyer ai 2015-2016 në klubin e Serie A e bëri 22-vjeçarin një nga premtuesit më emocionues në futbollin evropian. Flitet se së fundmi e kërkojnë Bayern Munich, Atlético Madrid, Chelsea, dhe madje edhe Barcelona. Asgjë nga këto nuk do të ishte bërë e mundur nëse babai i Hysajt, Gëzimi, një emigrant shqiptar në Itali nuk do të besonte verbërisht në mundësitë e Elseidit që njihet si Elsi që kur goditi topin e parë të futbollit.

Si shumë shqiptarë në gjatë viteve ’90, Gëzimi rrezikoi jetën e tij duke udhëtuar me gomone drejt Italisë si klandestin, për të bërë të gjitha llojet e punëve në mënyrë që t’i garantonte jetesën familjen e tij. E kishte bërë atë udhëtim të rrezikshëm disa herë përmes detit Adriatik në mënyrë që të dërgonte para në Shqipëri ku i vogli Elsi ishte duke u rritur nga e ëma. Duke u përpjekur në një nga shoqëritë diletante të futbollit në qytetin e tij Shkodrën, Hysaj nisi të tregojë talentin e tij në futboll që në moshë të re. I ati e kuptoi dhe një shaka e fatit e ndihmoi që t’i garantonte jetën të birit për mirë.

Një nga punët që emigranti shqiptar kishte bërë shpesh në Itali gjatë viteve të qëndrimit të tij ishte punëtor ndërtimi. Në verën e vitit 2004, Gëzimi nisi të punojë në shtëpinë e një farë Marco Piccioli, agjent i FIFA i regjistruar në Itali që kishte arritur të zbulonte disa futbollistë goxha të njohur. “Im bir është një futbollist. A mund t’i gjesh atij një skuadër? – i kërkoi një ditë Gëzimi agjentit megjithëse Elseid ishte vetëm 10 vjeç. Ai duke qeshur i tha: “Është i vogël. Sille këtu pas 4 ose 5 vitesh”.

Përgjigjja nuk e shkurajoi Gëzimin që kishte arritur të vendoste një kontakt me Piccioli. Ndërkohë i vogli Hysaj vazhdonte të luante për një nga skuadrat amatore në Shkodër, megjithëse ishte tërhequr nga një zbulues i Akademisë së skuadrës kryesore të qytetit Vllaznia. Futbollisti i krahut të djathtë u evidentua si një mbrojtës i mirë në kampionatet e fëmijëve duke treguar kapacitet në çdo takim të luajtur dhe duke mbrojtur me lehtësi detyrë që i jepej. Këtë vlerë vazhdon ta ruajë edhe sot.

Kur Elseid u bë 14-vjeç, Gëzimi vendosi se kishte ardhur koha që t’i kujtonte agjentit italian atë gjysmë-shaka dhe gjysme-deklaratë që kishte bërë disa vite më parë. Ai e takoi Piscoli dhe i kërkoi nëse mund t’i rregullonte një takim për të birin në një nga akademitë italiane. Agjenti i ktheu një përgjigje pozitive duke vendosur kontakte te Fiorentina dhe duke i siguruar një provim. Hysaj udhëtoi drejt Italisë dhe i bëri menjëherë përshtypje të mirë klubit italian që kërkoi ta regjistronte në radhët e veta. Por kjo po vështirësohej për çështje dokumentesh dhe procedurash burokratike meqë ishte djali i një emigranti jokomunitar në Itali. E kështu, përfitoi Empoli që tregoi vullnet për të mbyllur kontratën me të riun.

Kështu Hysaj nisi të luante në Akademinë e Empolit në vitin 2009 dhe tregoi menjëherë se ishte një hap përpara shokëve të tij bashkëmoshatërë në skuadër. Luante rregullisht për skuadrën e 16 vjeçarëve dhe me kalimin e kohës u thirr nga skuadra kombëtare e Shqipërisë për të lozur me ta në kampionatin Europian U17 në 2010-ën. Në nëntor 2011 bëri debutimin e tij me skuadrën e parë të Empolit duke luajtur 90 minuta në një ndeshje të Kupës së Italisë kundër klubit që e kishte lënë t’i ikte, Fiorentina.  Një vit më pas u bë një lojtar i rregullt i Empolit nën drejtimin e trajnerit Maurizio Sarri dhe duke marrë thirrjen e tij të parë në skuadrën kombetare të Shqipërisë duke u bërë lojtari i tretë më i ri që kishte veshur ngjyrat kuqezi në ndeshjen kundër Gjeorgjisë në moshën 18-vjeçare. Më pas do të vinte një sezon brilant me Empolin dhe me Shqipërinë duke e bërë Hysajn një emër të njohur në Itali dhe në vendin e tij të lindjes. Zotësia e treguar në fushë e çoi drejt një kontrate me Napolin në verën e vitit 2015 dhe i garantoi një vend në skuadrën që shkoi në “Euro 2016” si krenari e një kombi dhe një prej qyteteve që nxjerr talente.

Ndërsa pjesa më e madhe e futbollistëve i shpenzojnë paratë e tyre me veshje apo makina, një nga gjërat e para që bëri Hysaj ishte shpërblimi i sakrificës që kishte bërë i ati. Në fillim të vitit 2014 me fitimet e para, hapi në Firence lokalin Elsi për t’ia dhënë të atit që menaxhon biznesin e tij të parë. Bari është bërë një pikë takimi për të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonë, por edhe për tifozët e futbollit që herë pas here u rastis të takojnë një yll të Serie A.

“Dua të sigurohem që ditët e lodhshme të marrin fund. Ka bërë dhe sakrifikuar më shumë nga ç’duhet dhe tani është çasti që unë të filloj t’ia di”, më tha dy vjet më parë Hysaj, asokohe 20-vjeçar . Pra, është e vërtetë shprehja “Dardha nën dardhë bie”. (Përkthyer nga Lapsi.al)

Artikulli në origjinal:
Elseid Hysaj: how a father’s promise steered his son into the Albania team

 

Shqiptarët e Torinos angazhohen në jetën politike

Gli albanesi festeggiano la Madonna del Buon Consiglio di Scutari a Genazzano